E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Gërdecit, Mediu do të gjykohet pas zgjedhjeve

Tragjedia e Gërdecit do të
zbardhet pas zgjedhjeve
parlamentare të 28 qershorit.
Ky ishte verdikti i
gjykatave shqiptare, të cilat kanë
shtyrë gjyqet për ngjarjen më të
rëndë gjatë qeverisjes së fundit të
Partisë Demokrate. Dje ishte
parashikuar që në Gjykatën e
Lartë të zhvillohej seanca e parë e
tragjedisë së Gërdecit me të akuzuar
vetëm Fatmir Mediun, ishministrin
e Mbrojtjes, ndërsa 29
të pandehurit e tjerë do të gjykohen
nga Gjykata e Shkallës së
Parë. Por mungesa e një gjyqtareje,
ka detyruar kolegët e saj të shtyjnë
seancën në datën 6 korrik, ku
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
mund të ketë shpallur zyrtarisht
fituesin e zgjedhjeve. Në këtë rast,
drejtësia shqiptare do të vihej përballë
disa provave të radhës, pasi,
nëse zgjidhet deputet kryetari i
Partisë Republikane, Fatmir Mediu,
Gjykata Supreme është e
detyruar të marrë leje në Kuvendin
e ri për të gjykuar një përfaqësues
të saj.
Seanca e djeshme
Gjyqi me palët në proces
prokurorinë, e cila akuzon ishministrin
e Mbrojtjes për tragjedinë
e Gërdecit, ishte parashikuar
të zhvillohej ditën e djeshme rreth
orës 10:00. Katër përfaqësuesit e
prokurorisë kanë marrë pjesë në
seancë, të kryesuar nga drejtori i
hetimit dhe ndjekjes penale,
Sokol Stojani, dhe të shoqëruar
nga oficerët e policisë që hetuan
tragjedinë. Krahas akuzës, të
pranishëm kanë qenë edhe dy
mbrojtësit ligjorë të deputetit Fatmir
Mediu, Ardian Visha dhe Petrit
Serani. Seanca ka filluar rreth
orës 10:05 dhe ka përfunduar për
tri minuta. Drejtuesi Besnik Imeraj
ka verifikuar palët e pranishme,
fillimisht përfaqësuesit e
akuzës dhe më pas mbrojtjen.
"Siç e shikoni, trupi gjykues nuk
është i plotë. Një anëtare e
Kolegjit Penal është nisur të
premten në shtetin italian për një
vizitë mjekësore", tha Imeraj,
duke saktësuar se gjendja shëndetësore
e gjyqtares Irma Bala
është e rëndë. Siç konfirmohet
nga burime të Gjykatës së Lartë,
gjyqtarja vuan nga sëmundja e
mëlçisë dhe është larguar duke
përdorur edhe një raport mjekësor.
Pas verifikimeve të trupit
gjykues, Imeraj ka deklaruar se
seanca shtyhet për në datën 6 korrik,
përkatësisht pas zgjedhjeve
parlamentare.
Reagimet
Të pranishëm në sallë kanë
qenë edhe dhjetëra familjarë të
viktimave të tragjedisë së Gërdecit,
të cilët kërkojnë që seanca
të zhvillohet përditë, pasi ngjarja
është e rëndë. Ata deklarojnë se
shtyrja e seancës gjyqësore është
e qëllimshme. Sipas tyre ka një
skenar të qartë nga ana e Gjykatës
së Lartë, e cila pasi ndau procesin,
do të zvarrisë sa më shumë
zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Ata
hedhin akuza ndaj sistemit gjyqësor
që është i kapur nga politika,
pasi, megjithëse çështja ka disa
muaj në dyert e gjykatës, ende
nuk ka filluar gjyqi i vërtetë dhe
përgjegjësit e tragjedisë po lëvizin
të lirshëm në Shqipëri. Dy javë më
parë, me kërkesën e avokatëve,
Gjykata e Lartë ndau çështjen e
Gërdecit. 29 të akuzuarit pa imunitet
do të gjykohen nga Gjykata
e Shkallës së Parë në Tiranë, ndërsa
Mediu për shkak të mandatit
të deputetit do të gjykohet nga
Gjykata Supreme. Edhe në
Gjykatën e Shkallës së Parë nuk
ka filluar shqyrtimi gjyqësor,
ndërsa pritet që seanca e parë të
jetë në fillim të muajit shtator të
këtij viti, kur gjyqtarët të jenë
kthyer nga pushimet verore në
muajin gusht. Dosja në shkallën
e parë të Tiranës është dërguar
disa ditë më parë, pas fotokopjimit
në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›