E Shtunë, 31 Tetor 2026

KS nuk pajtohet për Sirinë

Nga Express më 28 prill 2011 në ora 14:00

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dështuar të arrijë pajtueshmëri për deklaratën me të cilën dënohet goditja e dhunshme e protestuesve anti-qeveri, nga ana e forcave të sigurisë së Sirisë, me ç’rast janë vrarë qindra vetë.

Përpjekjet e udhëhequra nga shtetet perëndimore për deklaratë, dështuan krejtësisht, për shkak të kundërshtimit nga Rusia dhe Kina.

Zëvendës ambasadori rus në OKB, Aleksander Pankin, i tha Këshillit të Sigurimit, se Moska nuk beson se goditja siriane ndaj demonstruesve opozitarë paraqet kërcënim për sigurinë ndërkombëtare.

Ai ka tërhequr vërejtjen se ndërhyrja e jashtme në krizë, mund të çoj në luftë civile në Siri.

Debati në Këshillin e Sigurimit për Sirinë u bë, pasi zyrtarët e Rusisë dhe Kinës, që kanë të drejtë vetoje, kanë shprehur kritika për intervenimin e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit, për mbrojtjen e civilëve në Libi, duke sugjeruar se ndërhyrja ka për synim ndryshimin e regjimit.

Britania, Franca, Gjermania dhe Portugalia, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, u kanë prirë përpjekjeve për arritjen e një deklarate të Këshillit të Sigurimit për Sirinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›