E Shtunë, 31 Tetor 2026

Harasani: Kongresi duhet të jetë i hapur për mediat

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Andis Harasani, kërkoi dje praninë e mediave dhe kamerave gjatë punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm më 29 gusht. Sipas tij, kjo do të garantojë transparencën dhe bën dallimin me Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Sali Berisha. "Ajo çka ka nevojë është një respektim i rregullave të PS-së, një respektim i demokracisë së brendshme të partisë. Duhet të japim një shembull ndaj kundërshtarit tonë politik, zotit Berisha, të bëjmë një kongres sa më të hapur, një kongres sa më transparent, një kongres me praninë e mediave. Nuk kemi pse të kemi frikë nga mediat. Kjo ka qenë dhe një nga kërkesat që zoti Rama ka pasur në 2005-ën. Një nga premtimet në 2005-ën që të gjitha mbledhjet do të jenë të hapura", tha Harasani. Sakaq, referuar një prej kërkesave të grupit që kryesohet nga Ben Blushi, ndryshimet statutore, Harasani heq një vijë paralele me paketën e cilësuar "Ruçi" në Kongresin e 2005-ës, e cila u përfshi në rendin e ditës së kongresit dhe synonte ndryshimet në statut. "Ky është një Kongres i Jashtëzakonshëm. Edhe në 2005-ën ishte një Kongres i Jashtëzakonshëm. U fut një platformë. Ishte platforma ‘Ruçi‘ e propozuar nga Ruçi dhe Rama për ndryshime në statut. Pati rezultat. Përsëri kërkohet ndryshim në statut. Nuk ka asgjë që statuti ta pengojë në kërkesën për ndryshime statutore", vërejti më tej deputeti socialist. Sipas Harasanit, Rama nuk duhet të rikandidojë më, pasi socialistët sot janë në opozitë. "Personalisht mendoj se zoti Rama nuk duhet të kandidojë, pasi nuk arriti atë premtim që i dha PS-së për ta sjellë në pushtet. Për sa kohë nuk u realizua ky objektiv, nuk mendoj se zoti Rama duhet të kandidojë. Rezultati i qershorit të 2009-ës tregoi që nuk vihet në pushtet dhe teoritë për vjedhjen e votës janë të pamjaftueshme. Për sa kohë që objektivi ynë për të ardhur në pushtet nuk u realizua, të tjerat janë vetëm fjalë për të mbushur gazetat", deklaroi ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›