KQZ vendos sot lidhur me propozimin për rivotim
PRISHTINE- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mblidhet sot për të vendosur rreth propozimit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për përsëritjen e balotazhit për kryetarë të komunave Prizren, Gjilan dhe Lipjan."KQZ ja ka marrë vendimin e KZAP-it, është njoftuar me vendimin rreth përsëritjes së zgjedhjeve në këto tri komuna. E kemi analizuar, e kemi shqyrtuar; ka mbetur që edhe një herë, të hënën, të ulemi dhe të shohim se çka do të bëhet më tutje", ka thënë kryeshefi i KQZ-së, Xhemail Peçani.Edhe dy partitë kryesore politike LDK dhe PDK u dakorduan me propozimin e KZAP-it për përsëritjen e votimeve në tri komuna, për shkak të parregullsive që u vunë re në raundin e dytë të zgjedhjeve.Në të tri komunat: Prizren, Gjilan e Lipjan, konkurruan Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka mbajtur të shtunën një seancë, ku ka shqyrtuar 43 ankesa, që kanë të bëjnë me parregullsi, siç thuhet, të pretenduara, lidhur me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të mbajtur më 13 dhjetor.Pas shqyrtimit të këtyre ankesave është udhëzuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përsëriten votimet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan.(s.g/Telegrafi/BalkanWeb)