E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria kredi me 3% për 800 familje të pastreha

 

Qeveria ka arritur marrëveshjen për kreditimin e familjeve të pastreha. Nga lista me mbi 6 mijë të pastrehë dhe banorë në shtëpitë e ish-pronarëve do të përfitojnë të parët 800 familje, që janë regjistruar në listat e pushtetit lokal. Gazeta boton sot kushtet me të cilat Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave ka rënë dakord me Bankën Kombëtare Tregtare për kreditimin e apartamenteve. Kredia do të jepet për 60 për qind të vlerës së apartamentit dhe do të jetë me afat 30 vjet. Interesi i kredisë do të jetë bono thesari +2.2 për qind, por qytetarët do të paguajnë një interes fiks prej 3 për qind për të gjithë periudhën e shlyerjes së kredisë.
Interesi i kredisë
Sipas vendimit, “Kontrata e kredisë që do të lidhë qytetari do të jetë fikse për pjesën që i takon qytetarit, ndërsa luhatjet e interesit të Bonove të Thesarit janë në ngarkim të buxhetit të shtetit”. Kështu, sot interesi i bonove të thesarit është 9 për qind. Banka do ta kreditojë shtëpinë me një interes 9 + 2.2 për qind, ose 11.2 për qind. Nga këto, familja do të paguajë vetëm 3 për qind, edhe sikur vitin pasardhës interesi i bonove të shkojë 10 për qind ose të ulen në 8 për qind.
Kolaterali
Kolaterali që kërkon banka për dhënien e kredisë është 140 për qind. Sipas njoftimit “mbulimi me 140% do të thotë që, nëse familja vë në hipotekë vetëm apartamentin që do të blejë, atëherë ajo duhet të bëjë një pagesë të menjëhershme të barasvlershme me 40% të vlerës së banesës. Nëse familja nuk disponon këtë shumë, ajo mund të vërë si kolateral një pronë me një vlerë më të madhe dhe të bëjë një pagesë të menjëhershme prej 20% të vlerës së banesës që po blen. Megjithatë, këto janë rregulla të përgjithshme dhe BKT do të aplikojë sipas rastit dhe besueshmërisë së klientit rregulla më fleksibël. “Kështu, në rast se familja gjen një shtëpi, që kushton 5 milionë lekë, ajo do të kreditohet nga banka vetëm për 3 milionë lekë. Pjesën tjetër është e detyruar ta paguajë nga të ardhurat e veta. Nga ana tjetër, familjet mund të lënë si kolateral, garanci, edhe ndonjë pronë tjetër për të plotësuar edhe 20 për qind të kredisë. Në këtë rast ata do të marrin 4 milionë lekë kredi. Në të gjitha rastet, 20 për qind të vlerës së apartamentit duhet të përballohet nga të ardhurat e familjes.
Vlera e banesës
Sipas njoftimi, “me vlerë banese kuptohet vlerësimi që bëhet sipas procedurave të Bankës. Vlera e banesës mund të ndryshojë nga çmimi me të cilin është ofruar për shitje. Çmimi maksimal me të cilin një familje mund të blejë banesën në tregun e lirë, në zbatim të këtij projekti, nuk mund të jetë më i lartë se ai i përcaktuar nga kjo marrëveshje”. E thënë ndryshe, çmimi që ofrohet për blerje, nuk do të thotë se është çmimi me të cilën e vlerëson banka dhe me të cilin do të vlerësohet kredia. Pavarësisht akordit që mund të arrijë familja me një shitës apartamenti, çmimi me të cilin do të jepet kredia do të vlerësohet nga ekspertët e vetë bankës. Nga ana tjetër, qeveria ka vënë edhe çmimeve tavan dhe dysheme për dhënien e kredisë. Kështu një apartament 3+1 në Tiranë nuk mund të ketë vlerë më të madhe se 6.550.000 lekë, ndërsa një garsonierë nuk mund të ketë  vlerë më të madhe se 3,438,750 lekë. Në tabelën më poshtë janë të shënuara edhe vlerat maksimale të shtëpive në 7 qytete të tjera të vendit.
Të ardhurat e familjeve
Një kusht tjetër për marrjen e kredisë janë të ardhurat e familjes që kërkon kredinë. Në tabelën më poshtë janë të dhënat për nivelet minimale dhe maksimale për përfitimin e kredisë. Sidoqoftë, Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve sqarojnë se kushti i të ardhurave mund të jetë edhe pjesë e diskutimit me BKT, sigurisht në vlerën e ulët të tyre. Të ardhurat kanë një nivel maksimal, në mënyrë që bashkitë të skualifikojnë ato familje që kanë të ardhura të mjaftueshme për të blerë vetë një apartament dhe mund të dalin nga lista e të pastrehëve. “Niveli maksimal i të ardhurave është kriter skualifikues nga ana e bashkive”.
Shpërndarja
Në total do të shpërndahen, do të kreditohen 800 apartamente, të cilat i përkasin 7 qyteteve. Në Tiranë 250, në Durrës 150, në Shkodër 150, në Kavajë 50, në Vlorë 75, në Korçë 75 dhe në Gjirokastër 50. Sipas vendimit, shpërndarja e numrit të apartamenteve sipas tipave është e përafërt.

Kushtet e kreditimit

Monedha e kreditimit: Lekë

Afati maksimal i kredisë:30 vjet

Norma e interesit:Bono Thesari 12 Mujore + 2.2% (nga të cilat, qytetari paguan vetëm 3%)

Komisioni i Angazhimit:1%

Mbulimi me kolateral:140%

Tabela me çmimet e apartamenteve dhe të ardhurat e familjeve

Në këtë tabelë çmimi i blerjes së apartamentit në tregun e lirë nuk mund të jetë më i lartë se ai i përcaktuar në kolonën 2. Parametrat e tjerë janë në vartësi të strukturës dhe sipërfaqeve korresponduese të apartamentit që do të gjejë familja në treg. Në rastin kur familja gjen një apartament me një strukturë më të vogël nga ajo që i takon, vlera korresponduese e kredisë i referohet vlerës faktike të apartamentit që gjen familja. Kështu nëse apartamenti që ajo ka gjetur në treg vlerësohet 3,500,000 lekë, ajo përfiton një kredi në masën prej 2,250,000 lekë. Cilat janë mundësitë e saj:
1- Familja vë në hipotekë apartamentin dhe përfiton një kredi prej 2,250,000 lekë;
2-    Familja vë në hipotekë një pasuri tjetër (p.sh. apartamentin e prindërve) më të lartë dhe përfiton një kredi në masën prej 3,000,000 lekë;
Kjo familje nuk mund të pretendojë për një kredi në masën që do ti takonte sikur të blinte një apartament me strukturë 2+1. Në të gjitha rastet masa e kredisë llogaritet si përqindje ndaj vlerës faktike të apartamentit të blerë në treg.
Niveli minimal i të ardhurave mujore të familjes është indikativ dhe është në vartësi të shumës së kredisë dhe kushteve specifike me të cilën negociohet me bankën. Kështu, nëse familja gjen një apartament me vlerë më të vogël nga kufiri maksimal i përcaktuar për vlerën e banesës, edhe niveli minimal i të ardhurave do të ulet.

Dokumentet që duhet të plotësojnë familjet për kredi

Përpara se të marrin kredi familjet e pastreha duhet të plotësojnë disa dokumente. Ministria e Transporteve ka publikuar të gjitha dokumentet, që duhet të plotësojnë familjet e pastreha, në mënyrë që të përfitojnë nga projekti i qeverisë për kreditimin e të pastrehëve. Së pari, duhet të jenë të pajisur me dokument identifikimi, fotokopje e pasaportës ose certifikatë personale e muajit të fundit për aplikantin dhe dorëzanësit (origjinale) ose fotokopje të kartës se identitetit ose të letërnjoftimit. Gjithashtu, pranë bankës duhet të dorëzohet certifikatë familjare për aplikantin dhe dorëzanësit (origjinale). Vërtetim nga Prokuroria dhe Gjykata, ku specifikohet që aplikanti nuk është në ndjekje penale pranë këtyre autoriteteve (origjinale). Vërtetim nga zyra e gjendjes civile mbi adresën e aplikantit dhe dorëzanësit. Familjet duhet të dorëzojnë edhe disa dokumente të tjera, ku vërtetojnë të ardhurat e tyre, pra që kanë mundësinë për të shlyer këstet mujore të kredisë. Konkretisht, dokumentacioni mbi të ardhurat ka të bëjë me vërtetim page dhe të tjera sipas rastit. Gjithashtu, përpara se të përfitojnë nga kredia me 3 për qind interes familjet e pastreha më parë duhet të dorëzojnë në bankën BKT edhe kontratën e shitblerjes, kontrate porosie ose kontratë sipërmarrje, të cilat duhet të jenë të noterizuara. Ndërsa dokumentet e kolateralit, që duhet të dorëzohen pranë bankës janë vërtetim hipotekar ose certifikatë pronësie, kartelë pasurie së paluajtshme, harta treguese e regjistrimit të pasurisë, origjina e fitimit të pronësisë. Pas kësaj do të kryhet dhe një raport vlerësimi i kolateralit ku klienti udhëzohet nga banka për plotësimin e këtij dokumenti, pas paraqitjes së gjithë këtyre dokumenteve të përmendura më lart. Gjithashtu, familja duhet të ketë edhe deklaratën për vërtetësinë e kushteve, që mbështesin nevojën për strehim të përcaktuar nga bashkia ose Këshilli i Ministrave. Projekti për kreditimin e familjeve të pastreha u bë i ditur vetëm pak kohë më parë nga vetë kreu i qeverisë Berisha, gjatë një mbledhje të Këshillit të Ministrave.

Shembulli për Tiranën

Për garsonierë

Vlera e apartamentit   
3,438,750 lekë
Kredia (60% e vlerës)
2,063,250 lekë
Pagesa (nga kursimet)
1,375,500 lekë
Kësti mujor (3% në vit)
8,698.75 lekë
Pagesa (pas 360 muajsh)
3,131,550 lekë

Për apartament 1+1

Vlera e apartamentit
4,093,750 lekë
Kredia (60% e vlerës)
2,456,250 lekë
Pagesa (nga kursimet)
1,637,500 lekë
Kësti mujor (3% në vit)
10,355.65 lekë
Pagesa (pas 360 muajsh)
3,728,034 lekë

Për apartament 2+1

Vlera e apartamentit
5,076,250 lekë
Kredia (60% e vlerës)
3,045,750 lekë
Pagesa (nga kursimet)
2,030,500 lekë
Kësti mujor (3% në vit)
12,841.00 lekë
Pagesa (pas 360 muajsh)
4,622,760 lekë

Për apartament 3+1

Vlera e apartamentit
6,550,000 lekë
Kredia (60% e vlerës)
3,930,000 lekë
Pagesa (nga kursimet)
2,620,000 lekë
Kësti mujor (3% në vit)
16,569.04 lekë
Pagesa (pas 360 muajsh)
5,964,854 lekë

Zhbllokohen legalizimet, Kuvendi ndryshon ligjin

bledar hoti

Kuvendi miratoi ndryshimin e ligjit të Legalizimeve, duke i dhënë të drejtën ALUIZNI-t që të marrë kompetencat e organeve të pushtetit vendor, në rast se ato nuk realizojnë brenda afatit detyrat e kërkuara. Një grup deputetësh të djathtë kanë paraqitur nismën për t’i kaluar kompetencat ALUIZNI-t nëse nuk realizohen afatet, duke e përcaktuar këtë me vendim të Këshillit të Ministrave. Nisma u votua dhe u miratua me 63 vota pro, 37 kundër dhe 4 abstenime. Pro kësaj nisme votuan dhe republikanët. Deputeti i PSD-së, Skënder Gjinushi deklaroi se “ky amendim është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, sepse duhej të paraqitej jo nga një grup deputetësh, por nga këshilli për Legjislacionin, për të plotësuar këtë vakuum ligjor”. “Ligji është një përpjekje e dytë për të tejkaluar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese. Ky është po aq antikushtetues seç ka qenë më parë, kur e votuat ju dhe që u kontestua nga ana e BE-së. ALUIZNI nuk është BE dhe Shaban Memia nuk është Barroso”, deklaroi Gjinushi. Ministri i Transportit, Sokol Olldashi ka kontestuar qëndrimin e mbajtur, duke u shprehur se nisma nuk ia merr kompetencat pushtetit vendor. “Nuk kemi asnjë prekje të kompetencave të pushtetit vendor, por kemi të bëjmë vetëm me riparimin e një defekti teknik të shkaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pra jo me thelbin e vendimit. Pra nuk prek as kompetencat e pushtetit vendor dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Olldashi. Ministri shtoi “ne kishim dy rrugë ose t’ja jepnin ALUIZNI-t kompetencat ose të prisnim pa fund pushtetit vendor për të realizuar këtë proces. Mendoj se e zgjidhëm këtë çështje më mirë. Në këto momente që flasim janë 15 mijë tapi të shpërndara, janë 6300 pallate të dhëna dhe janë 130 mijë të tjera që po presin të mbyllim. Çdo përpjekje për të ndaluar një gjë të tillë është vetëm për të bllokuar procesin e legalizimit”. Ndërsa Braho, theksoi se nisma e propozuar është ligjërisht e gabuar dhe bie ndesh me Kushtetutën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›