E Shtunë, 31 Tetor 2026

KUSHTETUESJA TRADHTON KUSHTETUTEN

Që këtej e tutje, populli shqiptar, domethënë Sovrani, nuk do të ketë të drejtë që, me anë të një referendumi të korrigjojë çdo lloj ndryshimi që mund t‘i bëhet Kushtetutës nga përfaqësuesit e tij në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët mund të vendosin, me një konsensus të gjerë mes tyre, që Republika të shpallet Monarki ose që Shqipëria të shpallet edhe një herë Diktaturë e Proletariatit, apo që të ndalohet pluralizmi politik e të tjera gjëma si këto. Por populli nuk do të mund të bëjë asgjë. Ai nuk do të mund t‘u kundërvihet ndryshimeve të tilla thelbësore të Kushtetutës që e transformojnë rrënjësisht sistemin politik. Pse? Sepse kështu ka vendosur, para pak ditësh, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pasi gjykoi çështjen e paraqitur nga një grup nismëtar për zhvillimin e një referendumi, që do t‘i jepte mundësi popullit të shprehej me votë për disa amendamente të Kushtetutës, të realizuara më 21 prill të vitit të kaluar, nga një shumicë dërrmuese deputetësh të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Kështu, Shqipëria do të jetë nga të rrallat shtete "demokratike", ku populli nuk do të ketë më të drejtë të ushtrojë drejtpërdrejt sovranitetin lidhur me një çështje të rëndësisë së veçantë, sikundër është ajo e ndryshimit të Kushtetutës nga Parlamenti, pavarësisht se vetë Kushtetuta ia njeh sovranit-popull një të drejtë të tillë. Sepse kështu ka vendosur pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese dhe këtej e tutje, të gjithë do t‘i drejtohen këtij interpretimi të bërë prej saj. Vendimi në fjalë është dukshëm një shembull klasik i keqinterpretimit të Kushtetutës për të gjymtuar vullnetin e sovranit-popull. Ai është dhe një tjetër tregues i mjerimit të krejt sistemit të drejtësisë në Shqipëri, i shndërrimit të tij nga maja deri në themel, në një zbatues skllav dhe mediokër i vullnetit të lidershipëve politikë. Dhe akoma më shumë, heshtja mediatike dhe publike që shoqëroi këtë vendim shumë të rëndësishëm të Kushtetueses, dëshmon se tashmë në Shqipëri thuajse nuk ekziston më ai që, në botën perëndimore, quhet opinioni publik!

***

Më 21 prill 2008, shumica e bashkuar e deputetëve PS-PD miratuan disa ndryshime në Kushtetutën e Republikës që, jo vetëm ndryshonin thelbësisht sistemin zgjedhor, por fuqizonin shumë edhe Kryeministrin e vendit. Në Parlamentin e ardhshëm, Berishën mund ta rrëzojë vetëm Berisha! Edhe pse ka minimumin e votave si shumicë. Këtë kanë bërë amendimet e 21 prillit. Presidenti i Republikës mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Pra, Berishës do t‘i duhet vetëm një votë deputeti, mbi 70 mandatet që ka marrë koalicioni i tij, për të zgjedhur pas dy vjetësh Presidentin e Republikës. Pra, do ta ketë shumë të lehtë ta kapërcejë një krizë për Presidentin, edhe po të mos gjejë mbështetjen e LSI-së dhe Ilir Metës. Amendamentet kanë shmangur krizat politike, por kanë bërë më të sigurt diktatin e qeverisë që jo vetëm politikanë shqiptarë, por edhe diplomatë nga Europa në Tiranë, e përflasin si "stabilitet".

Por e keqja e 21 prillit nuk mbaron këtu. Amendimet e Kushtetutës e kanë bërë edhe prokurorinë (të paktën sipas vlerësimeve të Komisionit të Venecias), një institucion më pak të pavarur nga qeveria. Dhe kjo, bashkë me zgjedhjen e Presidentit që është kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është një ogur i zi për pavarësinë e krejt pushtetit të drejtësisë, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që kanë kapur nivelet më të larta të politikës dhe qeverisjes. Me operacionet e kryera në Kushtetutë, jo vetëm Parlamenti, por edhe krejt sistemi i shtetit, do ta kenë edhe më të vështirë të baraspeshojnë arrogancën e një qeverie dhe një Kryeministri autokrat. Duhet thënë hapur se më 21 prill shteti shqiptar ka bërë hapa prapa drejt një sistemi autoritarist të cilit jo vetëm mungesa e drejtësisë së pavarur, por edhe minimizimi nga amendimet e Kushtetutës i shanseve për një prokurori dhe drejtësi të pavarur, i japin tipare absolutiste.

***

Ishte mungesa totale e transparencës (amendimet nuk u diskutuan fare në publik dhe u miratuan rrufeshëm) si shqetësimi për rrezikimin e lirisë së sistemit politik, që i detyroi disa figura të njohura të shoqërisë civile, por edhe figura politike si Agolli, Meidani dhe Moisiu, disa parti politike si LSI, LZHK, PSD, PDS, AD, si dhe organizata të shoqërisë civile si Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, "Mjaft"-in apo edhe shoqatën e të përndjekurve politikë, që të kërkonin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tërheqjen e formularëve për organizmin e një referendumi ku vetë populli do të shprehej lidhur me amendamentet e 21 prillit. Por e instruktuar politikisht, KQZ tejkaloi të gjitha kompetencat e saj duke i mohuar grupit nismëtar të drejtën e tërheqjes së formularëve dhe praktikisht, edhe të drejtën e nisjes së organizmit të një referendumi. Në gjykimin dhe mënyrën e votimit të KQZ u shfaq hapur pozicionimi partiak i anëtarëve të tij. Tetë anëtarë (4 të PD dhe 4 të PS) votuan kundër kërkesës së grupit nismëtar dhe vetëm 1 (i LSI) pro. Eshtë ironike të shohësh sot lidershipin e PS dhe Edi Ramën të qahen për gjykimin politik dhe aspak të pavarur që KQZ u bëri kontestimeve të zgjedhjeve në disa zona si Berati, Shkodra apo Tirana. Sepse në fakt e gjithë kjo është një padrejtësi dhe e keqe që kjo parti dhe lidershipi i saj jo vetëm nuk e kanë luftuar me kohë, por e kanë ushqyer edhe vetë. Rasti i referendumit të Kushtetutës është një provë e qëndrimit politik të KQZ ku ka pjesën e vet të mëkatit edhe PS. Një mëkat pasojat e të cilit po i vuan sot PS, por mjerisht, edhe e gjithë demokracia.

***

Qëndrimi politik i KQZ e detyroi grupin nismëtar t‘i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të KQZ, si dhe interpretimin e nenit 150/1 të Kushtetutës që u njeh të drejtën 50 mijë shtetasve të kërkojnë shfuqizimin e një ligji me anë të një referendumi të përgjithshëm popullor. Si përherë kur është fjala për vendime që prekin interesat e botës politike, Gjykata Kushtetuese e zvarriti procesin për muaj me radhë. Çështja u mor në shqyrtim në nëntor 2008 dhe vendimi u dha pas rreth 6 muajsh në korrik 2009. Duket se nuk është një rastësi që për të bërë publik vendimin, u zgjodh data 24 korrik kur e gjithë vëmendja ishte përqendruar te problematika e zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe në prag të pushimeve të verës. Duket se nuk është fare rastësi që vendimi nuk u dha në seancë siç normalisht duhet të veprojë një Gjykatë Kushtetuese. Nuk pati fare solemnitet.

Thjesht një sekretare i dorëzoi në derën e Gjykatës përfaqësuesve të grupit nismëtar dhe të Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, një zarf të mbyllur me vendimin e Gjykatës. Të krijohet përshtypja se Kushtetuesja kishte zgjedhur t‘i bënte gjërat pa zhurmë e bujë, pa media e publicitet sikur nuk qe fjala për një vendim të drejtë në dobi të publikut por për një krim që i duhej mbajtur fshehur publikut. Por ç‘mund të presësh nga kjo Gjykatë Kushtetuese kur përflitet se gjatë vitit 2008, ajo anuloi edhe aktivitetet e planëzuara edhe në buxhet për 10-vjetorin e Kushtetutës, vetëm që të mos vinte në vështirësi autorët e amendimeve të Kushtetutës të 21 prillit. Duket se Kushtetuesja ka harruar që misioni i saj nuk është që të mbrojë pushtetet politike dhe politikanët nga publiku, por publikun nga rreziku i pushteteve politike. Dhe vendimi i Kushtetueses kundër referendumit shpreh pikërisht këtë filozofi: mbrojtjen e vullneteve tiranike dhe pushteteve politike nga vullneti publik.

Akrobacitë më vulgare, sofizmat më skandalozë janë përdorur në arsyetimin e Kushtetueses për të hedhur poshtë të drejtën e popullit për të organizuar një referendum të përgjithshëm edhe në rastin kur objekt i tij është një ligj i Parlamentit që ka amenduar Kushtetutën. Në nenin 150/1 të Kushtetutës shkruhet qartë: "Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji...". Dhe më 21 prill Kushtetuta është ndryshuar (amenduar) me anë të një ligji.

Po si ia mohon Kushtetuesja këtë të drejtë sovranit? Duke thënë se neni 150 nuk mund të zbatohet për ligje që kanë të bëjnë me rishikimin e Kushtetutës. Sipas gjykatës, një referendum që ka të bëjë me Kushtetutën mund të organizohet vetëm me nismën e një pjese të deputetëve. Sipas Kushtetueses, "përfshirja e drejtpërdrejtë e popullit në procesin kushtetutbërës, mundësohet vetëm nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Kuvend". Nuk mund t‘u besosh syve! Sepse si mund të jetë e drejtpërdrejtë përfshirja e popullit në proces nëpërmjet përfaqësuesve? Vetëm zelli për të shërbyer të bën të biesh në lapsuse të tilla alogjike, ku ka rënë edhe Gjykata Kushtetuese.

***

Grupi nismëtar për referendumin ia ka bërë të qartë Gjykatës se nenet e Kushtetutës nuk bien ndesh me njëri-tjetrin, por rregullojnë procedura të ndryshme dhe garantojnë të drejta të ndryshme; nga njëra anë për Popullin dhe nga ana tjetër për Kuvendin. Neni 177 rregullon procedurën për referendum kushtetues që ratifikon ose jo ndryshimet kushtetuese të realizuara me procedura parlamentare. Në këtë rast, referendumi kushtetues ka natyrë konsultative pra, të konsultimit me popullin. Ndërsa neni 150 i njeh të drejtën popullit që me kërkesë të 150 mijë zgjedhësve të hedhë në referendum edhe një ligj të Kuvendit që ka ndryshuar Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese bie në vulgaritet ndan me thikë "referendumin kushtetues" nga "referendumi i përgjithshëm" apo kur e shpall referendumin kushtetues vetëm atribut të Kuvendit dhe kur përpiqet të "argumentojë" se një referendum i përgjithshëm i iniciuar nga popullin nuk mund të jetë kushtetues. Në fakt, çdo referendum kushtetues është i destinuar të jetë i përgjithshëm në një kohë që jo çdo referendum i përgjithshëm mund të jetë kushtetues. Por populli duhet të këtë të drejtën të organizojë referendume të përgjithshme edhe për Kushtetutën. Ndryshe Kushtetuta do ta kishte lënë veten dhe sovranin-popull pa mbrojtje nga lloj-lloj vullnetesh dhe kapriçiosh populiste dhe deri tiranike që mund të lindin në gjirin e përfaqësuesve të tij në Kuvend. Do ta linte në mëshirën e vullneteve të "Enverëve", "Stalinëve", Musolinëve, Hitlerëve, Truhiliove të politikës që mund të lindin në çdo kohë paçka se mund të mbajnë emra të tjerë. Populli që e ka miratuar Kushtetutën me referendum nuk mund të përdorë referendumin për të mbrojtur Kushtetutën ndërsa deputetët mundet ta ndryshojnë Kushtetutën pa e pyetur fare popullin! Kjo ka ndodhur dhe pikërisht këtë tirani të llahtarshme antikushtetuese të realizuar nga Berisha me ndihmën e Ramës apo të Ramës me ndihmën e Berishës, Gjykata Kushtetuese e shet me "argumente" si kushtetuese.

Dhe nuk i ka munguar edhe asaj dëshira për t‘iu referuar stabilitetit, kësaj fjale magjike që sot po përdoret për të tredhur edhe pluralizmin në Shqipëri. Sipas Gjykatës, një referendum i përgjithshëm për një ligj që ka ndryshuar Kushtetutën, do të rrezikonte stabilitetin e Kushtetutës. Por është krejtësisht e kundërta. Lënia e deputetëve të bëjnë ç‘të duan me Kushtetutën pa i dhënë mundësi sovranit popull të shprehet, është premisa e destabilizimit të sistemit dhe Kushtetutës vetë, e deformimit të sistemit nga lidershipe autokratike që mund të arrijnë "konsensuse të gjera", duke blerë apo nënshtruar vullnetin edhe të 100 për qind të deputetëve. Ashtu sikundër duket se kanë nënshtruar edhe vullnetin e Gjykatës Kushtetuese që pikërisht për këtë, sapo ka tradhtuar Kushtetutën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›