Dhurimet, në spital gjak me tepri
Zv/drejtori i Spitalit Ushtarak, Sami Koçeku, u shpreh dje për "Shqip" se kemi gjak me tepri, ndaj dhe kemi bllokuar dhurimet. Sipas tij, për gjatë dy ditëve janë dhuruar afro 1000 flakone, por në fakt janë konsumuar shumë pak prej tyre. Ndërsa ka falënderuar dhuruesit, ai ka bërë thirrje që qytetarët të ndalojnë dhurimet për momentin, pasi nuk është e domosdoshme. Sipas tij, gjaku rrezikon të prishet, kur kalojnë 20 ditë nga koha e dhurimit, kështu që për sa kohë nuk është i domosdoshëm dhurimet bllokohen. Mjekët vlerësojnë ndër të tjera ndihmën e ardhur nga Kosova, pasi ishte e para, dhe si gjithnjë nevoja për gjak lind në fillimet e operacioneve. Lajmin se janë dhuruar sasi të mëdha me njësi gjaku e konfirmon edhe Ministria e Shëndetësisë. Në një njoftim për mediat, ajo bën të ditur se "nga Kosova kanë ardhur 300 njësi masë eritrocitesh dhe 200 njësi plazmë e freskët e ngrirë. Nga Greqia dhe Italia, 60 njësi masë eritrocitesh dhe 20 njësi plazmë e freskët e ngrirë. Nga Maqedonia 200 njësi masë eritrocitesh dhe 200 njësi plazmë e freskët e ngrirë". Kështu, në nivel kombëtar, numërohen 750 njësi masë eritrocitesh.
QENDRA E GJAKUT
Nga Kosova: 300 njësi masë eritrocitesh 200 njësi plazmë
Nga Greqi + Itali: 60 njësi masë eritrocitesh, 20 njësi plazmë
Nga Maqedonia: 200 njësi masë eritrocitesh, 200 njësi plazmë
Në nivel Kombëtar: 750 njësi masë eritrocitesh
Janë harxhuar deri tani 15 njësi