E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ, sot rezultati i zgjedhjeve, miratohen 2 qarqet e fundit

TIRANË- KQZ do të shqyrtojë sot projektvendimin për tabelat e rezultateve përfundimtare zgjedhore për qarqet e Vlorës dhe Lezhës. Miratimi i këtyre tabelave shënon dhe përmbylljen e rezultateve përfundimtare për të 12 qarqet e vendit. Rezultatet paraprake të publikuara nga KQZ më 3 korrik, nxorrën fitues koalicionin e djathtë "Aleanca e ndryshimit" me 46.69% të votave ose e kthyer në mandate me 71 vende në parlament. Pas tij, u rendit koalicioni i majtë "Bashkimi për ndryshim" me 45.36% të votave ose 65 vende në Kuvend, e ndjekur nga "Aleanca Socialiste për Integrim" me 5.56% të votave ose 4 vende në parlament. Sipas Kodit Zgjedhor, vendimi për tabelën e rezultateve mund të ankimohet në KQZ jo më vonë se tre ditë nga shpallja e tij. Pas këtij hapi, KQZ nis shqyrtimin e ankesave të partive. Dje Partia Socialiste ankimoi rezultatin e Fierit dhe Beratit dhe vetëm pas shqyrtimin të këtyre ankesave do të kemi rezultatin zyrtar të zgjedhjeve që pritet të shapllet në fillim të gushtit.


********



KQZ miraton rezultatin e Tiranës. Subashi, kundër

8 korrik

TIRANË- Pas shumë debatesh dhe megjithë kundërshtimin e përfaqësuesve të PS-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi tabelën e rezultateve përfundimtare të zonës zgjedhore, Qarku Tiranë.
Shqyrtimi i këtij p/vendimi mbështetet mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga KZAZ-të e këtij qarku, numri i të cilave ditën e votimeve ishte 16. Pas verifikimeve dhe korrigjimeve të nevojshme nga administrata e KQZ-së, të tabelave përmbledhëse të paraqitura nga çdo KZAZ e kryeqytetit, Komisioni miratoi rezultatet përfundimtare zgjedhore për Qarkun më të madh të vendit, me 4 vota pro dhe 3 kundër.
Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, përfaqësuese e PS-së, shpjegoi votën kundër vendimit, që sipas saj lidhet me konstatimin e disa parregullsive ligjore në disa KZAZ të Tiranës.
"KQZ, nuk është kompetente për ta miratuar tabelën sepse i referohet nenit 35 te pika 5 të Kodit Zgjedhor, i cili thotë se mungesa e një vendimmarrje në KZAZ merret në kompetencën e KQZ-së, vetëm në rastet kur KZAZ i jep kompetencën KQZ për të marrë vendimmarrjen e munguar të KZAZ-së. Në këtë fazë të procesit kjo vendimmarrje nuk është në kompetencë të KQZ-së"- u shpreh nënkryetarja e KQZ Dëshira Subashi.
Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në votimet e 28 qershorit në qarkun e Tiranës koalicioni "Aleanca e ndryshimit" fitoi 16 mandate, koalicioni "Bashkimi për ndryshim" 15 mandate, ndërsa LSI 1 mandat.
Për ditën e zgjedhjeve në qarkun e Tiranës funksionuan 826 qendra votimi të grupuara në 16 KZAZ, ndërkohë që numri i zgjedhësve ishte 725.446.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›