Vizat, BE: Nuk i plotësoni kushtet
Krerët e diplomacisë së 27 vendeve të Bashkimit Europian diskutuan dje në Luksemburg lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave me Ballkanin Perëndimor. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian i kërkuan Komisionit Europian që të nisë nga hartimi i rekomandimit për heqjen e vizave për vendet më të përparuara të rajonit. Në projekt-konkluzionet e takimit të mbajtur në Luksemburg thuhet se Bashkimi Europian mbështet dialogun me vendet e rajonit për liberalizimin e vizave, ndërsa iu bën thirrje që të vazhdojnë me zbatimin e plotë të masave. Olli Rehn, komisioneri europian për zgjerimin, pjesëmarrës në takimin e djeshëm, tha se pritet një miratim politik nga 27 vendet anëtare. "Për Ballkanin Perëndimor unë shpresoj se do të kemi një miratim të fortë politik për çështjen e liberalizimit të vizave, e cila është kaq e rëndësishme për qytetarët e thjeshtë të rajonit", deklaroi Olli Rehn, komisioneri europian për zgjerimin e BE-së. Sakaq, në projekt-konkluzionet e takimit të ministrave thuhet se "këshilli mirëpret vlerësimet e raporteve të paraqitura nga Komisioni Europian, të cilat reflektojnë progres të qartë të vendeve në përmbushjen e masave". "Inkurajojmë komisionin të paraqesë sa më shpejt të jetë e mundur një propozim ligjor për ndryshimin e rregullores 539/2001, në mënyrë që të arrihet lëvizje e lirë idealisht nga fundi i vitit 2009 me ato vende të cilat do t‘i kenë plotësuar të gjitha masat", thuhet në konkluzionet në lidhje me rregulloren për Shengenin e bardhë. Sipas një zyrtari të lartë të një vendi europian, Maqedonia ka plotësuar rreth 95% të masave, Mali i Zi dhe Serbia rreth 70%, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja vetëm 30% të kushteve për heqjen e vizave. Për këtë arsye, në konkluzionet theksohet se heqja e vizave do të realizohet në bazë të meritave të secilit vend. E ndërsa mirëpriten reformat që janë bërë, vendeve më të prapambetura në proces u bëhet sërish thirrje të shpejtojnë e të zbatojnë reformat për përmbushjen e kushteve të duhura. Propozimi i Komisionit Europian për përfshirjen e vendeve më të përparuara në listën e bardhë të Shengenit pritet gjatë muajit korrik. Procesi teknik nga vota këshillimore e Parlamentit Europian deri tek ajo përfundimtare e vendeve anëtare do të marrë disa muaj, deri në fund të vitit 2009, apo fillim të vitit 2010, kur pritet heqja e regjimit të vizave. Sakaq, ministri i Jashtëm i Çekisë deklaroi se vendimi për heqjen e detyrimit për viza do të mbështetet në mënyrë rigoroze në progresin e vendeve të rajonit gjatë përmbushjes së kritereve të vendosura. "Raporti i Komisionit Europian, në përpunimin e të cilit kontribuuan në mënyrë aktive vendet anëtare të BE-së, tregon qartë se disa vende i plotësojnë kushtet më mirë se të tjerat. Për Republikën Çeke është megjithatë tepër e rëndësishme që perspektivën konkrete të lëvizjes pa viza ta kenë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor", tha ai. Duke iu referuar kontekstit rajonal, vijoi ministri çek, do të ishte optimale që diferencat kohore për përfitimin e këtij avantazhi midis secilit vend të mos ishin shumë të mëdha. Por, shtoi ai, plani kohor real varet kryesisht nga vetë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe aftësitë e tyre për të plotësuar kërkesat e përcaktuara.