E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ shtyn ankimin e PR-së për mandatin në Shkodër, rrëzon ankimimin e Dritan Priftit

17-07-2013 / Gazeta 55

Në ndryshim nga kërkesat ankimore të deritanishme, të rrëzuara brenda një seance mbledhjeje në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, vendimi për ankimimin e Partisë Republikane për Qarkun e Shkodrës është shtyrë për të mërkuren.  Republikanët kanë ankimuar në institucionin më të lartë të zgjedhjeve, tabelat e rezultateve në disa qendra votimi në këtë qark.  Republikanet pretendojnë se përmes ndërhyrjeve në to, i është marrë mandati i deputetit nga aleatja e saj, Partia Demokratike.  PR kërkon rinumërim në 13 qendra votimi të Shkodres, të cilat janë numëruar gjatë kohës që në to nuk ka pasur energji elektrike dhe ku rezulton se PR nuk ka marrë vota, në ndryshim nga qendra të tjera të këtij qarku.  Diferenca që ka bërë ndarjen e mandatit mes PR dhe PD dhe që aktualisht e mban kjo e fundit, është vetëm 29 vota.  KQZ, ku PR ka të propozuarin e saj aty, zotin Klement Zguri, kërkoi  kohë për të verifikuar provat e paraqitura nga avokati Eno Bushi, përpara se të japë vendimin.  Ky është rasti i parë ankimor që KQZ i lë vetes kohe për t’u pergjigjur, ndërsa një ditë më parë rrëzoi kërkesën ankimore të LSI për Qarkun e Kukësit, ku mandati i katërt atje është ndare po me një diference tejet të ngushtë votash mes dy koalicioneve. KQZ rrëzoi kërkesen e kandidatit të pavarur në Fier, Dritan Prifti, që i kërkonte rinumërim të votave në të gjithë qarkun.  Së bashku me përgjigjen për Shkodren, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të mërkurën, një tjetër qark ku është në diskutim një mandat, Qarku i Lezhës.  Përveç Partisë Socialiste, ankimim për këtë qark ka paraqitur edhe Partia Demokratike.
KQZ rrëzon ankimimin e Dritan Priftit për rinumërim të votave/Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi dje kërkesat ankimore për rezultatin e votimit në qarkun e Fierit, të paraqitura nga pesë subjekte zgjedhore. Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane, Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë, kandidati i pavarur Dritan Prifti, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë janë pesë partitë që kundërshtojnë vendimin e KQZ-së për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Fier. Pas shqyrtimit administrativ të çështjes, anëtarët e KQZ-së konstatuan se kërkesat ankimore nuk kanë bazueshmëri ligjore aq sa ta detyrojnë Komisionin që të investohet për të bërë rinumërim dhe rivlerësim të votave në një numër qendrash votimi të kësaj zone zgjedhore. Sipas vendimit të KQZ-së, ndarja e 16 mandateve të qarkut të Fierit është: 11 mandate për koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe 5 mandate për koalicionin e djathtë “Aleanca për Punësim, Mireqenie dhe Integrim”. Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi ligjor i Dritan Priftit kërkoi rinumërim dhe rivlerësim të votave në 10 ZAZ të Fierit, zonë ku Prifti kandidoi si deputet i pavarur. Sipas tij, në këto zona duhet të realizohet procesi i rinumërimit, për të çuar në vend vullnetin e zgjedhësve. “Vullneti i zgjedhësit është deformuar nga një proces numërimi i realizuar në mënyrë të organizuar për të deformuar rezultatin, në dem të ankuesit dhe në favor të subjekteve të tjera”,- deklaroi përfaqësuesi ligjor i Priftit. Por KQZ konsideroi të panevojshme rinumërimin e votave në këtë zonë zgjedhore, duke rrëzuar pretendimet e përfaqësuesit të Priftit. Edhe në mbledhjen e djeshme, përfaqësuesi juridik i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, tha se Komisioni Zgjedhor po e zhvillon procesin e ankimimit në mungesë të kuorumit. “Neni 22, pika 5 e kodit zgjedhor përcakton se mbledhjet e KQZ-së janë të vlefshme kur në to marrin pjesë jo më pak se katër anëtarë të saj, me përjashtim të rasteve kur kërkohet shumicë e cilësuar për marrjen e vendimit sipas nenit 24 të këtij kodi”, citoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›