Sondazhi i Zogby: PS parti e parë me 38%, afrohet PD me 36%
Aristir Lumezi
Shumica e shqiptar-ëve do votonin PS-në nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në muajin mars.
Këto rezultate publikoi dje në “Top Story” të Sokol Ballës sondazhi i muajit mars të Zogby International, i porositur nga Top Channel. Sam Rodgers, analisti amerikan i Zogby-t, nga Uashingtoni dha dje rezultate interesante, duke analizuar dhe mënyrën se si u zhvillua sondazhi. Gjatë muajit mars, 38 për qind e shqiptarëve kanë votuar PS-në, ndërsa 36 për qind kanë preferuar PD-në, ndërsa LSI edhe në muajin e tretë të sondazhit mbetet e qëndrueshme në kuotën e 5 përqindëshit. Ajo që bie në sy në sondazhin e muajit mars, është një rënie e lehtë e PS-së, e cila edhe pse kryeson, ajo ka një rënie me 1 për qind, nga 39% që ishte gjatë muajit shkurt. Ndërsa Partia Demokratike vazhdon rikuperimin e saj, duke u rritur në mënyrë progresive. Nga 30 për qind që ishte në muajin janar dhe me një diferencë prej 7 për qind ndaj PS-së, demokratët kanë marrë 36 për qind të preferencave të shqiptarëve gjatë muajit mars, kundrejt 34 për qind të muajit shkurt. Ajo rritet vazhdimisht duke ngushtuar diferencën me PS-në, diferencë që në muajin mars është vetëm 2 për qind, ndërsa në muajin shkurt diferenca ishte me 5 për qind. Rezultatet e muajit mars tregojnë me ngritje dhe Lëvizjen G99, e cila nga muaji shkurt është rritur me 1 për qind. Në preferencat e tyre elektorale, shqiptarët kanë dhënë 1 për qind të votës së tyre edhe për Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar, e cila në dy muajt e parë të vitit nuk figuronte në listën e partive që merrnin minimumin e votave. Ndërsa 1 për qind të preferencave gjatë muajit mars kanë vazhduar të marrin edhe republikanët dhe socialdemokratët, ndërsa janë fshirë nga lista e preferencave PDK, PBDNJ dhe PAA. Sa më shumë i afrohemi zgjedhjeve, shihet se zvogëlohet numri i votuesve të pavendosurve. Sondazhi i muajit mars i Zogby International, tregon një tkurrje të numrit të të pavendosurve. Ai është 11 për qind, ndërsa në muajin shkurt të pavendosurit ishin 12 për qind dhe në janar 19 për qind të votuesve. Sondazhi i djeshëm tregoi edhe preferencat e popullsisë ndaj partive. Zonat urbane preferojnë më shumë Partinë Socialiste, ndërsa zonat rurale preferojnë Partinë Demokratike.
Drejtimi
Një nga çështjet që vazhdimisht përfshihet në sondazhin e Zogby-t, është dhe performanca e dy liderëve të partive kryesore. Kreu i ekzekutivit dhe i maxhorancës, Sali Berisha vlerësohet pozitivisht 36 për qind, ndërsa 63 për qind e të intervistuarve mendojnë se performanca e tij nuk është e mirë. Për Berishën këto janë shifra pothuaj të palëvizshme krahasuar me dy muajt e parë.
Ndërsa kreu socialist, Edi Rama, ka një performancë në rritjen e tij. 46 për qind e votuesve të pyetur e shohin pozitivisht performancën e tij, me një rritje pre 2%, ndërsa 51 për qind e tyre mendojnë se performanca e tij nuk është e mirë, përqindje kjo që vjen në ulje, nga 54% që ishte një muaj më parë. Të intervistuarit e Zogby-t, në shifra 46 për qind shprehen se vendi po ecën në drejtimin e gabuar, ndërkohë që 43 për qind shprehen se vendi po ecën në drejtimin e duhur. Zogby ka adresuar pyetësorin e tij edhe për çështjet kryesore që shqetësojnë shqiptarët rreth 80 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Çështja kryesore që shqetëson shqiptarët është punësimi, në masën 72 për qind, duke u ndjekur nga ekonomia në masën 63 për qind, e më pas varfëria me 46 për qind. Inflacioni dhe korrupsioni qeveritar janë dy çështjet që mbyllin listën e pesë çështjeve kryesore të shqetësimit të shqiptarëve. Por përveç ekonomisë, e cila ka një ulje të vogël, me 1 për qind nga muaji i kaluar, çështjet e tjera regjistrojnë një shqetësim në rritje të të intervistuarve, duke kërkuar kështu dhe zgjidhje të tyre përmes zgjedhjeve të 28 qershorit. Zogby do të vazhdojë me sondazhet e tij deri muajin e fundit, kur shqiptarët do të shkojnë në zgjedhje.
Rezultatet e sondazhit
Mars Shkurt Janar
PS 38% 39% 37%
PD 36% 34% 30%
LSI 5% 5% 5%
G99 3% 2% -
PDK - 1% 1%
PBDNJ - 1% 1%
PR 1% 1% 1%
PAA - 1% -
PSD 1% 1% -
LZHK 1% - -
Të pasigurt 11% 12% 19%
S’ u përgjigjën 5% 4% 4%
Të majtët kryesojnë në mars
Sondazhi i djeshëm i Zogby-t i dha sërish një avantazh partive të majta. PS, LSI, G99 dhe PSD marrin të gjitha bashkë 47 për qind të votave nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në muajin mars. Por partitë e majta nuk ndodhen të gjitha në një koalicion, dhe pse kanë deklaruar se do të ketë bashkëpunim post elektoral mes tyre. Ndërsa të djathtët marrin 38 për qind sipas sondazhit të muajit mars dhe pse ata janë të konsoliduar në një koalicion të përbërë. Fokusimi i partive kryesore duket se do të jenë të pavendosurit, të cilët edhe pse vijnë duke u ulur në shifra, mbeten përcaktues në fituesin e zgjedhjeve.
PD kryeson në fshat, PS në qytet
Sipas detajeve të dhëna mbrëmë nga kompania e njohur amerikane, votat e shqiptarëve janë ndarë qytet-fshat sipas zgjedhjeve të fundit vendore 2007-ës. Më shumë Partia Demokratike votohet në zonat rurale, me 4 për qind më shumë se socialistët. Ndërsa PS-ja votohet më shumë në zonat urbane, me një shifër të njëjtë. Kjo preferencë e votuesve të intervistuar duket se nuk ndryshon trendin e votës së dhënë në zgjedhjet e fundit vendore. Në shkurt 2007, PS-ja fitoi bashkitë e qyteteve kryesore të vendit, ndërsa Partia Demokratike fitoi masivisht në shumicën e komunave të vendit, rezultat që ajo nuk e kishte arritur asnjëherë në këto përmasa.