E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tarifat që kanë ndryshuar për shërbimet e noterëve

Botohet i plotë udhëzimi i fundit, që mban firmat e ministrave Alibeaj dhe Bode. Pagesat që do të aplikohen për klientët duke filluar nga 26 shkurti

Laureta Rryçi

Tiranë - Për një sërë dokumentesh që duhet të marrim te noterët duhet të paguajmë tarifa të ndryshme. Mirëpo në ditët e para të muajit mars do të aplikohen tarifa të reja për shkak të një udhëzimi që mban firmën e ministrit të Drejtësisë dhe atij të Financave. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë të gjitha tarifat e reja dhe sjell në numrin e sotëm ato që janë të vlefshme aktualisht për më shumë se 50 shërbime që ofrohen vetëm nga noterët. Sipas ligjit, çdo noter duhet t’i afishojë tarifat e përcaktuara nga shteti të printuara, në një vend të dukshëm, në mënyrë që qytetarët të jenë në dijeni të tyre. Këto tarifa, që zbatoheshin deri tani, janë miratuar para shumë vitesh dhe nuk kanë pësuar ndryshime deri me urdhrin e fundit, që mban datën 12 shkurt 2008. Urdhri i fundit dhe projektligji për Noterinë, i hartuar nga Ministria e Drejtësisë, pritet të ndryshojë jo vetëm tarifat për shërbimet, por edhe mënyrën se si do të funksionojnë noterët dhe monitorimi që do t‘u bëhet mbi zbatimin e detyrimeve ligjore.
Udhëzimi
Sipas udhëzimit të ri, pullat vendosen në çdo kopje të dokumentit të lëshuar, për të gjitha dokumentet që, sipas ligjit, duhet të pajisen me pulla. Dokumentet janë të vlefshme kur pulla është e vulosur nga organi që kryen shërbimin. Për plotësimin e vlerës së pullës për aktet që lëshohen mund të përdoren një ose më shumë pulla, me kusht që ato të plotësojnë vlerën e tarifës. Tarifa e paguar nuk kthehet kur hiqet dorë nga kryerja e veprimeve gjyqësore apo noteriale. Institucionet përgjegjëse për vjeljen e tarifave me anën e pullës planifikojnë dhe porosisin pullat, sipas nevojave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Mbi tarifat e shërbimit të përfshira në këtë udhëzim nuk aplikohet TVSH-ja (Tatimi për Vlerën e Shtuar). Këto tarifa aplikohen në çdo rast, pavarësisht tarifave të shërbimit, të parashikuara në akte të tjera ligjore apo nënligjore.
Tarifat aktuale
Për 42 shërbime që ofrojnë noterët deri tani janë zbatuar tarifa të ndryshme, që variojnë nga 500 lekë e deri 30 mijë lekë të rinj. Qytetarëve u duhet vërtetimi i noterit si për përpilim testamenti, për prokurorë të posaçme, për t’u përfaqësuar në proces gjyqësor etj. Për kontratë qiraje është 2500 lekë, ndërsa për kontratë hipotekimi paguhet 3000 lekë. Ligji që përcakton tarifat ka vënë rregulla të reja për rastet kur bëhet fjalë për kalim pasurie të luajtshme dhe të paluajtshme. Tarifat për shërbime të tilla variojnë sipas shifrës së pasurisë që do të kalohet. Ato nisin nga 3 mijë lekë e shkojnë deri në 150 mijë lekë të rinj.

Tarifat e reja të pullës, që do të zbatohen për veprimet që kryhen nga zyrat noteriale

450 lekë
Përpilimi i testamenteve me akte noteriale

200 lekë
Depozitimi i testamenteve ollografe

200 lekë
për prokura (redaktim) të përgjithshme

200 lekë
për prokura (redaktim) të posaçmen

200 lekë
Për lëshimin e kopjeve, shkurtime e pjesë të akteve të depozituara në zyrën noteriale

200 lekë
Vërtetim se kopjet ose shkurtimet e dokumenteve janë të njëjta me origjinalin

200 lekë
Vërtetim përkthimi dhe vërtetim njësie me origjinalin

700 lekë
Kontrata për kalim pronësie të pasurisë së luajtshme

1000 lekë
Kontrata për kalim pronësie të pasurisë së paluajtshme

200 lekë
Redaktimi i akteve noteriale të ndryshme

200 lekë
Njoftim dhe kujtesë noteriale ose akte të tjera jashtëgjyqësore

200 lekë
Legalizim i nënshkrimit të shtetasve në akte të ndryshme

300 lekë
Pranimi për ruajtje të dokumenteve të personave fizikë dhe juridikë në zyrat noteriale

200 lekë
Vërtetimi i qenies së një personi dhe qëndrimi i tij në një vend të caktuar

200 lekë
Kundërshtimi i çekut dhe kambialit (protesta)

200 lekë
Kontratë qiraje

200 lekë
Kontratë huaje

200 lekë
Kontratë sipërmarrje

200 lekë
Veprime të tjera noteriale

Box
Tarifat që aplikohen

23 mijë lekë

Është tarifa që paguan një person për të bërë një akt noterial për shumën që posedon, e cila varion nga 10 milionë lekë deri në 15 milionë lekë

150 mijë lekë

Është shuma e lekëve që paguan një pronar për një akt noterial. Kjo shumë parash për këtë kontratë është për vlerën e objektit mbi 100 milionë lekë

3 mijë e 500 lekë

Është shuma që paguhet për të përpiluar një testament. Por me një kusht, nëse ky i fundit bëhet në zyrë

700 lekë

Është shuma e parave paguan një person te noteri për të bërë një prokurë për tërheqje pensioni

1500 lekë

Paguan një pronar objekti për të bërë një kontrate hipotekimi për pasuri të paluajtshme

2000 lekë

Paguan i punësuari për të bërë një kontratë pune me një punëmarrës

2000 lekë

Paguan një person për një akt noterial (pagesa llogaritet për një orë punë) ku tregon se është pjesëmarrës në mbledhjen e ortakëve të një shoqërie tregtare

3000 lekë

Është shuma që paguhet për një akt pjesëtimi pasurie të paluajtshme me dy bashkëpronarë

1500 lekë

Është shuma që paguan një pronar për të bërë një deklaratë te noteri për heqje dorë nga bashkëpronësia

8 mijë lekë

Kushton një kontratë që do të paguajë një person te noteri për të vërtetuar këmbimin e pasurisë së paluajtshme

2500 lekë

Është shuma që paguan një qiramarrës për të bërë një kontratë qiraje me pronarin e shtëpisë që do marrë me qira

20 000 lekë

Është shuma e përpilimit dhe vërtetimit të akteve të shoqërive tregtare me përgjegjësi të kufizuar që do paguash te një noter

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›