E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Miss Shqipëria”, sot ndahet kurora

 

Janë 31 bukuroshet, që sot konkurrojnë për kurorën e “Miss Shqipëria”. Në skenën e ngritur rrëzë Torres veneciane në Durrës, zhvillohet në mbrëmje edicioni i radhës së konkursit të bukurisë shqiptare. Tanimë janë mbyllur edhe përgatitjet e fundit dhe gjithçka është gati për natën finale, kur “Miss Shqipëria 2008”, Almeda Abazi, e shpallur edhe “Miss Globe International 2008” do t’i dorëzojë kurorën pasardhëses së saj. Mbyllet kështu, një muaj përgjatë të cilit vajzat e përzgjedhura për edicionin e 11-të të garës së bukurisë kanë qenë protagoniste në një tur të zhvilluar në vende historike e turistike të Shqipërisë dhe Malit të Zi; kanë zhvilluar minikonkurse, kanë zgjedhur fitueset e para, por edhe kanë bërë prezantimin përpara jurisë së këtij viti. Mbrëmja e sotme, pas një tensioni elektoral, pret të sjellë argëtim për publikun. Në këtë kuadër producenti i “Miss Shqipëria”, Petri Bozo zbulon disa nga detajet e kësaj mbrëmje. Surprizë do të jetë prania në skenën e këtij spektakli të tenorit Andrea del Principe. Ai ka pranuar ftesën e organizatorëve për të kënduar në skenën e “Miss Shqipëria” disa nga pjesët më të njohura të repertorit të tij. Por, megjithëse i ftuar special, Del Principe, nuk do të jetë i vetmi që do të ngjitet në skenën e mbrëmjes së bukurisë. I drejtuar nga regjisori Alert Çeloaliaj, spektakli i do të ketë edhe të ftuar të tjerë. Kështu vëllezërit Korçarë, Rezarta Shkurta, Afërdita Dreshaj, para pak vitesh pjesë e këtij kompeticioni, e grupi “Produkt 28”, do të ngjisin në skenë harmoninë dhe bukurinë e tingujve shqiptarë. Një homazh kanë menduar organizatorët edhe për legjendën e muzikës, i ndarë nga jeta pak ditë më parë, Michael Jackson. Koreografja Kozeta Bakiu ka krijuar një numër special koreografik, i cili do të interpretohet nga balerinë pasuar nga numra të tjerë baleti kompozuar enkas për “Miss Shqipëria”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›