Meta: “Nuk mund të ketë transparencë pa reformimin e Kodit Zgjedhor”
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, dje, në mbledhjen e Kryesisë së LSI-së, e ka ftuar sërish opozitën të përfshihet në ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Meta theksoi se në ndryshimin e reformës zgjedhore duhet të merren parasysh seriozisht edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Përpos kësaj, Meta, në mbledhjen e Kryesisë ka përshëndetur dy kandidaturat për kreun e LSI-së së Tiranës, Shezai Rrokaj dhe Edmond Panariti. Më tej, Meta, në fjalën e tij, është ndalur edhe në arritjet e qeverisë së bashku me koalicionin e tij, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Reforma
“Ne shpresojmë që të gjithë ata që e kanë vërtet të sinqertë kërkesën për transparencë, të bashkohen në përpjekjet tona për ta reformuar më tej sistemin zgjedhor; sepse ne e kemi shprehur prej kohësh, që pavarësisht nga vlerësimi i lartë që u bëri komuniteti ndërkombëtar zgjedhjeve të shkuara, përsëri ato kishin problemet e tyre, ashtu si dhe vetë Kodi konsensual PS-PD, nuk ishin perfekte”, - u shpreh Meta. Ai theksoi se lista e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-i i fton të gjitha forcat politike që të përfshihen për t’i shndërruar ato në amendamente. “Nuk mund të zgjidhet çështja e transparencës pa i dhënë kuadrin ligjor. Kjo i bën ata që të mos vazhdojnë më me pretekste për të shmangur reformimin e sistemit zgjedhor”, - tha Meta. Më tej, kreu i LSI-së u ndal te arritjet e ashtuquajtura pozitive të qeverisë. “Shqipëria, brenda kësaj periudhe, ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin vizave, çka përbën dhe bazën e propozimit pozitiv të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe për Bosnjën në fund të muajit maj, propozim që u mbështet unanimisht nga të gjitha vendet e BE-së gjatë Samitit të Sarajevës”, - theksoi Meta. Përsa i përket situatës ekonomike, kreu i LSI-së nënvizoi se investitorët e huaj kanë interes të investojnë në Shqipëri. “Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë situatë, do të kujdesemi për përfshirjen gjithnjë e më të lartë të të gjitha prioriteteve të shpallura nga LSI-ja në planin për programin qeverisës të vendit në periudhën 2009-2013. Nuk mund ta injorojmë situatën globale ekonomike e financiare”, - u shpreh Meta.
Strukturat drejtuese
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së LSI-së janë miratuar dy kandidaturat për kreun e LSI-së së Tiranës, Edmond Panariti dhe Shezai Rrokaj. Meta i përshëndeti dy kandidatët dhe ftoi të tjerë që t’i bashkohen garës. Ndërkaq, Kryesia e LSI-së ka miratuar katër sekretarë rajonalë: Nora Malajn në Shkodër, Leonard Beqirin në Korçë, Besjan Peshën në Gjirokastër dhe Edmond Hoxhën në Dibër.
Meta emëron drejtuesin e ri të Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale në MPJ
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka emëruar zotin Mal Berisha në postin e drejtorit të Përgjithshëm Rajonal në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Deri tani zoti Berisha ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Çështjeve Konsullore në MPJ. Meta vlerësoi punën e deritanishme të Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale në realizimin e objektivave të politikës rajonale të Shqipërisë, duke veçuar këtu punën me përkushtim të drejtorit të Përgjithshëm, Ilir Tepelena. Në këtë kontekst, Meta vlerësoi promovimin e Tepelenës si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Belgjikë dhe Luksemburg, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe me këto dy vende të Bashkimit Europian.
Gjithashtu, Meta shprehu besimin se puna e Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale do të njohë rezultate të reja me emërimin e Mal Berishës si drejtor i ri i Përgjithshëm.
7 Korrik 2010