E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Hoqëm tapitë për 6.8 hektarë tokë

Qeveria anulon tapitë abuzive të dhëna sipas Ligjit 7501. Zëvendëskryeministri Genc Pollo bëri me dije dje se tokat e ndara në mënyrë të kundërligjshme, duke abuzuar me Ligjin 7501 u anulohet titulli i pronësisë. Kjo nismë ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Kryeministrit Berisha fill pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007. Numri dy i qeverisë ka dhënë dje të dhënat e para për numrin e tapive që janë hequr. Sipas këtyre informacioneve janë 68 mijë m², që u janë marrë zaptuesve deri më sot. Shifra totale e tokës që duhet verifikuar është 4700 hektarë dhe deri tani, komisioni i qeveritar për tokën ka marrë vetëm 6.8 hektarë ose 68 mijë m². Nga grumbullimi i të dhënave të kësaj nisme do të krijohet edhe një fond i posaçëm për kompensimin e pronarëve. Zëvendëskryeministri Genc Pollo, njëkohësisht edhe kryetar i Komisionit Qeveritar të Tokës tha se "ligji për verifikimin e titujve të pronësisë i ka dhënë tashmë produktet e para. Tokave të ndara në mënyrë të kundërligjshme, duke abuzuar me Ligjin 7501 u anulohet tapia, titulli i pronësisë". Pollo shprehet se ka pasur raste si zaptimi përmes falsifikimit dhe abuzimit të oborrit të shkollave. "Ka pasur raste skandaloze si zaptimi përmes falsifikimit dhe abuzimit të oborrit të shkollës Libofshë në Rrethin Fier, ose zaptimi i tokës së parashikuar për varreza në fshatin Dermenas po në Fier", tha Pollo. Komisioni vendor pranë prefekturës mori vendimet e duhura duke zbatuar ligjshmërinë, duke ndëshkuar zaptuesit dhe duke i bërë një shërbim të çmuar komuniteteve të Libofshës dhe Dermenasit. "Tashmë nxënësve të Libofshës u është rikthyer oborri i shkollës i zaptuar prej më shumë se 10 vjetësh, ndërsa banorët e Dermenasit do të mund të ndërtojnë varrezën e fshatit në tokën e planifikuar", tha Pollo. Gjithsej deri tani i janë marrë zaptuesve afro 68 mijë m². Fieri dhe Vlora janë dy qytetet, të cilat janë "penalizuar" nga kjo nismë e qeverisë. Në prefekturën e Fierit janë marrë 32 mijë m² tokë dhe në Vlorë 30 mijë m² të zaptuara. Prioriteti i axhendës së Komisionit Qeveritar të Tokës janë edhe zonat bregdetare. "Por me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistikë dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundërligjshme", tha Pollo. Sipas tij, Komisioni Qeveritar i Tokës dhe komisionet vendore janë duke punuar për këtë proces dhe së shpejti do të dalin edhe vendimet e para për duzina hektarësh që do t‘u hiqen zaptuesve. "Kështu korrigjohen padrejtësitë e bëra në të shkuarën nga ofiqarë abuzivë dhe nga persona privatë. Kështu i kthehen komuniteteve hapësira të përdorimit publik, si dhe krijohet gradualisht një fond për kompensimin e ish-pronarëve", tha Pollo.

Rasti

Maqedonia jep tokat

bujqësore me qira

Qeveria e Maqedonisë ka shpallur së fundmi aksionin për dhënien me qira të tokave bujqësore në disa rajone. Ndryshe nga rasti i Shqipërisë, tokat e bujqësore janë në pronësi të shtetit dhe do t‘u jepen me qira personave vendorë fizikë dhe juridikë, si dhe personave të huaj juridikë. Kohëzgjatja e qirasë është e ndryshme varësisht nga qëllimi. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Ekonomisë së Ujërave janë rreth 769 hektarë truall bujqësor shtetëror. Qëllimi i vendimit është zhvillimi i sektorit bujqësor maqedonas, pasi parashikohet një kohëzgjatje qiraje 30 vite për frutat pemëtore, 50 vite për ullinjtë, etj. Sa i takon qeverisë shqiptare, drafti për ndarjen e re të toklave bujqësore djerrë do të jetë gati këtë javë. Ashtu si Maqedonia, edhe vendi ynë synon të stimulojë sektorin e bujqësisë, e cila për vite me radhë vuan nga mungesa e programeve konkrete dhe financimi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›