E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të aplikosh për subvencion

29/04/2011  Rreth 70 për qind e vlerës merret menjëherë pas mbjelljes, pjesa tjetër pas afro dy muajsh

Gjatë 2010-ës kanë përfituar 8 500 fermerë në Fier, Elbasan, Shkodër e Berat

Shtohet numri i fermerëve që kërkojnë të përfitojnë nga fondet e subvencioneve të shtetit për këtë vit. Numri i kërkesave të paraqitura janë rreth 80 për qind më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa afatet për aplikim janë të ndryshme sipas fushave që kërkohet mbështetje financiare. Drejtori i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Gjok Vuksani, thotë se fermerët duhet të tregohen të kujdesshëm me dokumentacionin që paraqesin pranë drejtorive bujqësore të zonave të tyre për të përfituar nga grantet e qeverisë.

Interesi në rritje

Që nga fillimi i këtij viti e deri më sot është rritur me 80% numri i fermerëve që aplikojnë për subvencione. Politikat e shtetit për të mbështetur industritë agropërpunuese synojnë të mos dëmtohen produktet e fermerëve, në mënyrë që të jenë gjithnjë të gatshme për të dalë në tregun vendas dhe atë të huaj. Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural aktualisht ofron mbështetje përmes subvencionit në masën 70% të normës së interesit për 5 vite radhazi për kreditë deri në 25 milionë lekë, që do të merren për aktivitete si ruajtja dhe përpunimi i produkteve bujqësore, blegtorale dhe kërpudhës, mjete mekanike bujqësore, agregate dhe tank ftohës për qumështin, si dhe peshkimi dhe përpunimi i produkteve ujore. Gjithashtu këtë vit është parashikuar krijimi i një fondi garancie për kreditimin e aktivitetit bujqësor të agroindustrisë, si dhe atyre të orientuara për eksport, për kreditë, në masën 50% të vlerës së principalit të kredisë. Garancia bëhet për kreditë deri në 25 milionë (njëzet e pesë milionë) lekë.

Përfitimi

Fermeri paguhet 70 për qind të vlerës së subvencionit menjëherë pas mbjelljes dhe pjesën tjetër e përfiton pas afro dy muajsh. Sipas tij, qeveria ka vendosur që të mbështesë fermerët shqiptarë edhe me forma të tjera veç granteve të dhëna. Sipas Vuksanit, prodhimi vendas dhe eksporti i tyre do të vazhdojnë të rriten, pasi politikat e ndërmarra nga qeveria u japin avantazh produkteve autoktone, duke i bërë më konkurruese në tregjet e huaja. Aktualisht, statistikat zyrtare tregojnë për një numër prej rreth 8 500 fermerësh, të cilët kanë përfituar gjatë vitit 2010 nga subvencionet e shtetit për mbjelljen e drurëve frutorë, për zhvillimin e teknologjive të ujitjes, për prodhimet në sera, prodhimin e qumështit, mjaltit, vajit të ullirit. Shumica e subvencioneve janë shpërndarë në qarqet e Beratit, Fierit, Shkodrës dhe Elbasanit.

Kredi

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural mbështet fermerët shqiptarë në marrjen e kredive nga bankat e ndryshme që ofrojnë këto programe deri në 25 milionë lekë. Politikat e qeverisë japin avantazh për produktet autoktone, duke i bërë më konkurruese në tregjet e huaja.

Përfituesit

Sipas statistikave zyrtare, gjatë vitit 2010 kanë përfituar rreth 8 500 fermerë nga subvencionet e shtetit për mbjelljen e drurëve frutorë, për zhvillimin e teknologjive të ujitjes, për prodhimet në sera, prodhimin e qumështit, mjaltit, vajit të ullirit.

Tabelë

Subvencionet për fermerët

1. 350 mijë lekë për çdo ha tokë të mbjellë me dru frutorë dhe arrorë

2. 200 mijë lekë blerje plasmasi për çdo ha të mbjelljes me serë

3. 70 mijë lekë/fermë për prodhimin e produkteve bio nga bimët e kultivuara

4. 100 lekë/litër vaji ulliri nëse prodhon më shumë se 15 ton në vit

5. 600 lekë për koshere blete për jo më pak se 50 koshere blete

6. 1 200 lekë/kv për grumbullimin e gështenjës

7. 10 lekë/litër qumësht për fermat blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 10 krerë lopë

Afatet e aplikimit

15 shtator – 30 tetor 2011 Për prodhimin e vajit të ullirit extra i virgjër

1 prill - 30 tetor 2011 Për prodhimi i produkteve bujqësore BIO

1 korrik -31 korrik 2011 Për blerjen e plastmasit, mbjelljet e dyta (domate, trangull, pjepër)

1 maj - 30 qershor 2011 Pagesa me 10 lekë/litër qumësht për fermat blegtorale

1 maj - 30 qershor 2011 Për koshere blete

1 korrik - 20 gusht 2011 Për gështenjat

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›