E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet shkelja, Rama nuk ka Plan Rregullues për Tiranën

/>Kryeministri nxjerr "pa dashje" shkeljen ligjore të kryebashkiakut, që jep leje ndërtimi pa fund pa pasur planin urbanistik të miratuar
Përplasje e re Qeveri Bashki, pasi kryeministri ka bërë publik faktin që bashkia e Tiranës nuk ka bërë Planin rregullues të Tiranës. Në mbledhjen e djeshme të KRRTRSH-së, Kryeministri Berisha i kërkoi Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama që të finalizojë sa më shpejt planin urbanistik të kryeqytetit, sepse po tejkalohet çdo lloj limiti kohor. Bie poshtë kështu aksioni propogandistik i kryebashkiakut Rama që ekspozonte planin e kryeqytetit lagje më lagje. I zënë ngushtë nga kritikat e medias dhe të shoqërisë civile se po jepte leje ndërtimi mbi zonat e gjelbra të liqenit dhe mbi anekset e stadiumeve, Rama doli me disa skica që miratonin lejet e tij të ndërtimit në shkelje të ligjit të Urbanistikës.
Apel Ramës për planin e Tiranës
Dua ti bëj thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës të finalizojë sa më shpejtë planin urbanistit ë kryeqytetit sepse po tejkalohet çdo lloj limiti kohor. Çdo lloj shtyrje është shumë e dëmshme për kryeqytetin. Unë e kuptoj që llokmat të gozhdojnë, sepse nuk mund të ketë ndonjë arsye tjetër, por ai plan duhet të bëhet, u shpreh Kryeministri Berisha. Kryeministri Berisha u shpreh se miratimi i planit është në interesin më të mirë të qytetit të Tiranës. "Ligji i ri i urbanistikës i votuar në Kuvend e redukton në 45 ditë kohën e marrjes së lejeve të ndërtimit, duke e shoqëruar me parimin 'heshtja është miratim'. Dhe në qoftë se nga e gjithë kjo ka pasoja, me të gjitha pasojat përballet ai që nuk u shpreh, u shpreh Kryeministri. Në reagimin e saj Bashkia e Tiranës tha se është në diskutim e sipër të Planit Rregullues të kryeqytetit dhe se gjithçka ishte duke shkuar mirë. Por në këtë deklaratë nuk u theksua ndonjë afat, apo se në cilën fazë ndodhej ky plan. Pjesë e debateve mes bashkisë dhe qeverisë, së fundi është bërë edhe Unaza e Madhe, për të cilën Ministria e transportit kërkon të financojë vetë projektin. Qeveria akuzon bashkinë se është e paaftë të sigurojë kredi për këtë rrugë të nevojshme për lehtësimin e trafikut të rënduar.  
Ligji i ri i urbanistikës
Gjithnjë në të njëjtën linjë, duke aluduar kundër kryebashkiakut Rama, për lejet e ndërtimit të dhëna pa transparencë, Berisha u ndal edhe të Ligji i ri Urbanistikës. Kryeministri Berisha kërkoi që KRRTRSH të mbetet dhe me ligjin e ri të urbanistikës për shkak të transparencës që krijojnë mbledhjet e KRRTRSH-së. Për shkak të transparencës që mbledhja e KRRTRSH-së ka mundësi të krijojë, ky institucion do të mbetet edhe në ligjin e ri të urbanistikës. Ligji i ri i urbanistikës parashikonte një formë tjetër, në vend të KRRTRSH-së këto atribute ia jepte Këshillit të Ministrave. Mirëpo Kushtetuta e Shqipërisë është taksative në detyrimin e mbledhjeve të mbyllura të qeverisë. Por, të diskutohen çështje të territorit pa praninë e grupeve të interesit, pa praninë e shoqatave dhe aktorëve të tjerë, ky proces dëmtohet dhe në vend që të rritej transparenca, shkohej në kah të kundërt, u shpreh Kryeministri. Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se ka kërkuar nga Ministri i Punëve Publike që KRRTRSH-ja të mbetej siç është aktualisht dhe është kërkuar që të pranishëm në këto mbledhje të jenë edhe përfaqësues të shoqatave të qeveritarëve vendor, shoqatave të bashkive, komunave dhe shoqatave të qarqeve. Kjo e rrit transparencën e këtij forumi, të cilin mendoj që duhet ta mbajmë kështu siç është aktualisht", u shpreh Kryeministri Berisha

*****************************************
Vendimet e Këshilli i Rregullimit të Territorit
- Detyra e Projektimit për Planin e Përgjithshëm Rregullues të Qytetit të Peqinit
- Detyra e Projektimit për studimin turistik të plazhit të Divjakës
- Projektidea e objektit Studim Fizibiliteti dhe Projektzbatimi i rrugës Lushnjë-Berat
- Projektidea e rrugës që lidh rrugën Transballkanike në qytetin e Vlorës me superstradën Fier-Vlorë
- Detyra e projektimit, studimi urbanistik pjesor dhe Sheshi i ndërtimit për objektin Pika e Kalimit kufitar në Qafë-Botë, Konispol.
- Studim urbanistik për objektin Kompleks blegtoral për rritje viçash në fshatin Shënepremte, Komuna Tërbuf.
- Shesh dhe leje ndërtimi për objektin Dallgëthyese i portit të shkarkimit të lëndëve djegëse ( të lëngëta dhe të gazta) në Porto Romano- Durrës, për shoqërinë Romano Port.
- Plani i përgjithshëm për vendosjen e kompleksit të hidrocentraleve të Tërnovës dhe Zall Bulqizës dhe sheshet e ndërtimit të tyre.
- Studimi urbanistik pjesor dhe shesh ndërtimi për objektin Hidrocentrali i Sasajt në Komunën Lukovë, për shoqërinë Energo SAS.
- Studim urbanistik pjesor për Zonë tregtare me sipërfaqe 18.6 ha në territorin brenda studimit urbanistik të zonës në perëndim të qytetit të Tiranës, miratuar nga KRRTRSH me vendim nr. 1 dt. 01.06.2006.
- Ndryshim në Planin rregullues të qytetit të Tiranës në lidhje me zonimin funksional të zonës prioritare D1, pranë Stadiumit Qemal Stafa.
- Ndryshim në Planin Rregullues të qytetit të Tiranës, për zonën B me sipërfaqe 4.3 ha, nga Zonë e veçantë sipas Planit Rregullues, në Zonë banimi.
- Studim urbanistik pjesor me vila individuale- Lundër
- Studim urbanistik pjesor zona B, Komuna Kashar
- Ndryshim në studimin urbanistik të qendrës së qytetit të Elbasanit dhe në Rregulloren për zbatimin e tij, të miratuar nga KRRTRSH përkatësisht me vendimet nr.1 dt.18-12-2004 dhe nr.8 dt.07-05-2005.
- "Rishikim i studimit urbanistik dhe lejes së ndërtimit për objektin Fshat turistik nr. 5 në zonën turistike të Gjirit të Lalzit me investitor shoqërinë Lura sh.p.k."
- "Studim urbanistik pjesor për Zonën komerciale dhe rekreative në fshatin Lundër në Komunën Farkë në Qarkun e Tiranës."
- "Studim urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 23,44 ha në fshatin Selitë-Komuna Farkë, në sektorin A3."
- "Studim urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 19.73 ha në fshatin Selitë-Komuna Farkë, në sektorin A4."
- "Studim urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 25,26 ha në fshatin Selitë-Komuna Farkë, në sektorin A5."
- "Studim urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 27, 23 ha në fshatin Selitë-Komuna Farkë, në sektorin A6. "
-" Studim urbanistik pjesor në territorin me sipërfaqe 8.8 ha në fshatin Mjull-Bathore- Komuna Farkë"
- "Detyra e projektimit për zonën turistike nr.4 Llogara."

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›