E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi pranë Kalasë së Prezës, me leje – nuk bie ndesh me ndonjë nen të ligjit për ruajtjen e trashëgimisë

17-07-2013 / Gazeta 55

Deklarata e drejtorit të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe

Reagimi i familjes Ajazi: Sulm i PS, rikthim i luftës së klasave – ndërtimi, në pronën tonë të ligjshme

Pas denoncimit në media të një ndërtimi me leje që po bëhet pranë mureve të kalasë së Prezës së Tiranës nga familja Ajazi, ka reaguar nëpërmjet një deklarate Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Apollon Baçe. Baçe sqaron se ka firmosur pas lejes së ndërtimit të dhënë nga pushteti lokal, komuna Bubq. Sipas tij, leja nuk bie ndesh me ndonjë nen të ligjit për ruajtjen e trashëgimisë. Pronari zotëron dokumentet e pronësisë, pasi ka pasur banesë në vitin 1920. “Banesa,- shton Baçe, -  nuk e kalon lartësinë e kalasë dhe do të zhvendoset 8.5 metër nga muret e saj. Po kështu,- argumenton Baçe, - fraktura e mureve të banesës do ishte prej guri ashtu si e kalasë. Është rënë dakord thotë Baçe se nëse do të shikohen gjurmë ndërtimesh të mëhershme do të ndalohet gërmimi”. Nisur nga argumentet e mësipërme, Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës e konsideron lejen e ndërtimit të ligjshme.
Familja Ajazi: Sulm i PS, rikthim i luftës së klasave - ndërtimi në pronën tonë të ligjshme/Pas reagimit të shprehur nga mediat e majta dhe përfaqësues pranë PS-së, ka reaguar edhe familja Ajazi. Ata thonë se po rindërtojnë shtëpinë në truallin, pronë e familjes Ajazi në fshatin Prezë. Sipas familjes Ajazi, ky është një sulm i PS që po tenton të rilindë luftën e klasave si në kohën e komunizmit. “Një sulm i paprinciptë ka nisur këto dy ditë nga rilindasit e rinj të Partisë Socialiste ndaj familjes sonë. Familja Ajazi është një nga familjet më të vjetra autoktone të Prezës. Një nga pronat e familjes tonë është dhe trualli mbi të cilin ka qenë shtëpia e familjes tonë, që nga shekulli i kaluar e deri në vitin 1920, vit në të cilin u dogj për arsye politike nga Qeveria e Durrësit. Ky truall me sipërfaqe 1100 m 2 , kthyer familjes 875 m 2, na është njohur me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave në vitin 1992. Prona na është kthyer në vitin 2001 dhe regjistruar po atë vit pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ju sqarojmë se shtëpia jonë, ashtu si të gjitha shtëpitë e vjetra autoktone ekzistuese edhe sot, në afërsi të Kalasë së Prezës, është e baraslarguar po si ato e po sa ato, nga muret e Kalasë. Sot, rindërtimi ka nisur edhe 4 m më shumë larg mureve, në krahasim me shtëpinë e vjetër. Çdo akuzë tjetër, që bie ndesh me të drejtën e zhvillimit të pronës, lirinë e individit pse jo dhe harmoninë e jetëzimin e monumenteve të kulturës, është jo vetëm keqdashje por një shenjë e qartë e rilindjes së dhunës së përbuzjes ndaj pronarëve, nga individë pa moral që pasi vodhën e shkatërruan pasuri kombëtare, monumentale e pronat e të tjerëve, sot po duan të fshijnë gjynahet në përpjekje për të Rilindur. Artan Shkreli and co, nuk u ndje kur miku i tij “kryerilindasi” Edi Rama, i dha lejen e ndërtimit për një pallat 20 katësh Fidel Yllit, sipër një prej monumenteve më të vjetër të Tiranës, varrit te Kapllan Pashës, as iu dhimbs shkatërrimi i vlerave kombëtare si kthimi ne pub e restorante me firmën e tij të Kalasë së Lekursit, një kasaphane mbi trashëgiminë tonë kulturore, apo dhënia e lejes se ndërtimit për pallat gjigant mbi murin e Anastasit në Durrës e të tjera e të tjera”- thuhet në reagimin e familjes Ajazi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›