E Diel, 1 Nëntor 2026

KZAZ-të, lista të ndryshme zgjedhësish nga ato të KQZ-së

PS ngre shqetësimin për listat. Sot pritet të miratohen edhe qendrat e votimit


TIRANË- Listat e zgjedhësve, që kanë disa komisione të zonave të administrimit zgjedhor (KZAZ) me ato që disponon KQZ është e ndryshme. Ky është shqetësimi që ngriti dje në KQZ, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Genci Gjonçaj.


Sipas tij, listat e disa KZAZ-ve, që nuk përputhen me ato të KQZ-së, janë marrë nga përfaqësuesit e qeverisjes vendore, ndërsa ato të KQZ-së nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile.


"Një situatë e tillë mund të bëjë që zgjedhësit ditën e votimit, mund të ngatërrojnë Qendrën e Votimit ose të mos e gjejnë fare atë", -tha ai. Çështje tjetër e diskutuar gjatë mbledhjes së mbrëmshme të KQZ-së, ishte projektvendimi për miratimin e 506 qendrave të votimit në ambiente private.


Duke mos arritur të mësonin se, cilat ishin arsyet për caktimin e qendrave të votimit në disa ambiente private, me propozim të përfaqësuesve të forcave opozitare, KQZ-ja vendosi që të shtyjë për sot miratimin e plotë të tyre.


Miratimi i Qendrave të Votimit pritet të ndodhë sot, pas një shqyrtimi të hollësishëm në lidhje me subjektin i cili ka propozuar ambientin, ku do të vendoset Qendra e Votimit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë informacion nga KZAZ-të, të cilat supozohet se kanë të dhëna të plota por edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, kreu i së cilës pritet të raportojë sot në mbledhjen e pasdites.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›