E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE, incidentet e zgjedhjeve janë serioze

Autori i Lajmit: red.
Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se zgjedhjet në Maqerdoni "nuk përmbushën standardet kryesore ndërkombëtare". Një raport paraprak i vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it tha se gjatë zgjedhjeve ka pasur pengesa serioze për të ushtruar të drejtën e votës.
Raporti në mënyrë të drejtëpërdrejtë konsideron si përgjegjëse autoritetet, të cilat siç thuhet "nuk kanë parandaluar dhunën dhe frikën në rajonet e banuara me shqiptarë". Shefi i misionit të OSBE-së në zgjedhjet maqedonase, Robert Berry dha një intervistë për BBC-në.
Sa serioze janë këto incidente?
Ne besojmë se incidentet janë serioze. Jo vetëm incidetet e dhunshme, por edhe ato të shkeljes së qëllimshme të ligjit zgjedhor. Kishte shumë raste kur kutitë u vodhën, kishte raste kur kutitë mbusheshin me vota, kishte raste kur vëzhguesit nuk lejoheshin të qëndrojnë në vendvotime. Numërimi i votave në disa raste zhvillohej në mënyrë jo të qartë.
Ju e bëtë të qartë se përgjegjës për procesin zgjedhor janë autoritetet, nuk ishin ata të vetëdijshëm për këtë?
Ne kemi folur për këtë prej pesë javësh, që kur se jemi këtu. Bëmë edhe një raport në të cilin theksuam këto shqetësime. Ata vetë e kanë bërë të ditur se janë përgjegjës, por fatkeqësisht, autoritetet që duhet të sigurojnë zbatimin e ligjit, kishin një qasje selektive.
Çfarë do të thotë qasje selektive?
Kjo do të thotë se në mënyrë të qartë favorizohej një parti ndaj një partie tjetër.
Por, cila është përgjegjësia e autoriteteve atëhere në incidentet më serioze, si ai kur një person u vra?
E vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se masat parandaluese nuk ishin të fuqishme sa duhet.
Në disa raste zyrtarë të lartë kanë lënë të kuptohet se problemet zgjedhore kanë të bëjnë vetem me shqiptarët, ndërkohë që janë lavdëruar me procesin zgjedhor, si i vlerësoni këto qëndrime?
Nuk mund të keni zgjedhje demokratike vetëm në një pjesë të vendit. Vendi shihet si tërësi dhe puna jonë është të vlerësojmë veprimet në gjithë territorin e vendit.
A mendoni se pas thirrjeve që keni bërë, autoritetet do të ndërmarrin masat e duhura?
Zyrtarë të lartë shtetërorë më kanë siguruar një gjë të tillë. Vendi ka një shans që të përmisojë imazhin. Por, ne jemi këtu që të vëzhgojmë procesin.
Ky lajm është publikuar: 04/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›