Deklarata/Dashamir Shehi: Gara në PD, serioze – do përmirësojë politikën
I konfirmuar tashmë deputet në listat e PD, Dashamir Shehi është optimist se e djathta edhe në mungesë të numrave do të bëjë opozitë të fortë, pasi sipas tij për herë të parë shkon në parlament me një grup parlamentar shumë politik. “Nga ana numerike është e vështirë bërja e opozitës, pasi shanset për tu imponuar nuk i ka. Por ka një shans tjetër se ka një grup parlamentar shumë politik, ka fituar maja. Nga ana kualitative gjykoj se do të jemi në gjendje të bëjmë një opozitë shumë të mirë. Qeverisja dhe pushteti ka ilarilitet shumë të madh. Një nga defektet që edhe ka humbur PD, është kjo që e shtyu në maksimum pragmatizmin politik që me Xhuvelin, marrjen e votave socialiste për Topin, koalicioni me Metën dhe përfundoi me vënien në lista të tre socialistëve. Ky lloj sporti që u bë kombëtar duhet të marrë fund, por nuk më shqetëson se kjo opozitë shansin nuk e ka më tek numrat. Kush ka ndërmend të ikë nga krahu tjetër, bën mirë ta bëjë që tani në mënyrë të që dihen se kush është në opozitë dhe kush në pozitë” ,tha më tej kreu i LZHK-së. Ndër të tjera, deputeti i PD, Dash Shehi zhvillimet e fundit brenda PD, në mënyrë të veçantë garën Basha-Olldashi për drejtimin e kësaj partie është serioze do të përmirësojë jetën politike në PD. “Gjykoj që gjithë ky proces, kjo lloj fushate brenda PD ka pas disa efekte përmirësuese për jetën e brendshme të PD. Për herë të parë po bëhet garë serioze brenda PD. E dyta është gjetur një formulë, një anëtar një vote, shumë e mirë. Surpriza të mëdha nuk ka, se dy kandidatura ka. Edhe përmes kësaj formule mund të ketë vend për abuzime, s’dihet sesi do menaxhohet votimi, por thelbi është pozitiv dhe personazhet janë reale. Lidhur me platformat nuk kam dëgjuar shumë. Platforma bazë është se ne do shkojmë të bëjmë rezistencë ndaj zotit Rama. Rezultati mes Bashës dhe Olldashit është aty. Basha duke qenë kryetar Bashkie do jetë edhe për dy vite të tjera aty dhe varet nga puna e tij beteja e parë që do ketë PD për zgjedhjet lokale. Basha rritet disi i privilegjuar, ndërsa Olldashi ka pjesën e parlamentit. Zgjedhje të tjera dhe zgjidhje të tjera brenda PD nuk ka, Berisha me largimin e tij ka bërë një sjellje shumë të zgjuar dhe për më tepër marrja e përgjegjësive të humbjes prej tij ishte zgjidhje edhe më e zgjuar. Përshpejtimi i procesit të zgjedhjeve brenda PD ishte një gjë e mirë, çdo zvarritje mund të shkaktonte krisje brenda saj”.
...