E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i Ri Rregullues e Edi Ramës masakron përfundimisht rrjetin rrugor të Tiranës

>Nga Ilir SOPOTI
Vijon
Siç mund të shikohet nga rregullorja e Urbanistikës, ka disa lloje gjelbërimi me treguesit e përcaktuar për tu zbatuar dhe me m2/banorë të një lloj gjelbërimi nuk mund të zëvendësohet gjelbërimi i parkut brenda qytetit, gjelbërimi i zonës së banuar dhe nuk mund të mashtrohet me pemë të mbjella anës rrugëve dhe Lanës që përsëri janë një lloj tjetër gjelbërimi. Le të shikojmë masakrën që i bëhet  rrjetit rrugor të Tiranës të parashikuar në planin rregullues në fuqi 1989 duke parë rrjetin anarkik që e ka zëvendësuar në planin rregullues të parashikuar. Së pari duhet të them se kushdo qoftë nuk mund ta ndryshojë rrjetin rrugor të parashikuar në Planin Rregullues të Tiranës 1989 mbasi ai ka qenë një dokument tekniko-ligjor që është zbatuar deri tani dhe në bazë të tij janë dhënë lejet e ndërtimit të pallateve dhe objekteve të tjera dhe disa pronarëve iu është mohuar ndërtimi mbasi aty kalonte rrjeti rrugor. Pra deri tani ka pasur një ligj, një rregull, që nuk mund të shkelet dhe sipas tij duhet të vazhdohet sepse ndryshe se merr vesh i pari të dytin dhe këto rrugë mund të ndryshohen ose hiqen nga plani rregullues vetëm për arsye korruptive.
Askush deri më sot nuk ka guxuar të japë leje në kundërshtim me atë plan rregullues veçanërisht për rrjetin rrugor ndoshta me përjashtim të ndonjë rruge në ish- fushën e Aviacionit. Vetëm me planin francez të qendrës u bënë dy-tre ndryshime të rrjetit rrugor për të ndërtuar aty ndërtesa pavarësisht se rrugët janë pronë publike. Nëse do të hiqej dorë nga ndërtimi i rrugëve për shkak të vështirësive për të bërë shpronësimin, atëherë na mori lumi. Nga njëra anë parashikohen dhe miratohen leje për ndërtime gjithnjë e më të larta në Tiranë në një kohë kur në rregullore dhe ligje mungojnë rregullat për këto ndërtime dhe nga ana tjetër hiqen rrugë, ngushton rrugë, devijon rrugë, lihen zona të tëra pa rrugë?
Duket sikur ky plan rregullues nuk është gjë tjetër vetëm se një shartim i një pjesë të planit rregullues 1989 me pjesën më të madhe të planit të ashtuquajtur Strategjik të Tiranës së Madhe, të hartuar 3-4 vjet më parë dhe që me sa thuhet nuk është miratuar akoma. E ashtuquajtura strategji e atij plani ishte të mos bëheshin rrugë të gjëra, të mos bëheshin pjesë të unazave të Tiranës me pretendimin se në botë sado që i kanë zgjeruar rrugët nuk kanë gjetur zgjidhje sepse përsëri ka pasur bllokim trafiku (traffic jam) etj. Prandaj këshilla e tyre ishte ecni me biçikleta, lini rrugë atje ku ka ecur gomari pa asnjë lloj planifikimi urban etj). Qëllimi i vërtetë i atij plani ishte të mos prisheshin zona të tëra me ndërtime pa leje dhe nga ata që kishin ndërtuar pa leje pastaj të vuanin të gjithë qytetarët e Tiranës dhe i gjithë kryeqyteti i Shqipërisë në të sotmen dhe në të ardhmen.
Rrugët e Planit Rregullues të Tiranës 1989 që janë hequr ose ndryshuar janë: 1- Siç e shpjegova edhe më parë, është hequr rruga e Planit Rregullues që nis nga rruga Punëtorët e Rilindjes (sot rruga presidenti Xhorxh Bush) dhe mbaron në sheshin Avni Rustemi që duhet të ishte një qendër tjetër. Po kështu është hequr vazhdimi i kësaj rruge deri në nyjen ku takohet me rrugën e Dibrës. Pjesa e parë e kësaj rruge është hequr me sa duket me pretekstin se Rruga Murat Toptani u kthye në rrugë këmbësore. Por kjo nuk mjafton për ta hequr si rrugë për arsye se kjo ka qenë e planifikuar në Plan Rregullues që në vitin 1940 e ndoshta edhe më parë dhe është marrë parasysh në dhënien e lejeve të ndërtimit vazhdimisht, duke mjaftuar të përmendim dy pallate të ndërtuar në rrugën Xhorxhi Martini pranë ish- shkollës pedagogjike nga 10 kat (Colombo 2 dhe një firmë tjetër), për arsye se kjo rrugë do të shfryjë drejt sheshit Avni Rustemi një pjesë të trafikut qe vjen nga rruga e Elbasanit dhe do të sjellë trafik nga rruga Hoxha Tahsim që do të zgjerohet dhe rruga tjetër e pazarit të ri që nuk ka pse të hiqet. Po kështu kjo rrugë në plan rregullues ka qenë parashikuar me 4 korsi (11 m rrugë + 2 trotuare nga 4 m) dhe në planin francez miratuar në KRRTRSH vetëm 4 vjet më parë u vendos përsëri por me dy korsi dhe trotuare shumë të gjera. A mund të na thone specialistet se si do të funksionojë qarkullimi në këtë zonë me pallatet 6 dhe 8 katëshe që janë planifikuar të ndërtohen kur është hequr rruga Xhorxhi Martini drejt pazarit të ri duke planifikuar të ndërtojë mbi rrugë publike, është hequr mundësia e bërjes së rrugës nga ndërtimi i 10 + 6 katëshit, nga prishja dhe me siguri ndërtimi i ndonjë 6-8 katëshi në vend të kinema Partizani, nga rrugët qorre të planifikuara të mbeten të tilla në zonë, nga rruga tjetër në anë të 12+1 katëshave të firmës Fati që mezi kalon një makinë dhe e mbetur pa mundësi parkimi, me pallatin e Teuta Konstruksion të vendosur aq keq dhe së fundi me heqjen e rrugës së planit rregullues që të nxjerr në sheshin Avni Rustemi?
1- Është hequr rruga nga takimi i Lanës me rrugën e Kavajës deri afër takimit të Unazës së madhe me rrugën e Durrësit (mbetet një pjesë e Unazës deri tek takimi me rrugën e Durrësit). A-Është hequr pjesa më e madhe e unazës tjetër ndërmjet unazës ekzistuese dhe unazës së madhe, që fillon nga rruga e Kavajës, vazhdon deri në rrugën e Durrësit, vazhdon deri tek vazhdimi në vijë të drejtë i Bulevardit Zogu I (paralel me lumin e Tiranës) dhe arrin pas një pjese ndërprejeje deri në anën tjetër të Lanës. Është lënë vetëm një anarshi rrugësh dytësore pa asnjë lloj sistemi. B-Është ndryshuar gjurma, forma, e pjesës juglindore të Unazës së Madhe. Është hequr rruga që fillon nga diga e rezervuarit të liqenit artificial, vazhdon pas korpusit të Universitetit, ndërpret rrugën e Elbasanit dhe del tek Lana. C- Rruga e Elbasanit është lënë në gjurmën ekzistuese dhe është hequr gjurma e parashikuar për ndërtimin e rrugës së Elbasanit larg Pallatit të Brigadave dhe Varrezave të Dëshmorëve dhe në anë të Senatoriumit. Ndoshta si pasojë e ndërtimeve pa leje dhe interesave të ndonjë biznesmeni që ka ndërtuar pa leje në atë zonë apo duke menduar se autostrada për në Elbasan do të ndërtohet në vend tjeter? Por sidoqoftë kjo rrugë do të shërbejë për fshatrat e zonave të Tiranës dhe Elbasanit, si rrugë panoramike etj. D- Unazës ndërmjet unazës së qendrës dhe unazës ekzistuese i janë ulur parametrat duke e kthyer në rrugë dytësore të rëndësishme nga rrugë kryesore. E- Është kthyer në rrugë dytësore të rëndësishme rruga që lidh unazën e re me unazën ekzistuese (zona ndërmjet rrugës së Durrësit dhe rrugës së Kavajës). F- Është hequr vazhdimi i bulevardit Zogu i Parë drejt Paskuqanit duke e zëvendësuar me Stacionin dhe shinat e hekurudhës. Ky është një tjetër krim dhe dëm i rëndë që i shkaktohet infrastrukturës dhe urbanistikës së qytetit. Kjo rrugë u hoq dhe u vendos hekurudha në planin e ashtuquajtur francez 4 vjet më parë dhe u zëvendësua me dy rrugë të tjera në dy anët e stacionit. Këto dy rrugë të gjera që nuk kanë qenë parashikuar asnjëherë në planet rregullues të Tiranës dhe as në atë të 1989 prishin komplet formën dhe organizimin e rrjetit rrugor të Tiranës. Gjithashtu të paktën deri në 2004 në këtë zonë nuk janë miratuar ndërtime ndërsa tani favorizohet dikush duke i hequr hekurudhën dhe rrugën dhe ndëshkohen qindra pronarë të tjerë në pronat e të cilave hidhen dy rrugë të gjera. Si mund të funksionojë rrjeti rrugor radial i konceptuar dhe i zbatuar vazhdimisht për Tiranën pa këtë rrugë kryesore? Po kështu, sipas pikës 84 të Rregullores së Urbanistikës rrugët e kategorisë së parë, dytë dhe të tretë (në plan rregullues që paraqitet ku jepen kategoritë e rrugëve ndoshta qëllimisht është lënë e papërcaktuar kategoria e këtyre dy rrugëve të gjera) nuk duhet të përshkojnë grupin, bllokun, kompleksin dhe lagjen e banimit. Stacioni i trenit duhet të ndërtohet atje ku ka qenë parashikuar në planin rregullues 1989 dhe të shikohet edhe mundësia e ndërtimit aty te sheshi për autobusët e rretheve dhe të fshatrave të Tiranës. F- Nuk paraqitet fare rrjeti rrugor brenda unazës së qendrës. Pavarësisht se do të jetë zonë këmbësore, nuk do të thotë se nuk do të ketë rrugë apo do të ngushtohen rrugët ekzistuese dhe ato të parashikuara në planin rregullues

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›