E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHH dënon sulmin ndaj gjyqtarit Nuni

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), dënoi sot aktin e rëndë kriminal ndaj anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, duke cilësuar ngjarjen si presion që i bëhet jo vetëm individëve të veçantë, por edhe Gjykatave në tërësi. "Kjo ngjarje është një sinjal që tregon nevojën për të marrë në mbrojtje efektive, sidomos gjyqtarët që ndihen të kërcënuar, për të rritur sigurinë në gjykatat që japin drejtësi dhe në organet e tjera të specializuara në luftën kundër kriminalitetit. Rritja e sigurisë së tyre i shërben rritjes së pavarësisë, forcimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të shtetasve", thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga KSHH. Komiteti Shqiptar i Helsinkit kërkoi përmes kësaj deklarate nga organet kopetente zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve të saj. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, mbeti i plagosur mbrëmë në Tiranë, si pasojë e një atentati me armë zjarri ndaj tij nga persona, të cilët nuk janë identifikuar akoma. Ndërkohë,organet e rendit po punojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe zbulimin dhe kapjen e autorëve të saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›