E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, vendimet e kryetarit duhet të kundërfirmohen

Vendimet administrative
të titullarit të Komisionit
Qendror të Zgjedhjeve
do duhet me patjetër të
jenë konsensuale. Thënë ndryshe,
shkresat e kryetarit do duhet
detyrimisht të kundërfirmohen
nga nënkryetari. Nëse diçka e tillë
nuk ka ndodhur, ky dokument cilësohet
juridikisht i pavlefshëm. Në
nenin 20 të Kodit të ri Zgjedhor
sqarohen të drejtat dhe detyrat e
kryetarit e zëvendëskryetarit të
KQZ-së. Kryetari ka këto kompetenca:
a) drejton mbledhjet e KQZsë
dhe përfaqëson KQZ-në në
marrëdhënie me institucionet e
tjera; b) kryen funksionet e drejtuesit
administrativ të institucionit.
Në zbatim të kompetencave, sipas
kësaj germe, kryetari i KQZ-së
nxjerr urdhra të brendshëm vetëm
në bazë dhe për zbatim të vendimeve
të KQZ-së. Sakaq, zëvendëskryetari
i KQZ-së kryen
detyrat e kryetarit në mungesë të
tij. Ligji i ri zgjedhor parashikon që
kryetari i ushtron kompetencat në
bazë të shkronjës "a" të pikës 1 të
këtij neni, së bashku me zëvendëskryetarin.
Të gjitha aktet e
nxjerra në bazë të germës "b" të
pikës 1 të këtij neni nënshkruhen
edhe nga zëvendëskryetari, përndryshe
janë të pavlefshme. "Bëjnë
përjashtim rastet kur kryetari ose
zëvendëskryetari nuk ushtrojnë
funksionet për arsye objektive",
thuhet në Kodin e ri Zgjedhor. Kryetari
dhe nënkryetari, sipas formulimit
ligjor, i përkasin forcave të
ndryshme politike. KQZ-ja zgjedh
si zëvendëskryetar një nga
anëtarët e KQZ-së, të zgjedhur mbi
bazën e propozimit të partisë më
të madhe të opozitës parlamentare.
Në rastin konkret, zëvendëskryetari
do të zgjidhet njëri
prej dy emrave që do të propozojë
Partia Socialiste në Komisionin
Qendror të Zgjedhjeve. Mbledhja
për zgjedhjen e zëvendëskryetarit
kur mungon kryetari, drejtohet
nga anëtari më i vjetër në moshë i
KQZ-së dhe procedura e zgjedhjes
zhvillohet në prani të një noteri.
Kryetar i KQZ-së zgjidhet jo më
vonë se 7 ditë, pasi të ketë përfunduar
procedura e zgjedhjes së
anëtarëve të KQZ-së. Grupi parlamentar
i partisë më të madhe të
shumicës parlamentare i paraqet
Kuvendit një listë prej jo më pak se
katër kandidaturash. Grupi parlamentar
i partisë më të madhe të
opozitës parlamentare përzgjedh
dy nga katër kandidaturat e propozuara.
Emrat kalojnë për votim
dhe kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati
që merr më shumë se
gjysmën e votave të deputetëve të
Kuvendit. Sipas Kodit të ri Zgjedhor,
2 anëtarë propozohen nga
partia që ka numrin më të madh të
vendeve nga partitë e shumicës
parlamentare dhe 2 anëtarë nga
partia e opozitës parlamentare, që
ka numrin më të madh të vendeve
në Kuvendin e Shqipërisë. Anëtari
i pestë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura
të propozuara nga
grupime deputetësh të partive të
shumicës parlamentare, përjashtuar
partinë më të madhe të
grupimit të shumicës. Anëtari i
gjashtë i KQZ-së zgjidhet nga kandidatura
të propozuara prej
grupime deputetësh të partive të
opozitës parlamentare, përjashtuar
partinë më të madhe të
opozitës. Grupimi propozues
paraqet një listë me jo më pak se
dy kandidatura për vakancën
përkatëse. Kuvendit i paraqitet
për votim lista e kandidatëve që
ka siguruar numrin më të madh të
nënshkrimeve mbështetëse të
deputetëve të grupeve respektive
parlamentare të shumicës
dhe opozitës parlamentare, përfshirë
edhe deputetët e dy partive
më të mëdha të secilit grupim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›