E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS kërkon dialog mes Prishtinës e Beogradit

NJU JORK - Këshilli i Sigurimit i OKB-së debatoi mbrëmë për Kosovën, pas publikimit të një raporti të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, me të cilin bën thirrje për rivendosjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet praktike të bashkëpunimit rajonal.

Sipas raportit, qëndrueshmëria afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës e rajonit lidhet me një proces të suksesshëm të pajtimit. Të dyja palët thonë se janë të gatshme që të përfshihen në procese të bisedimeve për zgjidhjen e problemeve praktike, por Beogradi zyrtar ka vlerësuar se statusi i Kosovës duhet të rinegociohet meqë sipas tij, ai nuk është i zgjidhur. Zyrtarët në Prishtinë ndërkaq thonë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, tha mbrëmë se Kosova nuk do të pranoj negociata të reja për status, “Nuk do të ketë negociata të reja për statusin e Kosovës, pasi kjo çështje ka përfunduar”, tha ministri Hyseni në seancën e Këshillit të Sigurimit.
Mëtutje, ai theksoi se “nuk do të ketë biseda për ndarjen e Kosovës, kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Hyseni dhe shtoi se “çdoherë mund të ketë biseda dhe diskutime ndërmjet shteteve fqinje”.

Qëndrimet e ministrit Hyseni janë mbështetur nga zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Brooke Anderson, duke thënë se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe se “ndarja nuk është e pranueshme”. Ajo vlerësoi se “statusi i Kosovës dhe kufijtë janë zgjidhur”.
Nga ana tjetër, ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, theksoi se qeveria e Serbisë kurrë nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, vendimi i ardhshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të krijoj një “mundësi të paprecedente” për kompromis ndërmjet serbëve e shqiptarëve.

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, deklaroi se situata e përgjithshme në Kosovë është edhe stabile, por mbetet potencialisht e ndjeshme.

“Mungesa e pajtimit ndërmjet bashkësive edhe mëtutje është sfidë, e cila është përforcfuar me vështirësitë ekonomike”, tha ai.

Sipas tij, “me ndihmën e UNMIK-ut, Beogradi dhe Prishtina, vazhdojnë të kenë kontakte lidhur me personat e pagjetur dhe çështjet fetare”.

Zanier tha se UNMIK-u do të vazhdojë të luajë rol neutral ndaj statusit të Kosovës dhe mban kontakte me Serbinë dhe Kosovën.

Në raportin e tij, Ban shfaqi shqetësime edhe për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, nëse një strategji e autoriteteve të vendit për integrimin e kësaj pjese nuk është transparente dhe nuk përfshin në dialog edhe komunitetet e atjeshme. Prishtina zyrtare ka thënë se përmes strategjisë dëshiron të integrojë serbët e veriut në institucionet e vendit, ndërkohë që Beogradi zyrtar duke e kundërshtuar atë, e ka cilësuar strategjinë si të dëmshme për komunitetin serb.
(s.g/europaelire/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›