KSHH-ja: “Ankesa në Kushtetuese është qëndrim i Komitetit, jo i një personi të vetëm”
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ankesën në Gjykatën Kushtetuese mbi ligjin e lustracionit e ka depozituar si përfaqësues i shoqërisë civile dhe jo si një person i vetëm. KSHH-ja ka reaguar dje në një njoftim zyrtar pas një shkrimi se kjo ankesë është bërë nga Njazi Jaho. Sipas njoftimit për shtyp thuhet: “Dëshirojmë të theksojmë se KSHH, në përmbushje të misionit të tij në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe konsolidimin e shtetit ligjor, qysh prej vitit 1996 dhe në vazhdim i është drejtuar disa herë Gjykatës Kushtetuese dhe pjesa më e madhe e kërkesave të tij janë pranuar si të drejta”. Më tej njoftimi vijon duke shpjeguar se më datë 22 shkurt 2009, në një nga organet e shtypit të përditshëm është botuar një shkrim (pa autor) në të cilin bëhet fjalë për kërkesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHH) drejtuar Gjykatës Kushtetuese me objekt “Shpalljen të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Ligjit 10034, datë 22. 12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të Lartë të Administratës Publike dhe të të Zgjedhurve”. “Në këtë shkrim, kërkesa e mësipërme e KSHH-së personalizohet me emrin e z. Niazi Jahos, që është një nga anëtarët e këtij Komiteti. Në të thuhet se ‘Njazi Jaho ankimoi ligjin e dosjeve’ se ligji i lustracionit u ankimua edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, të cilin do ta mbështeste drejtuesi i këtij komiteti, Niazi Jaho’ se ‘Niazi Jaho, në emër të KSHH-së, depozitoi në Gjykatën Kushtetuese ankimin kundër ligjit të dosjeve’ se ‘firma e Niazi Jahos kundër këtij ligji njollos shtetin e së drejtës’”, - vijon shpjegimi i KSHH-së. Sipas njoftimit për shtyp, në mbledhjen përgjithshme të KSHH-së, të mbajtur në datën 22 janar 2009, është diskutuar kushtetutshmëria e ligjit të mësipërm dhe anëtarët e pranishëm me unanimet vendosen që KSHH të paraqiste në Gjykatën Kushtetuese kërkesën përkatëse, e drejtë kjo e garantuar nga Kushtetuta e RSH-së.
Sipas drejtuesve, KSHH funksionon në bazë të statutit tij. Organi vendimmarrës i tij është Mbledhja e Përgjithshme, e përbërë nga 21 anëtarë, nga të cilët 7 janë juristë. Mbledhja e Përgjithshme zgjedh drejtorin Ekzekutiv dhe Bordin Këshillor.
Niazi Jaho nuk ka qenë dhe nuk është drejtor Ekzekutiv i KSHH-së.
24 Shkurt 2009