KSHH: Vonesat në ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit dëmtojnë procesin zgjedhor
Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje partive politike që të marrin masa në kohë dhe të mos vonojnë ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit, pasi po dëmtojnë përgatitjet për procesin zgjedhor të 28 qershorit. Deklarata e KSHH-së ka ardhur pas një procesi monitorimi treditor, që kjo organizatë ka bërë në 26 komisione zonale të administrimit të zgjedhjeve, të shtrira në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë, Kukës dhe Gjirokastër. KSHH-ja ka vërejtur parregullsi në mosplotësimin dhe mosfunksionimin e plotë të KZAZ-ve. Por problemi kryesor i konstatuar ka pasur lidhje me ngritjen e KQV-ve. “Problematike dhe shqetësuese është ngritja e KQV-ve (rreth 4700 KQV me 32900 anëtarë dhe 4700 sekretarë). Gjatë vëzhgimit në KZAZ-të rezultoi se deri në datën 13 qershor 2009, nga KZAZ-të Nr. 53, 48, 52, 50 (Tiranë), KZAZ-të Nr. 63, 61 (Vlorë), KZAZ-të Nr. 12, 13, 14 (Elbasan), në Komunën e Dropullit (Gjirokastër) dhe KZAZ-ja Nr. 8 (Durrës) nuk ishin emëruar anëtarët dhe sekretarët e KQV-ve. Shkaku kryesor ishte mosdorëzimi i propozimeve nga partitë politike (subjektet zgjedhore) përkatëse.
KSHH mendon se kjo vonesë e theksuar do të ndikojë negativisht jo vetëm në verifikimet formale nga ana e KZAZ-ve të kritereve dhe kushteve që sipas neneve 37 dhe 38 të Kodit Zgjedhor duhet të përmbushin anëtarët dhe sekretarët e KQV-ve, por edhe në trajtimin jocilësor ose mostrajnimin e anëtarëve të KQV-ve duke pasur parasysh numrin relativisht të madh të tyre”, - thuhet në deklaratën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. KSHH-ja u ka bërë thirrje subjekteve përkatëse zgjedhore që të paraqiten menjëherë në KZAZ-të propozimet e tyre për anëtarë të KQV-ve. Gjithashtu, në deklaratë u bëhet thirrje të gjitha KZAZ-ve që të mos emërojnë anëtarët dhe sekretarët e KQV-ve pa zbatuar nenet e Kodit Zgjedhor, ku bëhet fjalë për papajtueshmërinë me detyrën e anëtarit dhe sekretarit të KQV-së, si dhe kushtet për emërimin e tyre.
16 Qershor 2009