E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Nuk do të lejohen abuzime me fshatrat turistikë


Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e KRRTRSH-së se do t`i jepet fund praktikës së ndërtimit të fshatrave turistike, të cilët devijojnë nga destinacioni i tyre.
Duke iu referuar eksperiencës së deritanishme në këtë drejtim Kryeministri theksoi se ky problem duhet të qartësohet pasi koncepti i fshatit turistik në vendin tonë është inekzistent.     
 
“Koncepti i fshatit turistik është zero dhe nuk do të mund të ndërtohen më fshatra turistike, të cilat pronari ose zhvilluesi t`i përdorë siç i ka përdorur deri më sot. Kjo praktikë merr fund. Fshatrat turistike janë dështim i madh i vendit dhe kur një model dështon duhet të përpiqesh të shpëtosh sa më parë prej tij përndryshe pasojat bëhen gjithnjë e më të rënda”, u shpreh Kryeministri. 
 
 
Fshatrat turistikë vijoi më tej Kryeministri, janë blerë në kundërshtim me ligjin dhe kompanitë i kanë shitur në kundërshtim me ligjin. Nuk ekziston fshat turistik në kuptimin e destinacionit të tij ligjor. Të gjitha janë shndërruar në prona të palegalizuara dhe të pahipotekuara, prandaj kjo praktikë nuk do të ekzistojë më në Shqipëri.
 
Kryeministri theksoi se do të përgatitet me shpejtësi kuadri ligjor, në mënyrë që ata që kanë blerë vilat në bregdet të paguajnë, pasi firmës i është dhënë ky truall mbi bazën e një kontrate.        
 
Një pjesë e tyre, tha Kryeministri, janë toka pronarësh dhe të gjitha këto duhet të marrin zgjidhje me shpejtësi në procesin e reformës së pronës. Fatmirësisht harta e çmimeve është bërë evidente kudo sepse në këtë mënyrë ecet me logjikën që të varfrit bëhen gjithnjë e më të varfër dhe të pasurit gjithnjë e më të mëkëmbur dhe ky nuk është morali i kohezionit shoqëror.
 
Më tej Kryeministri nënvizoi se nëse vazhdohet në këtë koncept, i gjithë bregdeti do të mbushet me vila dhe nuk do të mbetet asnjë pëllëmbë tokë për turistët.  
 
“Duhet një transformim rrënjësor i këtij koncepti. Ajo praktikë arkivohet si praktika e madhe e dështimit 15 vjeçar të fshatrave turistike. Duhet të bëhet një amendim ligjor   që t`u japë zgjidhje përfundimtare çështjeve të pronësisë,  çështjeve kontraktuale dhe detyrimeve të atyre që kanë blerë shtëpitë, por  që nuk kanë blerë tokën”, deklaroi Kryeministri Berisha.  
 
Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë për të ecur drejt zgjidhjes së problemeve kontraktuale mbi bazën e kushteve të tregut. 
 
Tani, u shpreh Kryeministri, është shumë e vështirë të zgjidhet çështja mes firmave ndërtuese dhe atyre që kanë blerë banesa në këto fshatra, sepse ka prej atyre firmave që janë edhe fantazmë që janë zhdukur, ndaj dhe ndërhyrja duhet të jetë e atillë që të vendosë në themel kontrata përfundimtare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›