E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i Bashkisë së Tiranës hyn në fuqi ligjërisht

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak vë në dijeni Prefektin me anë të një shkrese. Marrin fund peripecitë për votimin e buxhetit të Tiranës

Emanuela Sako

Buxheti i Bashkisë së Tiranës përfundimisht hyn në fuqi sipas procedurave ligjore. Pas shumë debateve dhe lojërave politike, tashmë kryeqyteti do të ketë buxhetin e ri për këtë vit. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Petraq Simo, i dërgoi dje një shkresë Prefektit të Tiranës ku sqaroi se buxheti shpallet i vlefshëm nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Sipas nënkryetarit, loja politike tashmë ka marrë fund dhe buxheti ka marrë votat e konsiderueshme nga anëtarët e Këshillit për t’u miratuar. Në këtë mënyrë do t’u hapet rrugë investimeve që janë parashikuar në këtë buxhet. Kështu, Bashkia e Tiranës ka të drejtë të lëvrojë fondet e parashikuara për shumë projekte që do të realizohen në të gjitha zonat e kryeqytetit. Këto investime janë mbajtur pezull deri në momentin e shpalljes së vlefshmërisë që iu bë buxhetit gjatë ditës së djeshme.
Deklarata
Deklarata e nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Kristaq Simo, u ka dhënë fund kundërshtimeve politike dhe kontestimeve që i janë bërë buxhetit muajve të fundit. Ai i ka konsideruar kundërshtimet e bëra nga disa prej anëtarëve të Këshillit dhe Prefektit të Tiranës tërësisht politike dhe bllokuese për projektet e Bashkisë së Tiranës. “Berisha dhe Meta duhet të gjejnë diçka tjetër për të vazhduar muajt e mjaltit politik mes tyre e jo buxhetin e Tiranës, që boll e mbajtën peng për interesat e tyre, në dëm të interesave të qytetarëve. Refuzimi i Prefektit është vazhdim i lojës së Berishës e Metës, por për mua kjo lojë është e mbyllur. Me votat e shumicës dhe në bazë të Kushtetutës e Ligjit, buxheti ka hyrë në fuqi. Këtë ia kam komunikuar me shkrim edhe Prefektit, përmes Shkresës me Nr. Prot.1425/2; dt.23.02.2009”, - u shpreh nënkryetari Simo.
Debatet
Pavarësisht debateve të shumta dhe kundërshtimeve politike që iu bënë buxhetit të Bashkisë, tashmë është dhënë zgjidhja përfundimtare. Pas bllokimit që iu bë nga anëtarët e LSI-së dhe PD-së, ishte dhe Prefekti i Qarkut të Tiranës që kundërshtoi disa pika të këtij buxheti. Sipas drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, buxheti është përpiluar mjaft mirë, por situatat politike ndikuan në mosmiratimin nga ana e Prefektit të Tiranës. Herën e fundit, buxheti u votua me 29 vota pro, nga të cilat 22 janë dhënë nga anëtarët socialistë dhe të PSD-së dhe 7 vota të tjera nga partitë e vogla. Votimi u shpall i vlefshëm nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërsa u kundërshtua nga kryetari i Këshillit Bashkiak, i cili e ka konsideruar të pavlefshëm votimin dhe së fundi edhe nga Prefekti i Tiranës. Kreu i Bashkisë e ka cilësuar si një sulm politik për të penguar zhvillimin e kryeqytetit dhe punën e Bashkisë. Tashmë që vendi është në prag zgjedhjesh parlamentare dhe situata politike po vjen drejt “nxehjes”, loja politike duket se u përdor për të mbajtur pezull punët në Bashkinë e Tiranës. Bashkia e Tiranës, shpeshherë, në deklaratat e saj zyrtare, ka kërkuar ndërgjegjësimin e forcave politike për ta shmangur këtë pretekst dhe për t’u hapur rrugë projekteve të nisura.

24 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›