E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moikom Zeqo: “Mëkatet e kritikës provinciale shqiptare”



Petrika GROSI
Pas studiuesit Fatmir Alimani, drejtorit të Qendrës së Studimeve Albanologjike, prof. Ardian Marashit dhe poetit Skënder Sherifi, tashmë shkrimtari Moikom Zeqo vjen si i ftuar në debatin tonë më të fundit që vijon në faqet e gazetës “Albania”, mbi kritikën letrare në Shqipëri. Në intervistën që vijon, Zeqo tregon mbi të metat dhe shkaqet e mosfunksionimit të kritikës letrare në Shqipëri, mëkatet e atyre dopak kritikëve që kemi trashëguar nga para vitet ‘90, si dhe shembujt botërorë që mund të ndiqen dhe që duhen pasur parasysh për të gjetur një rrugëdalje të mundshme nga kjo situatë. Një gjë është e sigurt, për momentin nuk kemi asnjë kritik shqiptar këtu, apo andejkufirit, i cili të jetë aktiv dhe profesionist i mirëfilltë.

A ka kritikë letrare sot në Shqipëri?
Nëse kufizohemi në termin “kritikë letrare”, mund të them me zemërgjerësi të madhe se ka vetëm disa elementë të brishtë të kritikës letrare, por mund të them me mendje të kthjellët se institucioni i kritikës letrare ende nuk është ndërtuar si institucion i mëveçëm në Shqipëri. Për elementë të kritikës letrare mund të përmend elementë të veçuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, që rreken të studiojnë vepra të veçanta letrare, ose shumë rrallë, edhe periudha të veçanta letrare. Nëse flasim për disiplinën e historisë së letërsisë shqipe mund të themi se kemi një përvojë deri diku të institucionalizuar por ende të prapambetur, jo vetëm në gjithëpërfshirjen dhe studimin shkencor të historisë së letërsisë, gjë që bën që metodologjia e historisë së letërsisë shqipe, krahas disa meritave dhe informacionit të ketë defekte të sintezave të plota dhe të arrira. Nuk dua të tregohem i skajshëm dhe i padrejtë por kritika letrare në vendin tonë pothuajse nuk ekziston. Edhe në të kaluarën, ajo, gati nuk ka ekzistuar si institucion. Në mënyrë pjesore dhe fragmentare kemi disa elemente të kritikës letrare që fillojnë nga Pjetër Bogdani në shek.XVII, që koncetrohen si nismë te Fiak Konica, që artikulohen te disa autorë të rëndësishëm arbëreshë, që ka një traditë të zhvillimit të dyjëzuar në shek.XX, në vitet ’30 dhe në gjysmën e dytë të shek.XX. Këto analiza letrare që janë bërë, disa herë edhe në formën e programeve shtetërore të ndikuara nga koncepti i rrejshëm i realizmit socialist, sot duhet të shihen në mënyrë konvencionale dhe të pjesshme. Kjo mënyrë të shkruari e kritikës letrare ka anuar më tepër nga historia e letërsisë. Fjala vjen, kritika e mirëfilltë letrare, që ka një optikë estetike dhe krahasimtare më shpesh ka degraduar në llojin e recensioneve të përurimeve të librave, që nuk kanë të bëjnë me kriticizmin, se sa kanë të bëjnë me apologjinë. Për të mos më quajtur të padrejtë, në këtë konstatim dua të them se nuk kemi deri më sot asnjë vepër të kritikës letrare që të jetë e shquar dhe pikë referenciale, ashtu siç kemi vepra të shquara letrare. Përgjithësisht, kritikës letrare në Shqiëri e në Kosovë i kanë munguar disa dimensione substanciale: Së pari, dimensioni i hulumtimeve, së dyti, dimensioni i metodës krahasimtare, jo vetëm në rrafshin e brenda për bremdshëm kombëtar, por dhe në rrafshin rajonal e botëror. Po marr si shembull Naim Frashërin, për të cilin janë shkruar shumë kritika letrare. Këto kritika kanë më tepër karakter informativ, shpesh apologjik dhe asnjëherë nuk kanë pasur karakter krahasimtar. Fjala vjen, Naimi që vdiq në vitin 1900, duhet të krahasohet me poetët e tjerë të Ballkanit deri në këtë cak kohor. Në një vështrim krahasues që kam bërë më del se Naim Frashëri mund të krahasohet edhe në raport me popujt e tjerë të Ballkanit, ndoshta si një nga poetët më të rëndësishëm dhe më interesantë në rrafsh rajonal. Një vështrim i tillë na duhet edhe kur flasim për shkrimtarët e viteve ‘30, aq më tepër na duhet për shkrimtarët e sotëm bashkëkohorë. Nëse do të ringjallet shkenca e kritikës letrare në Shqipëri duhet të jetë detyrimisht krahasimtare.

Pse kritika duhet të jetë domosdoshmërisht krahasimtare?
Sepse letërsia, sot, pavarësisht artikulimeve të gjuhës nacionale është në thelb letërsi botërore. Kjo gjë, që është kuptuar kaq pak te ne është një thelb i patjetërsueshëm. Pa metodën krahasimtare kritika letrare do të mbetet siç është sot, një kritikë provinciale, e kufizuar në optikë dhe e krahasueshme brenda për brenda rrethit dhe omfalo-centrizmit shqiptar. Do të ishte një ndërthurrje e mrekullueshme që kritika letrare krahasimtare shqipe të kombinonte me kritikën letrare krahasimtare botërore. Kam lexuar kohët e fundit një studim të kritikut Harold Blum për letërsinë e Europës Juglindore. Ai përmend shkrimtarë të tillë si Ivo Andriç, Danilo Kish, Kaxanxaqi, Kavathi, Elitis, Marin Soresku, Vasko Popa etj. Për fat të keq nuk përmend asnjë shkrimtar shqiptar. Kjo për shkak të mungesës së botimeve serioze të kritikës letrare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pa dyshim, Migjeni dhe Ismail Kadarere janë shkrimtarë botërorë të rëndësishëm dhe krejtësisht të citueshëm në çdo kritikë serioze letrare. Për Kadarenë, kohët e fundit ka një bibliografi serioze të shkrimeve të kritikës letrare nga të huajt, hulli ku duhet të ecin studimet edhe për shkrimtarë të tjerë. Kjo gjë i jep një përgjegjësi të madhe kritikës letrare në Shqipëri dhe kushtëzon urgjentisht specializimin e saj, jo thjesht në rrafshin provincial por në rrafshin botëror. Është një rrugë që nuk mund t’i shmangemi.

Pse ndodh sipas jush, që studiuesit dhe kritikët në vendit tonë merren më shumë me jetën dhe figurën e shkrimtarit se sa me veprën dhe vlerat e saj letrare?
Sepse informacioni biografik është më i lehtë të bëhet por ky informacion nuk është shumë i rëndësishëm. Vepra letrare është kryesorja, shumë më e rëndësishme se sa autori i saj. Kjo duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë. Veprat letrare janë gati autonome dhe nuk kanë të bëjnë me lidhjet personale që kanë bashkëkohësit me një shkrimtar bashkëkohës. Por, për të analizuar veprat letrare dhe vlerat e tyre duhet një kulturë e madhe, e specializuar në shumë disiplina, kulturë që sot na mungon. Nëse nuk njihen analizat e shkencës letrare që lidhen me emrat e Roland Bartit, Zhak Lakanit, Zhak Deridas, Jakob Sonet, Bahtit, Todorovit, Kristevës, Harold Blumit etj., nuk mund të themi se do të kemi një bashkëkohësi të kritikës letrare në Shqipëri. Analizat e sotme të tekstualitetit, të hipertekstit, inter-tekstit, meta-tekstit etj., kanë jo vetëm një kulturë të madhe linguistike strukturaliste, por dhe semantika e simiontika të domosdoshme të kulturës dhe zejes së shkrimit, të të veçantave dhe universalitetit të veprës. Ky formim bashkëkohor mund të krijojë edhe kritikë bashkëkohorë. Kritiku i mirë lind më rrallë se sa shkrimtari i mirë. Kritiku i mirë është një specie më e pakët, kurse shkrimtarët janë më të shumtë. Kritiku i mirë jo vetëm bëhet por edhe lind. Një kritik i madh mund të bëjë sinteza të mrekullueshme dhe të zbulojë e të vendosë ekuilibrin e vërtetë të vlerave dhe të hirearkisë së shkrimtarëve në kulturën shqiptare, gjithmonë në raport me kulturën botërore. Një kritik i tillë ende nuk ka lindur për ne. Por, kjo nuk do të thotë se nuk do të lindë! Konstatoj se kritika letrare shqiptare ka këto kufizime: Ajo merret shumë me aspektin biografik dhe në mënyrë të frikshme me aspektin politik të shkrimtarit. Fjala vjen, kundër Kadaresë janë shkruar shumë shkrime politike, gjoja për të vërtetuar nëse është apo nuk është disident, dhe asnjë studiues nuk është marrë seriozisht me studimin estetik e letrar të veprës së tij. Së dyti, shumë shkrimtarë që kanë qenë në burgje e mbivlerësojnë elemntin biografik politik, kur dihet se elementi estetik letrar nuk ka shumë lidhje me të. Kritika vuan edhe nga fakti herë-herë, i një stolistjeje kulturologjike për të treguar gjoja erudicion, por kjo nuk ka lidhje shpesh me objektin. Mëkati më i madh i sotëm i kritikës letrare është karakteri recensional, delirant, artikuj që shkruhen nga miq e të afërm të autorëve me vlerësime superlative për autorë të zakonshëm, duke i kthyer ata në gjeni të mëdhenj, ndërkohë që janë subjekte të rëndomta provinciale. Kjo batërdi e recensioneve miqësore e pengon objektivitetin shkencor të kritikës. Është një gjë e frikshme në ditët tona. Kritika provinciale shqiptare duhet ta shërojë këtë sëmundje që të bëhet kritikë letrare e vërtetë.

Lind pyetja, ku t’i gjejmë këta kritikë? Mos duhet t’i importojmë duke i blerë apo huazuar nga jashtë?
Kritikët nuk importohen, ata dalin nga gjiri i krijuesve dhe më pas formohen, e jo thjesht në kuadrin kombëtar. Ata formohen tashmë si kritikë të kritikës letrare botërore. Pa dyshim që shkollimi universitar, specializimet e shumëfishta, pa mohuar talentin vetjak të kritikut, mund dhe duhet të kontribuojnë në formimin e disa kritikëve, që së bashku, do të organizojnë institucionalizimin e kritikës letrare si një disiplinë e mëveçme tepër serioze, që jo vetëm do të japë gjykime, jo vetëm do të seleksionojë veprat e mira nga ato të dobta, por do të shkatërrojë edhe deliret e paditurisë provinciale dhe do të riparojë format e degjeneruara të recensioneve. Vetëm një kritikë e tillë do të përfillet në Shqipëri dhe në kuadrin botëror. E theksoj edhe një herë, nuk ka më thjesht letërsi shqipe por letërsi shqipe të letërsisë botërore, nuk ka më kritikë letrare shqipe por kritikë letrare shqipe të kritikës letrare botërore.

Si shpjegohet fakti që mjafton një apo disa botime të çfarëdoshëme jashtë shtetit dhe autori shihet si gjeni nga kritika shqiptare?
Botimet e autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj, për shkak të një snobizmi provincial, duket sikur u japin autorëve idenë e epërsisë dhe arritjen e hirearkisë. Por, nëse vepra e një shkrimtari nuk është botuar nga një shtëpi e huaj serioze dhe me emër, e nëse për këtë vepër nuk shkruhet asgjë nga kritika botërore autoritative, vështirë se mund të themi se këto botime janë arritje të mirëfillta. Këtu bëj një dallim, jo thjesht recensat e kritikëve të punësuar nga shtëpitë botuese të huaja, që në tregun e librit kanë karakterin e reklamës, janë të rëndësishme, por shënimet kritike nga emra të njohur të kritikës për veprat e letërsisë shqipe janë më efikase dhe pika referenciale. Në këtë aspekt mund të themi se kemi një farë boshllëku për veprat e shkrimtarëve shqiptarë që janë botuar në gjuhë të ndryshme. Dihet që tregu global i librit boton edhe libra të autorëve shqiptarë, ndoshta të përkthyer jo mirë, sipas formulës utilitare të pagesës nga ana e autorit apo nga miqtë e tij. Më vjen për të qeshur që disa autorë të rinj, të cilët janë botuar me tirazhe të vogla, marrin për bazë mendime të miqve të tyre që u kanë shkruar parathëniet dhe u duket si të vërteta të kritikës botërore. Edhe kjo gjë është një shenjë e provincializmit shqiptar. Nëse Apolineri ka shkruar për Konicën, Lamartini për De Radën, Xhon Apdajku për Kadarenë, Bernard Shou për Fanolin, ahere këto shkrime janë premisa më të mëdha të vlerësimit botëror të autorëve shqiptarë dhe krijojnë kushte që kritika letrare shqiptare të nyjëtohet me mendimin kritik botëror.

Së fundi, a ndikojnë klanet e lobingjet letrare, e jo vetëm, brenda dhe jashtë shtetit sa i takon kritikës?
Klanet dhe lobingjet letrare janë të përjetshme. Ato ndikojnë në reklamën e shkrimtarit por janë të parëndësishme pas vdekjes së tij. Natyrisht që këto klane e lobingje nuk duhet të mos merren në konsideratë në një aspekt të përkohshëm, por nuk kanë asnjë rëndësi në aspektin e përjetshëm të vlerave letrare. Me këtë situatë ndeshen të gjithë shkrimtarët në botë. Fjala vjen, shkrimtari më i madh i sotëm amerikan, David Foster Uollas, i cili e vrau veten në moshën 46-vjeçare, vitin e kaluar, nuk kishte ndonjë vlerësim të lartë përsëgjalli, kurse tani, kryevepra e tij “Shakaja e pafundme” konsiderohet si zeniti i prozës moderne amerikane dhe botërore. Për këtë shkrimtar, jo shumë të njohur si disa nobelistë amerikanë, shkrimtari gjithashtu i madh amerikan, Don DeLlilo thotë: “David Foster Uolas është si një raketë tri-fazëshe në kozmosin letrar...”.
Po kush e njeh David Foster Uolasin në Shqipëri? As shkrimtarët dhe as kritikët. Atëherë, pse flasim për një bashkëkohësi? Tashmë, emri i madh i këtij shkrimtari amerikan është mbi klanet dhe lobingjet, jo vetëm në letërsinë amerikane por dhe në atë botërore. Kjo është rruga e vështirë, shpesh anonime, sakrifikuese dhe e vetmja rrugë e vërtetë për çdo shkrimtar të talentuar.

14 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›