KUSH DUHET T’I SHPËTOJË SHQIPTARËT?
Të nderuar lexonjës.
Kur struganët, dibranët, tetovarët dhe shehërlinjtë e katundarë tjerë të rrethkufirit shqiptaro shqiptar, marrin udhën periferike të Shkupit, në anën e majtë shohin fshatin me emrin Bardovcë. Në atë fshat ekziston një Spital mental, në hapësirat e të cilit, padrejtësisht, janë sistemuar njerëz që “kanë luajtur nga mendtë”. Janë njerëz që pa dëshirën e tyre, detyrimisht i nënshtrohen kurimit dhe rehabilitimit të tyre mental. Ata që profesionalisht merren me shërimin e tyre dhe që kanë karaktere nga më të ndryshmet, janë njerëz me mendje të “syrgjynosur”, që jetojnë veresi dhe në një lëkurë... Thjesht, ata u duken si kufoma të pavarrosura. Nuk do pandehin të thonë se ata, duke qenë të leqendisur nga sëmundja psikike dhe pavarësisht se jetojnë jashtë realitetit, kurrën e kurrës, askënd nuk do gënjejnë, nuk do të korruptojnë por ama, as do lejojnë që të korruptohen dhe të abuzohen nga mjekët e tyre, të cilët në vijimësi i ushqejnë me rrena se së shpejti do të shërohen, për t’u kthyer andej nga erdhën, po tani psikikisht të shëmtuar e të sakatosur...! Ata do i kthejnë në kopshtin e teatrit dhe të arrogancës, në kopshtin e katrahurës, në kopshtin e hipokritëve që fare nuk sikletosen, në avllinë e njerëzve të cilët shkëmbejnë buzëqeshje tallëse, cinike dhe djallëzore. Ata do i kthehen kopshtit “sui generis”, që ka kohë që i mungojnë standardet etike, hierarkia e vlerave të mirëfillta, ndërgjegjja profesionale si dhe, përgjegjësia vetjake e kolektive... Të gjithë këto nocione do të zëvendësohen me retorika boshe. Ndonëse sëmundja e tyre është institucionalisht e (pa)përcaktuar, nuk e kanë në natyrë të bëjnë “zullume publike”! Ata nuk do moralizojnë, ata do kundërshtojnë “qyfyrexhinjtë”, megalomanët dhe derdimenët, me të vetmin motiv, për të shpëtuar vetveten nga njerëzit që ua nxorën mendtë. Do thonë se gabimisht janë sistemuar në hapësirat e Çmendinë-s. Në vend të tyre “është dasht” të sistemohet, Mark Antoni, qytetari i Perandorisë së lashtë të Romës, i cili duke u mahnitur “...nga bukuria e hundës së Kleopatrës i vuri flakën Romës”! Një i tillë ishte dhe Adolf Hitleri, me urdhëresën e të cilit u vranë me miliona njerëz. Edhe ky nuk përfundoi atje ku përfundojnë të marrët. Përkundrazi, zgjodhi bunkerin e Fridrihshrases së Berlinit! Edhe ky nuk arriti të shpëtojë Gjermaninë dhe gjermanët!? Enver Hoxha i cili duke u marrosur e katandisur si mos më keq, në emër të komunizmit, do vrasë, do burgosë dhe do internojë mijëra shqiptarë, me mendje të ndritura, shpërthyese dhe të inatosura, në mesin e të cilëve do jenë: shkrimtarë, atdhetarë, kombëtarë dhe luftëtarët e përhershëm për mendimin dhe krijimin e lirë si dhe monumentet e rezistencës intelektuale, morale dhe artistike... Do i likuidojë të gjithë ata, të cilët me qëndrimet e tyre të guximshme kundërshtuan politikën e kërbaçit dhe grushtin e hekurt të diktatorit... i cili fatkeqësisht nuk arriti të shpëtojë vetveten, Shqipërinë dhe shqiptarët gjithandej ku frymojnë dhe veprojnë. Edhe ky nuk përfundoi në “Bardovcën” e Gjirokastrës?! Këto ishin vetëm ca nënvizime nga përditshmëria e njerëzve brenda dhe jashtë Bardovcës. Po cilët janë historitë e shpëtimit të shqiptarëve. Historitë e shpëtimit të shqiptarëve sipas Aleks Budës kanë këto rrjedha “... ne shqiptarët nga Greqizimi na shpëtuan Romakët, nga latinizimi na shpëtuan Bizantinët, nga sllavizimi na shpëtuan Turqit, ndërsa nga Turqit dhe Turqizmat duhet të shpëtojmë vet”! Për të shpëtuar vetveten duhet të kesh këllqe, ndryshe nuk bën.
Nëse shqiptarët gjatë historisë së tyre 2000 vjeçare u shpëtuan nga romakët, bizantinët, turqit dhe tash në fund edhe nga amerikanët, atëherë pse nuk bëjnë së paku një çap (qoftë edhe çap i shkurtër) për të shpëtuar dot vetveten dhe lere që nuk e bëjnë këtë, përkundrazi për inat, do i dalin në mbrojtje të keqes, përçarjes politike, asaj ndërvëllazërore dhe gjithë asaj që nuk do të duhej të jetë në psikologjinë dhe në karakterin tonë. Ka kohë që nuk duken atypari njerëz, (“me përjashtim të atyre të Bardovcës”) të cilët do të duhet ta shpëtojnë kulturën tonë, ta shpëtojnë dhe ta mbrojnë Gjuhën tonë të folur e të shkruar, nga kontrabandistët dhe abuzuesit e saj. “Trafikantët” atë gjuhë e konsiderojnë dhe e shikojnë si një: “…plaçkë që për çdo ditë nxirret në pazar për ta shitur hiq pa pare”! Ka shumë alamet antigjuhëtarë që akuzojnë gjuhëtarët për antigjuhëtari?! Janë antigjuhëtarë që asnjëherë nuk do thonë: “O popull që unë të shërbej me hile, të lutem ma lehtëso pak këtë turp”?! Ndërkaq ata që pamëshirshëm mbrojnë të vërtetën karshi një katrahure që ka kapluar shoqërinë transitore, janë të paktë, por, janë të paktë edhe ata që kanë krijuar historinë e brengës...! Parashtrohet pyetja se, kush duhet ta shpëtojë sistemin arsimor pa sistem, që ka kohë që ka marrë tatëpjetën, një sistem që karakterizohet me një organizim hapësiror komenskian si dhe me një mësimdhënie dhe mësimnxënie tradicionale. Kësi defektesh do të hetohen në arsimin fillor tetëvjeçar- nëntëvjeçar, të mesëm e duke përfunduar me universitetet publike dhe ato private. Gojëkëqijtë do thonë se disa universitete private me akreditime të dyshimta u përgjajnë fabrikave ku prodhohen: diploma, “doktoratura e magjistratura apo analfabetë të licencuar” dhe kur këto diploma vihen në zbatim, dalin qesharake para syve të atyre që janë profesionistë! Është një sistem arsimor që nuk gjen dot as të vetmen alternativë për të shpëtuar nga amullia. Askush nuk sikletoset në kërkim të shpëtimit të kësaj veprimtarie shoqërore gjegjësisht, të arsimit. Në vend që kjo fushë të shpirtërohet, fisnikërohet dhe të humanizohet, ajo do të materializohet dhe skajshëm do të vulgarizohet. Opinioni intelektual ka kohë që e ushqen një ide filozofike: “ Dhëntë zoti që shqiptarët shpëtofshin nga njëri-tjetri tha Sami Frashëri, por kjo s’është e thënë se ne kemi ca të këqija që s’rregullohen kurrë”, tha Faik Bej Konica.
P. S.
Është një shprehje proverbiale ku, pos tjerash thuhet “Kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara: po t’i biesh nga koka, ecën prapa”. A ka ky nënqiell burrë zakoni që do godasë në kokë: katrahurën, papërgjegjësinë, injorancën, hipokrizinë, arrogancën... Nëse s’ka, atëherë ky opinion im gazetaresk le të jetë llaf bosh.