E Shtunë, 31 Tetor 2026

KSHZ: PDSH dhe BDI nga 13 deputetë

Autori i Lajmit: red.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i përcaktoi mandatet të cilat në bazë të votave të numëruara partitë politike do ti kenë në Parlament.
Sipas këtyre rezultateve 64 deputetë do t i ketë koalicioni i prirë nga VMRO-DPMNE, koalicioni “Dielli” i udhëhequr nga LSDM me 28, 13 PDSH, 13 BDI dhe nga një vend parlamentar do të kenë Partia për Prosperitet Demokratike (PPD) dhe Partia për Ardhmëri Evropiane (PEI). Këto rezultate nuk janë përfundimtare shkaku se në disa vendvotime, ku ka pasur keqpërdorim të votës do të ketë rivotim. Ndërkohë, afati për dorëzimin e ankesave për parregullsitë, të cilat ndodhën gjatë zgjedhjeve përfundon sonte në ora 19:00. Zëdhënësi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Zoran Tanevski deklaroi se partitë politike deri në ora 13:00 nuk kanë sjellur ankesat lidhur me incidentet e fundit që ndodhën në ditën e zgjedhjeve të 1 qershorit. Disa shtabe partiale u akuzuan për dhunë dhe prishje të procesit zgjedhor, kurse akuza kishte edhe për mbushje të kutive nga persona të armatosur.
VMRO-DPMNE
Në Maqedoni, partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE dhe koalicioni i drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski ka fituar zgjedhjet e përgjithshme. Në bllokun shqiptar dy subjektet kryesore, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike, thonë se kanë fituar. Por, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se në përparësi me 10 mijë vota është BDI. Në ditën e votimit një person vdiq dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë disa incidenteve që u shënuan sidomos në pjesën shqiptare. KSHZ-ja thotë se zgjedhjet mund të përsëriten në disa qendra votimi. Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim të madh për aktet e dhunës.
Fitore historike
Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri Gruevski tha se fitorja e subjektit që ai drejton është historike. ”VMRO-DPMNE dhe koalicioni Për një Maqedoni më të mirë do të ketë mbi 60 deputetë në parlamentin e Maqeodnsië”, tha z. Gruevski. Ky rezultat i mundëson z. Gruevski shumicën në parlament. Blloku opozitar me në krye Lidhjen Social- Demokrate e pranoi humbjen. Radmilla Shekerinsa është kryetare e opozitës: ”I uroj koaliconit dhe VMRO-DPMNE-së për rezultatin zgjedhor” , tha Radmilla Shekerinsa, drejtuese e opozitës.
BDI në përparësi
Në mesin e partive shqiptare, sipas KSHZ-së, nga votat e numëruara në 82 për qind të vendvotimeve, BDI e Ali Ahmetit është në përparësi prej rreth 10 mijë votash ndaj PDSH-së. Por z. Menduh Thaçi kryetar i PDSH-së, thotë se partia e tij ka fituar: ”Është fitorja më e rëndë, më e vështirë por më e lezetshme për PDSH-në”. Izet Mexhiti ndërkohë është kryetar i shtabit zgjedhor të BDI-së: ”Në të gjitha zonat ku nuk ka pasur vrasje, mbushje të kutive dhunim të procesit zgjedhor BDI shënon fitore bindëse,” tha ai.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›