Marrëveshje e papritur mes Hamasit dhe Fatahut
Pas vite të tëra grindjesh dhe mosmarrëveshjes, grupet e rivalizuara palestineze, Fatah dhe Hamas, papritmas kanë rënë dakord për krijimin e një qeverie të unitetit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Përfaqësues të këtyre organizatave nënshkruan në Kajro një marrëveshje, e cila është arritur me ndërmjetësimin e shërbimit sekret egjiptian. Qeveria e unitetit do të përbëhet prej ekspertëve të pavarur nga të dyja grupet.
Organizata radikale islamike Hamas është në pushtet prej vitit 2007 në Rripin e Gazës, ndërsa Fatahu në Bregun Perëndimor. Një udhëheqje unike politike është edhe një prej parakushteve kryesore për krijimin e shtetit palestinez. Izraeli dhe SHBA-ja ishin skeptike në reagimet e para.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se autoritetet autonome duhet të vendosin se me cilën palë duan të vendosin paqe.
"Autoritetet palestineze duhet të zgjedhin nëse duan paqe me Izraelin apo me Hamasin.
Me të dyja nuk është e mundur, sepse qëllimi i Hamasit është shkatërrimi i Izraelit, që e ka thënë edhe hapur", deklaroi Netanyahu.
Në Washington, Shtëpia e Bardhë, e cilësoi Hamasin si grup “terrorist” dhe tha se çfarëdo qeverie e ardhshme palestineze, që shpreson arritjen e paqes me Izraelin, duhet të shpallë se tërhiqet nga dhuna dhe ta njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.