E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërnjoftimet, edhe tri ditë afat për të aplikuar

Shtyhet afati i aplikimit për karta identiteti të shtetasve pa pasaportë. Ministria e Brendshme bëri me dije dje se personat pa pasaportë do të mund të aplikojnë për letërnjoftimin elektronik deri më 18 qershor, duke shtyrë me tri ditë afatin e aplikimeve. Dje në mbrëmje duhet të skadonte afati i caktuar më parë nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që për personat pa pasaportë janë lënë edhe tri ditë afat. Për prodhimin e një karte identiteti, kompanisë "Aleat" i duhen minimalisht 10 ditë në dispozicion. Pra sipas përllogaritjeve, personat pa pasaportë që aplikojnë në datën 18 qershor, do të mund ta marrin letërnjoftimin ditën e zgjedhjeve më 28 qershor. "Për t‘u dhënë edhe një mundësi të fundit të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk e kanë një pasaportë të vlefshme për të udhëtuar për jashtë shtetit, sapo u arrit një marrëveshje me kompaninë ‘Aleat‘ për të shtyrë afatin e aplikimit edhe tri ditë të tjera, që do të thotë se ora 22:00 e mbrëmjes së 18 qershorit do të jetë afati i fundit për aplikim", tha ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Në javën e fundit zyrat e aplikimit kanë punuar me orare të zgjatura për të pritur qytetarët, por megjithatë interesi për aplikime ka shënuar rënie. Sakaq, problem mbeten edhe kartat stok, të cilat qytetarët që kanë aplikuar nuk i tërheqin ato me gjithë apelin e vazhdueshëm të qeverisë. Sipas ministrisë, deri tani kanë aplikuar 1 milionë e 354 mijë persona, janë prodhuar 1 milionë e 250 mijë karta, ndërsa 935 mijë e 500 persona e kanë tërhequr dokumentin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›