Ministria e Drejtësisë: 20 prokurorë me shkelje
Ministria e Drejtësisë ka gjetur me shkelje 20 prokurorë në Prokurorinë e Tiranës, pas një inspektimi që ka zgjatur disa muaj. Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale prej dikasterit të Alibeajt, sipas të cilit prokurorët kanë shkelur ligjin me afatet e paraburgimit për disa të burgosur. Të tjera shkelje që janë konstatuar kanë të bëjnë me pushime të dosjeve të veçanta. "20 prokurorë kanë shkelur ligjin në Prokurorinë e Tiranës. Një raport i detajuar do t‘i serviret Prokurores së Përgjithshme", thanë burimet nga ministria. Sipas procedurave, raporti i Ministrisë së Drejtësisë i dorëzohet kreut të Prokurorisë së Përgjithshme. Ky i fundit dërgon në çdo prokurori një grup verifikimi për të rikontrolluar shkeljet e konstatuara nga ministria. Në rast se evidentohen shkelje, Prokurori i Përgjithshëm i propozon Presidentit largimin nga detyra të prokurorit që i janë gjetur shkelje. Por prokurori mund të "dënohet" vetëm me një masë administrative, me ulje në detyrë, ose me transferim në një prokurori tjetër. Prokuroria dyshon se kontrolli në Prokurorinë e Tiranës mund të përdoret politikisht nga ministri i Drejtësisë. Sipas ligjit të ri, ministri kontrollon punën e prokurorisë dhe raporton në Kuvend shkeljet e tyre. Në këtë rast denigrohen prokurorë të veçantë, të cilët mund të shkarkohen nga Presidenti në bazë të informacioneve të ministrit.