KS/J1 Dinamo – Flamurtari 0-1

Flamurtari triumfoi 1-0 në “Qemal Stafa” kundër kampiones së Shqipërisë, Dinamo, në ndeshjen hapesë të Kampionatit të 72-të Kombëtar të Futbollit, ndërkohë që golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, Daniel Xhafaj (atëherë në radhët e Besës), me golin e tij në minutën e 24-t u bë shënuesi i golit të parë të edicionit 2010-2011.
Edhe sezonin e kaluar, Flamurtari fitoi në ndeshjen hapëse kundër Tiranës (3-1) dhe po në “Qemal Stafa”, ndërkohë që në sezonin 2008-2009 kishte fituar në javën e parë 1-0 ndaj Besës në Kavajës. Për vlonjatet kjo ishte fitorja e katërt rresht në javën e parë, duke futur në këtë llogari edhe fitoren 1-0 ndaj Tiranës në sezonin 2007-2008.
Dinamo, pas humbjes në finalen e Superkupës së Shqipërisë ndaj Besës (1-3), fitueses së Kupës së Shqipërisë, paraqiti një ekip të varfër dhe shumë larg atij profili të lartë loje të ideuar e frymëzuar nga ish-trajneri Shkëlqim Muça gjatë sezonit të kaluar, të cilin praktikisht e fitoi qysh në mbarimin e fazës së dytë.
Pas eliminimit në turin e dytë e eliminator të Ligës së Kampioneve kundër moldavëve të Sherif Tiraspolit, humbjes në Superkupën e Shqipërisë kundër Besës dhe në javën e parë të kampionatit me Flamurtarin, trajneri argjentinas i bluve, Luis Manuel Blanko (i larguar duke mos dhënë asnjë deklaratë për gazetarët pas ndeshjes), duket se nuk ndihet aspak komod në bankinën e kampionëve të Shqipërisë.
STATISTIKA
Kjo ishte ndeshja e 120-të midis dy skuadrave, ndërsa Flamurtari regjistroi fitoren e 28-të (e dyta rresht) kundrejt 65 fitore të Dinamos (27 barazime). Goli i Daniel Xhafaj ishte i 104-ti i vlonjateve kundër dinamovitevë, të cilët nga ana e tyre kanë shënuar 192 gola.
DETAJE
• Daniel Xhafaj shënoi golin e parë të sezonit 2010-2011
• Sulmuesi vlonjat realizoi golin e tij me numër 157 në kampionate
• Flamurtari fiton për të dytën herë resht ndaj kampiones në fuqi në javën e parë. Sezonin e kaluar e bëri ndaj Tiranës (3-1)
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Diele, 22 Gusht 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili