KQZ shpalli kandidatët fitues të Vlorës, ndërkohë debatet vijojnë për Tiranën

KQZ miratoi në unanimitet disa çaste më parë vendimin për shpërndarjen e mandateve dhe shpalljen e kandidatëve fitues në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit, për Qarkun Vlorë. Sipas vendimit, KQZ shpërndau mandatet brenda koalicionit zgjedhor "Aleanca e Ndryshimit", për zonën zgjedhore Qarku Vlorë ku PD fiton 4 mandate, ndërsa Partia për Drejtësi dhe Integrim merr 1 mandat. Sipas vendimit, Komisioni zgjedhor shpalli kandidatë fitues nga lista shumëemërore e PD-së për këtë Qark, Astrit Patozin, Ardian Kollozi, Leonard Demi dhe Kreshnik Çipi, ndërsa nga lista shumemërore e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, shpalli fitues kandidatin Dashamir Tahiri. Ndërkohë, për koalicionin "Bashkimi për ndryshim" për Qarkun Vlorë, PS merr 6 mandate, ndërsa PBDNJ fiton 1 mandat. Sipas vendimit KQZ shpalli kandidatë fitues nga lista shumëemërore e PS-së, Arben Isaraj, Luiza Xhuvani, Arben Malaj, Shpëtim Idrizi, Eltar Deda dhe Fatmir Toçi, ndërsa nga lista shumëemërore e PBDNJ-së shpallet kandidat fitues, Vangjel Dule. Mbledhja e KQZ-së po vijon në këto çaste me shqyrtimin e ankimimeve të disa subjekteve politike për rezultatet në Qarkun e Tiranës.
Debatet për ankimimet në Tiranë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) prej gati katër orësh po debaton rreth kërkesave ankimore të paraqitura nga Partia Socialiste, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, që kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve në disa KZAZ të zonës zgjedhore, Qarku Tiranë. Ankesat e të tre subjekteve kundërshtojnë vendimet për tabelat e rezultateve në KZAZ-të me nr. 45, 49, 54, 55, 58, 59 dhe 60, duke pretenduar se votat e tyre nuk janë vlerësuar drejt dhe duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të tyre për disa qendra votimi në Qarkun më të madh të vendit. Pas dëgjimit të pretendimit të palëve, nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi duke mbështetur ankesat në fjalë kërkoi nga Komisioni që të zbatojë nenin 138 (pika 3), për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të votave. Ajo, duke iu referuar nenit 136, kërkoi përdorimin në cilësinë e provës të materialeve filmike që kanë regjistruar procesin e numërimit të votave në KZAZ-të e kontestuara të Tiranës. Argumenti i saj u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i PD-së pranë Komisionit, Njazi Kosovrasti, i cili sikurse dhe në mbledhjen e djeshme, e akuzoi atë për mungesë profesionalizmi dhe tentativë për të turbulluar opinionin publik. "Nuk mund të shkohet drejt hapjes së kutive të votimit me pretendime të pabazuara në ligj", tha Kosovrasti, duke ngjallur kështu debate të forta mes tij dhe nënkryetares Subashi.
...