E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ilir Kumbaro, ndoshta një agjent anglez

Prokuroria shqiptare deklaron se mosekstradimi në kohë të shpejtë i Ilir Kumbaros nga Anglia mund të ketë paraprija të tjera. Hetuesit që kanë në dorë dosjen e ish-shikasve, që akuzohen për rrëmbimin e tre personave në vitin 1995 në Tiranë, dyshojnë se Kumbaro mund të ketë përfituar një status të veçantë në Angli. Hetuesit dyshojnë se Kumbaro mund të ketë filluar një punë në shërbimet sekrete. Një fakt i tillë lind si pasojë e seancave të dështuara për ekstradimin e tij në Shqipëri. Burimet nga prokuroria deklarojnë se identifikimi i personit të arrestuar kryhet me krahasimin e ADN-së së djalit dhe vetë babait të tij. Një gjë e tillë, sipas hetuesve shqiptarë, është shumë e lehtë dhe nuk e kuptojnë shtyrjen e seancave të njëpasnjëshme. Një tjetër mënyrë për identifikimin e Kumbaros janë dokumentet e gjetura të pjesëtarëve të familjes së tij, si vëllai, apo persona të tjerë që janë diskutuar në seancën e kaluar të gjyqit.

Ilir Kumbaro, ish-drejtor i SHIK-ut për Tiranën, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe më pas zhdukjen e Remzi Hoxhës, për të katërtën herë ka dalë përpara një gjykate në Londër, duke tentuar bllokimin e ekstradimit. Kumbaro, i ka deklaruar gjykatës se ai është Shaqa Shatri. Ndërkohë, mbrojtja e tij i deklaroi gjykatëses se ajo kërkonte të shtyhej afati i dorëzimit të provave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›