E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shqyrton projektvendimet mbi vendet e numerimit te votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka arritur të miratojë projektvendimin për caktimin e Vendit të Numërimit të Votave në Zonën e Administrimit Zgjedhor numër 59 në Qarkun Fier. Përfaqësuesi ligjor i PS-së, kërkoi që Prefekti i Qarkut të propozojë të tjera objekte brenda Bashkisë Fier, pasi në këtë Qark parashikohet të zhvillohet numërimi elektronik i votave. Po ashtu, Genc Gjonçaj tha se në të kaluarën në këtë ZAZ ka pasur përplasje politike. Por, për përfaqësuesin e PD-së, Njazi Kosovrasti pretendimet nuk janë ligjore dhe se administrimi i procesit duhet kryer njësoj në të gjithë territorin e vendit. Pas dëgjimit të palëve, KQZ vendosi t’i kërkojë Prefektit të Qarkut Fier, opinion mbi këtë situatë.
Gjatë mbledhjes KQZ miratoi kërkesën e Misionit të OSBE/ODIHR për 33 përkthyes, që do të asistojnë vëzhguesit e tyre. Po ashtu u miratua kërkesa e Institutit Demokratik Amerikan për 10 vëzhgues afatgjatë dhe 2 përkthyes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›