E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja, grupe të posaçme pune për verifikimin e listave të zgjedhësve

PS: Listat e zgjedhësve janë me dublime dhe persona të vdekur. 3000 persona të vdekur rezultojnë si zgjedhës, ndërsa 5000 emra janë të dubluar

Shaban Sulçe

Partia Socialiste ka nisur një proces verifikimi të hollësishëm të të gjitha listave të zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Që pas publikimit dhe afishimit të këtyre listave, strukturat e selisë rozë kanë nisur verifikimin e tyre, ku janë gjendur parregullsi të shumta. Për verifikimin e këtyre listave janë ngarkuar grupe të posaçme pune, të cilat po operojnë në terren dhe po mbledhin të dhëna rreth parregullsive të mundshme.
Kështu, Partia Socialiste ka konstatuar se në listat e zgjedhësve gjenden rreth 3000 persona, të cilët figurojnë si zgjedhës, pavarësisht se kanë ndërruar jetë. Një tjetër problem i konstatuar janë dublikatat në listat e zgjedhësve. Sipas burimeve në Partinë Socialiste, pas verifikimeve të kryera rezulton se mbi 5000 emra zgjedhësish janë të dubluar. Si pasojë e këtyre verifikime duket se listat e zgjedhësve do të kthehen në një tjetër objekt beteje midis Partisë Socialiste, qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme në ditët e mbetura, deri më 28 qershor, kur do të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare.

Të vdekurit

Gjatë javës së kaluar Partia Socialiste ka lëshuar akuza të forta në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë duke deklaruar se kanë dështuar në hartimin e një liste korrekte të zgjedhësve. Sekretari për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami, duke publikuar rastin e përfshirjes në lista të një shtetaseje 159-vjeçare, tha se mbi 17 mijë shtetas mbi moshën 90 vjeç janë përfshirë në listat e zgjedhësve. Ministria e Brendshme reagoi duke thënë se pretendimi i Partisë Socialiste se të gjithë këta shtetas janë të vdekur është i gabuar. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme pranoi gabimet në lista, por sqaroi se nuk ishte faji i saj, përderisa familjarët e tyre nuk kanë bërë çregjistrimin e tyre sipas ligjit.

Fenomeni

Një tjetër fenomen i përhapur kohët e fundit dhe që ka të bëjë me listat e zgjedhësve ka shkaktuar shkëmbim akuzash midis partive. Drejtues lokalë të disa prej partive politike në kryeqytet kanë akuzuar krerët e njësive bashkiake se kanë manipuluar listat përfundimtare të zgjedhësve. Sipas tyre, gjatë përgatitjes së listave janë ndryshuar qëllimshëm qendrat e votimit, të shumë prej personave, të cilët njihen si votues, anëtarë apo simpatizantë të partive, që janë kundërshtarë me partitë që përfaqësojnë krerët e minibashkive. Shumë prej këtyre personave, edhe pse figurojnë si zgjedhës në njësitë bashkiake ku banojnë, nuk e kanë emrin në qendrat e votimit ku ata kanë votuar tradicionalisht, por në qendra të tjera votimi. Një gjë e tillë është bërë qëllimisht për të çoroditur këta votues në ditën e votimit. Duke qenë se ata janë mësuar që të votojnë në qendrën e votimit, ku kanë votuar gjithmonë, duke mos gjetur emrin në listë, këta votues do ta kenë të pamundur dhe shumë të vështirë për të gjetur qendrën e tyre të re të votimit dhe në këtë drejtim.
Afishimi
Përgatitja dhe afishimi me vonesë i listave të votuesve nga drejtuesit e njësive bashkiake solli disa javë më parë reagimin e ashpër të partive të opozitës. Partia Socialiste, por edhe parti të tjera, akuzuan drejtuesit demokratë të njësive bashkiake në kryeqytet se po u fshinin listat e zgjedhësve, duke aluduar për përpjekje të qëllimshme, me synim manipulimin e tyre. Ndërkohë, afishimi me vonesë i listave solli edhe shqetësimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, që u kërkoi drejtuesve të njësive lokale që të respektonin afatin ligjor që parashikonte Kodi i ri Zgjedhor.

16 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›