E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa pika mbi i-të e Lubonjës

• Eduard ZaloshnjaNë një artikull të titulluar  “Brenda çorbës”, Fatos Lubonja bën një gjë që ai rrallë e ka bërë në artikujt e tij - analizon atë që është dhe jo atë që duhet të jetë. Këtë Lubonja e bën duke pranuar se fatet e politikës sonë do varen edhe për një kohë nga kjo klasë politike dhe jo nga një klasë e re që ai shpreson të lindë eventualisht. Pra, po të përdorim metaforën e vezës së patës që nuk mund të dalë nga prapanica e pulës, Lubonja e fokuson analizën e tij të fundit në rritjen e madhësisë së vezës që mund të na nxjerrë pula politike e sotme shqiptare dhe jo në vezën e një pate të nesërme politike.Pasi kritikon “fenomenin demokristian”, sipas të cilit një grup deputetësh bëhen bashkë në një parti fantazmë dhe shantazhojnë rënien e qeverisë po nuk morën përfitimet e tyre personale, apo fenomenin “Xhuveli”, sipas të cilit liderët e një partie të vogël që marrin votën në emër të një koalicioni bëhen pjesë e koalicionit tjetër kundërshtar, Lubonja argumenton se ligji elektoral duhet të ndërtohet në mënyrë të tillë që të mbahet parasysh nevoja e ekzistencës së partive të vogla përfaqësuese, si instrumente që rrisin jo vetëm shkallët e lirisë, por edhe mundësitë e përfaqësimit e të ndryshimit të realiteteve në vend.Por le të shohim se ç’pjesë të elektoratit përfaqësojnë partitë e vogla krahasimisht me përgjegjësitë që ato kanë marrë deri më sot në qeverisje. Partitë e vogla të djathta që janë aktualisht në qeverisje, të marra së bashku, nuk përfaqësojnë më shumë se 15% të elektoratit, por ministritë që ato drejtojnë kanë në vartësi 60% të punonjësve buxhetorë të vendit. Kjo statistikë mjafton për të ilustruar përmasën sasiore të honit të madh që ndan përfaqësimin e partive të vogla nga përgjegjësitë e tyre në qeverisje. Ndërsa për të ilustruar përmasën cilësore të këtij honi mjafton vetëm shembulli i Partisë Ambientaliste të Xhuvelit. Në debatin e gjatë për ndërtimin e Petroliferës dhe TEC-it në Vlorë, i vetmi që praktikisht nuk ka thënë ndonjë fjalë me peshë është Xhuveli, dora vetë. Dhe mos të harrojmë që ai ka qenë ministër edhe në qeverinë Nano, e cila e filloi procesin e ndërtimeve energjetike në Vlorë.Mendja ta do se Lubonja, kur ka folur për parti të vogla përfaqësuese, nuk ka patur parasysh parti si PAA, PDK, PDR, PLD, PSD, PDS e AD. Sepse ato sot përfaqësojnë vetëm interesat e udhëheqësve të tyre për karrige ministrore dhe të pasuesve të tyre për poste në administratën shtetërore. Dhe meqë Lubonja nuk i vuri pikat mbi i kur përmendi “partitë e vogla përfaqësuese”, le të shohim se cilat nga partitë shqiptare mund të quhen të tilla.  Në kampin e majtë, LSI-ja është padyshim një parti e vogël përfaqësuese nga pikëpamja sasiore. Në dy zgjedhjet e fundit, ajo ka demonstruar se përkrahet nga të paktën 8% e elektoratit (përdorimi i fjalës “të paktën” lidhet me faktin se LSI-së iu vodhën votat nga dy partitë e mëdha, sidomos në 2005). Nga pikëpamja cilësore, ajo ka përfaqësuar deri më sot atë pjesë të elektoratit të majtë që ishte lodhur nga arroganca dhe papërgjegjësia e grupit udhëheqës të PS-së. Dhe pavarësisht se pas ndryshimit të atij grupi udhëheqës me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS-së, kanë ekzistuar më shumë gjëra që e bashkojnë LSI-në me partinë mëmë se sa e ndajnë, futja e LSI në Kuvend me një grup të fuqishëm parlamentar i bën mirë demokracisë së re shqiptare. Dhe kjo vlen si për rastin kur futja e LSI-së do bëhet në koalicion me PS-në, ashtu edhe sikur të futet më vete. Disa politikanë cilësorë që Meta, me forcën e personalitetit të tij, ka arritur t’i tërheqë në grupin drejtues të LSI-së, thjesht do rrisin cilësinë e debatit parlamentar dhe të ligjeve që do dalin prej tij. Nga ana tjetër, synimi pothuaj i shpallur i Metës për postin e kreut të qeverisë do shërbente si një kundërpeshë balancuese në rast se Rama do zgjidhej Kryeministër.  Duke kaluar në kampin e djathtë, vetëm Partia Republikane mund të quhet parti e vogël përfaqësuese. Kjo, si nga pikëpamja sasiore, ashtu edhe cilësore. Vërtet PR-ja nuk ka përkrahjen e të paktën 8% të elektoratit si LSI-ja, por ajo ka patur shifra të qëndrueshme në 17 vjetët që nga krijimi i saj, të cilat e vendosin pak a shumë në kuotat e 4-përqindëshit. Dhe pavarësisht se identifikohet në publik vetëm me çështjen e pronave - gjë që e bën, siç thotë edhe Lubonja, të ngjasojë me një shoqatë pronarësh - PR ka demonstruar në vite se ka bërë një oponencë parimore ndaj PD-së për një sërë çështjesh, e jo thjesht shantazh për karrige pushtetore. Për këtë arsye, një sistem zgjedhor që do e linte jashtë Kuvendit PR-në, do hiqte mundësinë për të vetmen oponencë të djathtë ndaj PD-së, të cilën publiku nuk do e skontonte thjesht si shantazh.Në qendrën e spektrit politik shqiptar, qëndron PBDNJ-ja, e cila si nga pikëpamja sasiore edhe cilësore përfaqëson minoritetet etnike në Shqipëri. Në një vend me demokraci të pjekur, ekzistenca e një partie politike të tillë nuk do kishte kuptim; shoqata për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve po.  Sidoqoftë ne jetojmë në Ballkan, ku edhe demokracia më e zhvilluar e gadishullit - ajo greke - nuk mund të quhet akoma një demokraci e pjekur. Për këtë arsye, në një mënyrë ose një tjetër, do detyrohemi t’i vëmë edhe kësaj radhe një vegjë sistemit zgjedhor, në mënyrë që e keqja e domosdoshme PBDNJ të rifutet në Kuvend.Por a ekziston rreziku që LSI-ja dhe PR-ja të mbesin jashtë Kuvendit me sistemin që duan të zbatojnë dy partitë e mëdha, rrezik të cilit i trembet me të drejtë Lubonja në artikullin e tij? Në qoftë se presupozohet se do përsërisin kuotat që kapën në zgjedhjet lokale të 2007-ës dhe se do dalin më vete në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, LSI dhe PR mund të fitojnë nga 11 e 4 deputetë secila me sistemin spanjoll - sistem ky i propozuar nga PS e PD. Ndërsa partitë e tjera, në qoftë se nuk do bëhen pjesë e konfederatave të udhëhequra nga partitë e mëdha, thjesht do mbeten në apartamentet që kanë marrë me qira për zyra…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›