E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj vazhdon takimet, pas Nanos bisedime edhe me Pëllumbin

Kandidati i vetëshpallur për të garuar për postin e kreut të Partisë Socialiste, Arben Malaj, vazhdoi edhe dje takimet në prag të Kongresit të Jashtëzakonshëm. Në orët e para të mëngjesit ai u pa të mbërrinte në afërsi të pallatit të ish-kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Servet Pëllumbit. Malaj mësohet se ka qenë në shtëpinë e Pëllumbit, ku ka shkëmbyer mendime lidhur me zhvillimet më të fundit në Partinë Socialiste. Si një prej kandidatëve të deklaruar në publik, Malaj ka shfrytëzuar rastin të prezantojë para "profesorit" të socialistëve pikëpamjet e tij për garën brenda selisë rozë. Servet Pëllumbi u përfshi pak ditë më parë në replika publike me një tjetër personazh brenda Partisë Socialiste, Ben Blushin. Përmes intervistave në shtypin e ditës, Blushi dhe Pëllumbi ndanë mendime të ndryshme rreth garës për kryetar dhe momentit ku ndodhet partia. Përgjigjja e Blushit se në PS nuk flitet me statujat, solli reagimin e ashpër të Pëllumbit. Ai tha se deklaratat e Blushit tingëllojnë inatçore, e ndonjëherë edhe dëshpëruese, të cilat ia ulin atij forcën dhe peshën konkurruese. Malaj duket se po tenton t‘i kapërcejë këto probleme dhe replika të shpërthyera në gjirin e Partisë Socialiste. Pak kohë më parë ai takoi po publikisht edhe ish-kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano. Asnjë prej palëve nuk pranoi të japë detaje rreth bisedës, duke u mjaftuar me thënien se "diskutuam në lidhje me situatën në të cilën ndodhet aktualisht Partia Socialiste". Më pas Malaj takoi në publik kandidatin e përfolur për kryetar të Partisë Socialiste, Ben Blushin. Kohë më parë ai mësohet të ketë biseduar edhe me figura të tjera brenda socialistëve, si Gramoz Ruçi etj.

Të shtunën

Socialistët do të zhvillojnë

Kongresin e Jashtëzakonshëm

Më 29 gusht, ditën e shtunë, socialistët do të zhvillojnë Kongresin e Jashtëzakonshëm pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Kongresi ka në rend të ditës miratimin e një rezolute që u paraqit më parë në mbledhjen e asamblesë, e cila përcakton qëndrimin politik të PS-së ndaj zgjedhjeve të përgjithshme. Pika tjetër është ajo që shkakton më shumë debate. Pritet zbatimi i neneve përkatëse që flasin për statusin e kryetarit të partisë në rastin kur humbet zgjedhjet. Nisur nga kjo, pritet që kongresi të shpallë zgjedhjet për kryetarin e ri. Ndërsa një tjetër grup kërkon të përfshihet në rendin e ditës edhe një paketë me ndryshime statutore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›