E Diel, 1 Nëntor 2026

Spital, 5 fëmijë me dëmtime të rënda në kokë, gjymtyrë e sy

Pacientët e vegjël kanë mbërritur në spital me dëmtime të rënda. Ata rrezikojnë të mbeten invalidë të përjetshëm, për shkak të tragjedisë së 15 marsit në vendlindjen e tyre, Gërdec. Një vajzë 6 vjeçe ka mbërritur në Spitalin Ushtarak pa njërin krah, me dëmtime në kokë, fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit. E mitura është nisur dje urgjent drejt Italisë, ku pritet të marrë mjekim më të specializuar. Mjeku që u përball me tragjedinë, shefi i Urgjencës, Myftar Torba, rrëfen për gazetën "Shqip", ngjarjen e rëndë të përjetuar në Spitalin Ushtarak. Ai tregon se "kanë mbërritur në gjendje shumë të rëndë tre fëmijë, me plagë më kokë dhe trup. Ato ishin të tria vajza të moshës 2, 4 dhe 6 vjeç", shprehet Torba. Sipas mjekut, pacientet ishin me amputime, fraktura ekstreme dhe dëmtime të forta në kokë.

Tre vajzat e vogla u nisën dje për mjekim në Itali dhe Greqi, dy vendet fqinje që shprehën gatishmërinë për trajtimin e të plagosurve rëndë nga tragjedia e Gërdecit. Ato quhen Regi Murati, që u transportua me helikopter në Greqi, Lubjana Beraj, po në Greqi dhe Sabina Picari në Itali. Po gjatë ditës së djeshme dy fëmijë të tjerë të plagosur rëndë janë nisur nga Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" për në Itali dhe Greqi. Ata janë Xhafer Breti, 4 vjeç, dhe Erison Durda, 6 vjeç. Mjekët bëjnë të ditur se Xhaferi është i dëmtuar në të dy sytë, ndërsa Erisoni ka plagë të rënda djegieje në 60 për qind të trupit.

Përpos tyre, në reanimacionin e Spitalit Ushtarak janë shumë rëndë edhe katër persona në moshë madhore. Mjekët shprehet se ata po ndiqen me përparësi, por kanë probleme serioze për jetën. Për dy prej tyre është kërkuar që të dërgohen jashtë shtetit.

Spitali Ushtarak përballoi fluksin më të madh të të dëmtuarve nga tragjedia e Gërdecit ku u paraqiten rreth 170 persona të dëmtuar. Zv/drejtori i Spitalit Ushtarak, Sami Koçeku, u shpreh se "pjesa më e madhe e pacientëve kanë marrë mjekimin dhe janë larguar për në shtëpitë e tyre, ndërkohë deri dje në mesditë ishin të shtruar në pavijone afro 40 pacientë". Po kështu 4 pacientë janë në gjendje të rëndë në reanimacion. Zv/drejtori shprehet se "të gjithë mjekët dhe infermierët kanë treguar gatishmëri në përballimin e kësaj ngjarjeje". Ndërkohë ndihmë kanë dhënë edhe sanitarët. "I gjithë ekipi mjekësor i Qendrës Kombëtare të Traumës ka punuar ‘non stop‘", shtoi shefi i Urgjencës Torba. Për sa u përket donacioneve të jashtme mjekët përmendin ndihmën e shteteve fqinje, Italisë, Greqisë e Maqedonisë, ambasadën amerikane në vendin tonë, murgeshat e qytetit të Shkodrës.

Fëmijët e nisur për trajtim jashtë shtetit

Regi Murati Greqi

Lubjana Beraj Greqi

Sabie Picari Itali

Xhafer Breti Itali

Erison Durda Greqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›