E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “3,5 milionë euro”, pasurohet Hyka

Autori i Lajmit: red.
Në fund ishin 6 zero. Madje, pas 6 zerove, ishte shenja e euros. Jahmir Hyka është 20-vjeçari më i lumtur i kryqëzimit që lidh Ministrinë e Drejtësisë me gjimnazin “Sami Frashëri”. Ndoshta edhe ca më shumë. Goli, që, për hir të së vërtetës, nuk është arma e tij më e fortë, erdhi. Dhe shënoi në mënyrë të shkëlqyer. I bëri të gjitha vetë në këtë merkato. Dribloi, pasoi dhe në fund rrjetë. Njësoj si ai gol kundër Elbasanit. Atëherë kishte dy mbrojtës dhe një portier kundër, tani diçka më shumë.
Mainz. Ndokush tha: Po Mainz ka rrjedhur. Blen një shqiptar për 3.5 mln euro?! Gjithnjë ka një përgjigje. “Unë besoj se të gjithë kemi bërë një operacion të shkëlqyer, por të vështirë, – tha menaxheri i Hykës, Haxhia. - Mainz ishte më konkrete dhe kishte shifrën më të lartë. Pastaj është Gjermani…”. Nuk ishte vetëm Mainz. Çfarë ka ndodhur pas 45 minutave magjike me Poloninë? “Hyka ka qenë gjithnjë në fokusin e skuadrave ndërkombëtare”,- shpjegon Haxhia, - por shifra filloi të rritej pas atij përfaqësimi kundër polakëve. Ditën e shtunë në mbrëmje kishim katër oferta zyrtare: ishte Frajburg, Mainz, Munshegldbah dhe Këln. Dhe sigurisht edhe Dinamo Zagreb që dihej. Gjatë ditës së shtunë folëm gjatë me menaxherët e të katër skuadrave. Dinamo Zagreb e kishte ofertën zyrtare, ata kërkonin vetëm një përgjigje të hënën në mbrëmje. Adrian Aliaj, i cili gjithashtu tani është një menaxher, ka bërë një punë të shkëlqyer gjatë kësaj fundjave duke na ndihmuar. Të dielën në mbrëmje jam ulur me Hykën dhe i kam thënë: Këto janë ofertat, të gjitha janë gati për firmë, tani vendos ti. Hyka telefonoi familjen dhe erdhi në dhomën time. Dua Mainzin. Të hënën në mëngjes bëmë vizitat mjekësore dhe mbasdite hodhëm firmën. 3.5 milionë euro për tre vite, nga të cilat 49% sipas rregullave të shtetit gjerman përfundojnë taksa. Në dorë merren 1.7 milion euro, ku brenda përfshihet edhe vlera e kartonit”.

Klubi i jep “premio ekstra” shqiptarit për transferimin. Firma ka edhe benefice të tjera

Përtej shumës “fantastike” që Hyka do të përfitojë në Gjermani, klubi i Mainzit i ka ofruar futbollistit shqiptar dhe një makinë në dispozicion. Një tip BMV, e cila kushton të paktën 80 mijë euro. Hyka gjithashtu do të ketë edhe 12 bileta avioni në vit, në linjën Franfkurt-Tiranë. “Shtëpia nuk është një problem. Klubi ka një hotel me 5 yje, i cili sigurisht është shumë komod për një beqar si Hyka, megjithatë djali do ta shohë vetë. Nëse nuk i pëlqen në këtë hotel, mund të marrë një shtëpi me qira, sepse rroga mujore ia ofron këtë mundësi. Gjithsesi, ky duket problemi i fundit. Kushtet e stërvitjes janë të shkëlqyera”,- tha menaxheri Haxhia. Vetë Hyka ka mbetur i impresionuar nga kompleksi stërvitor i Mainzit. Skuadra, e cila për 2 pikë nuk arriti të ngjitej në kategorinë e parë gjermane, këtë vit do të provojë të pamundurën. “Një kompleks si ky as te Rozenborg nuk e kisha pare, - tha vetë Hyka, – unë shpresoj që me mua skuadra të ngjitet në Bundesligën 1, do të ishte një kënaqësi e madhe”. Dhe disa para më shumë.

Detajet e transferimit

Hyka ka luajtur deri në vitin 2005 me skuadrën e Dinamos. Është aktivizuar me skuadrën e të rinjve pa luajtur asnjë ndeshje profesioniste.
Në vitin 2005 operohet në Austri pas një problemi në gju dhe vijon më pas karrierën me skuadrën e Rozenborgut në Norvegji. Edhe aty luan me skuadrën e dytë.
Në janar të vitit 2007 firmos me skuadrën “Olimpik” në Tiranë, dhe kjo e fundit e dërgon 6 muaj huazim te Olimpiakos në Greqi. Kthehet në Tiranë dhe për një vit luan në formë huazimi te skuadra e Tiranës.
Hyka firmosi të hënën me Mainz dhe do të përfitojë në total 1.7 milionë euro në dorë për harkun e tri viteve. Një pjesë të kësaj shume do ta marrë sigurisht klubi shqiptar “Olimpik”, i cili e kishte nën kontratë Hykën. Ai do të mbajë numrin 18 në fanellë.

Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›