E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmerren per nenen masakrojne babane

Një 54-vjeçar nga Ballshi përfundoi në gjendje kome pas dhunës së ushtruar nga tre djemtë

Dhuna brenda familjes shënon viktimën e radhës në qytetin e Ballshit. Por ndryshe nga sa ndodh rëndom, ku bashkëshortja apo vajza e familjes është objekt dhune, kësaj radhe ka qenë kryefamiljari ai që ka provuar dhimbjen dhe poshtërimin. Tre nga katër djemtë e tij e kanë masakruar babanë me grushte, shqelma e mjete të forta, ndërkohë që policia deklaron se shkak për konfliktin ka qenë dhuna që kryefamiljari kishte ushtruar në mënyrë sistematike ndaj nënës së fëmijëve të tij.

Mitat Dautaj, 54 vjeç, quhet babai i dhunuar nga tre djemtë e tij. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë së Ballshit, ngjarja ka ndodhur paraditen e së martës, në lagjen “Bylis” (Ballshi Fshat) të qytetit të Ballshit. Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën ku familja Dautaj jetonte e ndarë prej pak kohësh.

Djemtë, më i madhi 27 dhe më i vogli 19 vjeç, kishin kohë që debatonin me të atin, pasi ai në mënyrë të vazhdueshme dhunonte nënën e tyre. Dhuna e Mitatit ndaj bashkëshortes për vite me radhë kishte nxitur shpesh konflikte, ku ishin përfshirë edhe djemtë, por duke qenë në një moshë të vogël, fëmijët nuk arrinin të ngrinin krye ndaj babait.

Për shkak të marrëdhënieve aspak normale në familje, bashkëshortja e Mitatit, pasi kishte biseduar edhe me katër djemtë, kishte bërë kërkesën për divorc, si dhe kishte kërkuar mbrojtjen e policisë.

Gjykata e Fierit kishte vendosur para disa muajsh për ndarjen e çiftit Dautaj. Por edhe pas divorcit, familja jetonte nën të njëjtin kulm, ku babai kishte një dhomë të veçantë. Zgjidhja e kurorës dhe prishja e familjes, gjithsesi nuk ka arritur të sjellë qetësinë në shtëpinë përdhese në lagjen që ndahet nga një përrua me pjesën tjetër e qytetit të Ballshit. Të afërmit tregojnë se shpesh, kur djemtë nuk ishin në shtëpi, Mitati gjente rastin të dhunonte ish-bashkëshorten. Kjo ka bërë që djemtë fillimisht ta paralajmëronin babanë dhe më pas të kërkonin nga gjykata një urdhër mbrojtjeje për nënën. Gjykata mësohet të ketë marrë një vendim të tillë dhe policia i kishte komunikuar vendimin që Mitat Dautaj të qëndronte larg shtëpisë dhe padyshim larg gruas së tij. Por, javën e fundit, për shkak të festave të fundvitit, Mitati i ishte kthyer në shtëpi, duke mos marrë parasysh as vendimin e gjykatës.

Sapo është kthyer në shtëpi ka nisur përsëri sherri dhe ai ka dhunuar ish-bashkëshorten. Kjo, sipas policisë, ka indinjuar djemtë, të cilët dje paradite e pritën që ai të kthehej në shtëpi dhe menjëherë sapo ka hyrë e nisur të shajë, e kanë qëlluar me mjete të forta.

Sipas burimeve të policisë mësohet se djemtë kanë përdorur edhe një levë hekuri për të qëlluar mbi babanë. Por kur kanë parë që 54-vjeçari ka rënë pa ndjenja, dy nga djemtë janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i treti, Rizai, 22 vjeç, ka njoftuar policinë dhe spitalin.

Furgoni i grupit të gatshëm i Policisë së Ballshit ka transportuar 54-vjeçarin drejt spitalit rajonal të Fierit, ndërsa djali që bëri njoftimin është arrestuar me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje.

Mjekët e spitalit të Fierit pohojnë se gjendja shëndetësore e 54-vjeçarit ishte mjaft e rëndë dhe për këtë arsye, ai është dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Mitat Dautaj ka marrë plagë të rënda në kokë, të cilat i kanë shkaktuar hemorragji të brendshme dhe ai ka rënë në koma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›