E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH: Probleme me KZAZ-të. KQZ debat për median

Komisioni Shqiptar i Helsinkit monitoroi punën e KZAZ-ve në Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Durrës, Korçë, Shkodër dhe Kukës, ku rezulton të ketë mjaft probleme. Sipas KSHH-së, mjaft komisione të qendrave të votimit nuk janë ngritur. Në raport thuhet se "sipas orareve të afishuara në ambientet e punës të KZAZ-ve, rezultoi se ato duhet të ishin të hapura prej orës 08.00 - 13.00 dhe 16.00 - 18.00. Megjithëkëtë, edhe pse në 11 KZAZ shkuan disa herë, dyert ishin të mbyllura dhe nuk ishte vendosur asnjë informacion për shtyrjen e orarit të punës ose mosrespektimin e tij". Gjithashtu thuhet në raportin e KSHH-së, se si pasojë e tërheqjes së disa anëtarëve të KZAZ-ve dhe mosplotësimit të tyre, funksionimi i KZAZ-ve nuk ishte i plotë. Për sa u përket trajnimeve të anëtarëve të KZAZ-ve rezultoi të ishte kryer vetëm faza e parë. KSHH i sugjeron KQZ-së që të shpejtojë trajnimin e fazës së dytë, duke pasur parasysh se së afërmi duhet të fillojë edhe trajnimi i anëtarëve të KQV-ve. KSHH e sheh të nevojshme të theksojë se sipas nenit 36 të Kodit Zgjedhor, propozimet për anëtarë dhe sekretarë të KQV-ve duhet t‘i paraqiten KZAZ-ve jo më vonë se 45 ditë para datës së zgjedhjeve, ndërsa emërimi i tyre nga KZAZ-të jo më vonë se 20 ditë para datës së zgjedhjeve. Sakaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të merrte as dje një vendim nëse aktivitetet e qeverisë do të konsiderohen si kohë për fushatën zgjedhore në favor të Partisë Demokratike. Në krye të gjashtë orëve debat dhe diskutim, anëtarët e KQZ-së nuk arritën dot të marrin një vendim për shkak të kundërshtive të shumta mes palëve. BMM ka paraqitur dy raporte para anëtarëve, ku katër anëtarë nuk pranojnë që aktivitetet qeveritare të konsiderohen fushatë dhe tre anëtarë të tjerë duan që ky minutazh të përfshihet në kohë televizive për PD-në.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›