Shoqata e Prokurorëve: Rishikoni projektligjin, kërkojmë më shumë mbrojtje
Habjon Hasani
Shoqata e Prokurorëve ka dilemat dhe dyshimet e saj lidhur me tre nene të projektligjit “Për prokurorinë”. Një ditë pasi Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi me konsensus ligjin “Për Prokurorinë” dhe e dërgoi për miratim në Kuvend, reagon Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Në një njoftim për shtyp, Shoqata kërkoi rishikimin e disa neneve që nuk garantojnë mbrojtjen me ligj të prokurorit dhe kërkoi nga partitë që e votuan në Komisionin e Ligjeve ta marrin parasysh sugjerimin e tyre. ”Ne mendojmë se marrëveshjet e partive politike, nuk duhet të prekin pavarësinë e organeve të drejtësisë. Për këtë arsye, meqenëse ligji nuk ka kaluar ende në seancë parlamentare për votim, ne i kërkojmë partive politike parlamentare, deputetëve të Parlamentit Shqiptar, që të marrin parasysh edhe këto sugjerime”, - shkruhet në deklaratë. Shoqata u shpreh dje se për hartimin e projektligjit të ri “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, prokurorët kanë dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, që u janë bërë prezent në rrugë zyrtare anëtarëve të komisionit të ngritur për këtë qëllim, përfshirë edhe Misionin Europian të Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë (EURALIUS), Misionin e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara (OBDAT )”. Duke mos përjashtuar se projektligji ka përmirësim në shumë nene të tij, Shoqata shpreh rezerva për disa nene që cenojnë pavarësinë e Drejtësisë.
Rezervat
“Ne jemi për rishikimin e Nenit 36 të ligjit aktual. Ky nen tashmë është pranuar nga të gjithë, që nuk përbën imunitet për Prokurorët për t’u hetuar e gjykuar për çdo vepër penale që ata mund të kryejnë me procedurë ligjore si të gjithë shtetasit e tjerë. Ky nen është vendosur për të mbrojtur prokurorët gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, nga veprimet arbitrare dhe të paligjshme që mund t’u ndodhin”, - saktësohet në deklaratë. Po kështu, Shoqata e Prokurorëve ka cilësuar se sipas saj Neni 27 i këtij projektligji, i cili ndryshon Nenin 56 të ligjit aktual, rrit aksesin e ekzekutivit për të kontrolluar nëpërmjet ministrit të Drejtësisë punën e prokurorëve, për të raportuar në Parlament rezultatet e këtij kontrolli dhe, më e rëndësishmja, i jep të drejtën t’i rekomandojë prokurorit të Përgjithshem marrjen e masave disiplinore për prokurorët deri në shkarkimin e tyre nga detyra. Këto dy nene, megjithëse të kundërshtuara nga prokurorët, Komisioni i Ligjeve nuk i mori në konsideratë .
Mbrojtja
Shoqata sugjeroi dje që të rishikohen nenet e kundërshtuara pasi “duhet t’u garantohet me ligj të paktën mbrojtja e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve”. Duke argumentuar me detaje se pse duhet rishikimi i nenit për mbrojtjen e prokurorëve, Shoqata e tyre riformuloi Nenin 34. “Kundër masës disiplinore shkarkim nga detyra, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykaten e Lartë. Kur Gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos kthimin e prokurorit në detyrën që ka ushtruar më parë”, - shkruhet në deklaratë. Sipas tyre, legjislacioni shqiptar duhet të jetë koherent në tërësinë e tij dhe prokurorët nuk duhet të vendosen në një situatë të ndryshme nga ajo e zyrtarëve të tjerë të shtetit. “Siguria për të qëndruar në detyrë dhe për t’u mbrojtur nga një shkarkim i padrejtë duhet të kuptohet si pjesë e pavarësisë së prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre”, - theksohet në deklaratë. Megjithë kundërshtimet, kjo shoqatë ka vlerësuar disa aspekte të ligjit ndërsa shprehet: ”Ky projektligj përcakton qartë shkallën e hierarkisë në prokurori (neni1), mënyrën e funksionimit më mirë të punës brenda organit, midis prokurorëve që kryejnë funksione në shkallë të ndryshme të saj (Nenet 2,3,5 të projektligjit), vendosjen e kritereve profesionale dhe etiko- morale në funksion të ngritjes në detyrë të prokurorëve apo futjen e tyre në sistem (neni 11, 19), përmirësimin e transparencës dhe të kontrollit të punës së prokurorëve, aq shumë e rëndësishme”.
Siguria e prokurorëve, zbardhen argumentet ligjore të Shoqatës
“Neni 17 i Projektligjit ndryshon dhe riformulon Nenin 34 të ligjit aktual si më poshtë: “Kundër masës disiplinore shkarkim nga detyra, prokurori mund të bëjë ankim në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa prokurori pranë kësaj Gjykate në Gjykatën e Apelit më të afërt. Kur Gjykata çmon se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, ajo vendos t’i japë prokurorit, nëse është e nevojshme, një shpërblim të drejtë”. “Këtë formulim e kundërshtojmë për këto arsye: a. Ky ndryshim bie ndesh me Nenin 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila i jep të drejtë çdo shtetasi të rehabilitohet në përputhje me ligjin, nëse është dëmtuar nga një vendim apo veprim i paligjshëm i organeve të shtetit. b. Legjislacioni shqiptar duhet të jetë koherent në tërësinë e tij dhe prokurorët nuk duhet të vendosen në një situatë të ndryshme nga ajo e zyrtarëve të tjerë të shtetit. c. Siguria për të qëndruar në detyrë dhe për t’u mbrojtur nga një shkarkim i padrejtë duhet të kuptohet si pjesë e pavarësisë së prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre”.
Ligji, politika gjeti “konsensusin” krejt papritur
Opozita ka dhënë të premten konsensusin për projektligjin e prokurorisë, megjithëse, sipas konceptit të saj, reforma në Drejtësi duhet të jetë më e thellë. Deputeti socialist Fatmir Xhafaj deklaroi se janë tre argumente se pse opozita mbështet draftin. "Ky ligj është në përputhje me Kushtetutën, ka marrë miratimin e institucioneve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi dhe është në pajtim me Rregulloren e Kuvendit", - u shpreh Xhafa. Sipas tij, reforma në Drejtësi duhet të përfshijë edhe Prokurorinë. Opozita cilëson se projektligji ka një reflektim të drejtë të rekomandimeve të OPDAT-it dhe Eralius. "Vlerësoj në tërësi projektligjin dhe shprehim mbështetjen tonë për të, pasi sjell përmirësime në organizimin e institucionit të Prokurorisë", - theksoi Xhafaj. Deputeti socialist theksoi gjithashtu se ky ligj nuk e reformon në tërësi institucionin e prokurorisë. Sipas tij, ky institucion ka nevojë për një reformë më të thellë dhe më konkrete. "Në të ardhmen, mendoj se duhet të shikohet mundësia e ridimensionimit të rolit të Këshillit të Prokurorisë, në mënyrë që të mos jetë vetëm këshillimor", - tha ai. Anëtarët demokratë e socialistë të Komisionit të Ligjeve janë tërhequr vetëm te një pikë e këtij drafti, që lidhet me rekomandimin e ministrit të Drejtësisë për të proceduar penalisht një prokuror. Kjo ishte e vetmja pikë që u mor parasysh nga Komisioni i Ligjeve, i cili qartësoi kompetencën e ministrit dhe të prokurorit të Përgjithshëm për nisjen e procedimit penal, duke i lënë pavarësi kreut të organit të akuzës në marrjen e vendimit. Ndërsa heqja e imunitetit të prokurorëve mbeti në ligj si një kërkesë e përkrahur edhe nga ekspertët ndërkombëtarë, pavarësisht këmbënguljes së Prokurorisë së Përgjithshme për ta mbajtur në fuqi.
28 Dhjetor 2008