E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT-ja e Durrësit miraton landfilldin e Porto Romanos



Mbledhja e KRRT-së së Bashkisë në Durës, ka arritur të miratojë dhjetëra leje për ndërtimin e pallateve dhe më kryesorja, lejen e ndërtimit të landfilldit në të cilin do të groposen mbetjet kimike të Porto Romanos. KRRT-ja e Bashkisë së Durrësit miratoi lejen e ndërtimit për ndërtimin e kapsulës së izolimit të këtyre mbetjeve në mbledhjen e saj të radhës, e cila ishte kërkuar nga ana e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Në këtë mbledhje u miratuan edhe një numër lejesh dhe sheshesh ndërtimi, kryesisht për pallate dhe për godina, të cilat do të përdoren për banim dhe për biznese të ndryshme nga ana e subjekteve aplikuese. KRRT-ja miratoi lejen e ndërtimit të kërkuar nga ana e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për ndërtimin e kapsulës së izolimit (landfild) të mbetjeve kimike në Porto Romano. Ajo do të realizohet nga njësia e menaxhimit të projektit në kuadrin e programit për “Menaxhimin e integruar të Zonës Bregdetare në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit”. Landfilldi do të shtrihet në një sipërfaqe prej 4 hektarësh dhe në të do të groposen mbeturinat të cilat gjenden në katër zona të nxehta. Respektivisht, ato janë zona e squfurit, zona e linden/dikromatit, zona e hedhurinave dhe zona e depozitimit të hedhurinave. Ky është një projekt që do të mbulohet nga vetë kjo ministri dhe që do ta kapë shumën e 4 milionë dollarëve. KRRT-ja miratoi edhe kërkesën e APD-së për ndërtimin e një ndërtese dykatëshe pranë hyrjes nr. 2 të portit. Ajo do të shërbejë si pikë kontrolli për të gjitha mjetet që do të hyjnë dhe dalin nga porti i Durrësit. Në zonën e Plazhit, edhe pse ka dhjetëra e dhjetëra apartamente të pashitura, përsëri në bashki vazhdojnë të depozitohen kërkesa për ndërtime të reja. KRRT-ja miratoi 9 leje për ndërtime pallatesh të cilat do të ndërtohen kryesisht në zonën e Plazhit si dhe në disa lagje të qytetit të Durrësit, të cilat bëjnë pjesë në zonën B të qytetit. Në këtë territor lejohet ndërtimi i pallateve. Janë 5 pallate që do të ngrihen në lagjen 13, Plazh dhe 4 të tjera në disa lagje të qytetit. Pallatet e Plazhit variojnë nga 5 deri në 9 kate, ndërsa ato nëpër lagje shkojnë deri në 13 kate. KRRT-ja miratoi edhe 20 leje për sheshe ndërtimi. Prej tyre 16 janë për pallate dhe 4 për objekte me karakter biznesi. Për t’u kthyer në leje ndërtimi, subjektet do të presin mbledhjen e ardhshme të KRRT-së. Mbledhja e fundit e KRRT-së i ka hapur fronte punë biznesit të ndërtimit, i cili ka nisur të marrë frymë që pas zhvillimit të 2 mbledhjeve të shkuara në të cilat u miratuan 29 leje për ndërtime pallatesh. Ndërkohë, edhe në mbledhjen e saj, KRRT-ja nuk i kishte futur fare në rendin e ditës kërkesat për leje ndërtimi dhe leje sheshesh në zonën A të Durrësit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›