E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi nderon Nikoll Lesin dhe Karlo Bolinon

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi
dje me "Medaljen e Mirënjohjes" dy nga
përfaqësuesit më të njohur të medias në
vend, përkatësisht Nikollë Lesin, themeluesin
dhe drejtuesin e gazetës së parë të pavarur në vend,
"Koha Jonë", si dhe Karlo Bolinon, gazetarin italian nga
rajoni i Pulias, i cili drejtoi të përditshmen "Gazeta Shqiptare",
e para që solli përvojën e medias së shkruar
perëndimore në Shqipëri. Presidenti nderoi gjithashtu
edhe grupin mediatik EDISUD, i cili përveç së
përditshmes "Gazeta Shqiptare", zotëron disa media
të njohura në jugun e Italisë. Presidenti i Republikës
i dorëzoi përfaqësuesit të EDISUD SH.A., Xhuzepe
Orsino "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin:
"Për kontributin e dhënë në median shqiptare në informimin
publik, si një faktor i rëndësishëm për zhvillimin
dhe progresin e demokracisë në Shqipëri"; Karlo
Bolinos i dorëzoi "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin:
"Për kontribut në krijimin dhe zhvillimin e
mediave në Shqipëri, si një faktor i rëndësishëm për
zhvillimin dhe progresin e demokracisë" dhe zotit Nikollë
Lesi "Medaljen e Mirënjohjes" me motivacionin:
"Themeluesit të gazetës së parë të pavarur në Shqipëri,
‘Koha Jonë‘, nga dyert e së cilës dolën shumë
gazetarë e drejtues të medias së sotme, duke u kthyer
jo vetëm në tribunë të fjalës së lirë, por edhe në shkollë
të medias së shkruar shqiptare". Pas marrjes së
medaljes, përfaqësuesi i EDISUD SH.A., Orsino, u
shpreh: "Dua të falënderoj Presidentin për dhënien
e kësaj medaljeje. Prezenca jonë në Shqipëri besoj se
ka qenë gjithmonë shumë e kujdesshme për të ruajtur
aktivitetet tona botuese në lidhje me territorin.
"Gazeta Shqiptare", "News 24", radio "Rash" dhe "Balkanweb"
dhe besoj se është dëshmitarja e lidhjes me
territorin. Ne jemi botues të pastër, kemi mbetur të
pakët në Itali dhe nuk kemi interesa përtej asaj të botimeve.
Jemi në dispozicion të qeverisë shqiptare dhe
të Presidentit për aq sa mund të bëjmë". Ndërsa Karlo
Bolino theksoi: "Unë dua ta falënderoj zotin President,
se ky është një nder shumë i madh për mua
që kam jetuar në Shqipëri për shumë vjet, ndërsa
kam një eksperiencë shumë të gjatë në gazetari, 18
vjet përpara, pra në moshën e demokracisë shqiptare".
Themeluesi i gazetës së parë të pavarur në
vend, e cila bëri epokë në Shqipëri si kritikuese e abuzimeve
të pushtetit, gazetarët e së cilës shumë herë
u ndoqën dhe u keqtrajtuan nga pushteti, e ka ndarë
çmimin që iu dha me kolegët e tij. Nikollë Lesi theksoi
pas dekorimit, se "së pari më lejoni të falënderoj
Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, për
nderin që më bëri! Së dyti, kjo dekoratë është jo
vetëm e imja, por është e gjithë brezit të gazetarëve
që punuan pas viteve ‘90, ose në fillim të viteve ‘90
më saktë, që punuan me pasion, me idealizëm dhe
me një kurajo të jashtëzakonshme civile".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›