E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Policat të qëndrojnë larg kutive të votimit

Vetëm pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se, askush nuk duhet të guxojë të prekë votën e shqiptarëve


Gjirokastër- Vetëm pak ditë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, nga Gjirokastra, lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ka bërë thirrje efektivave të policisë, që në 28 qershor të mos ngatërrojnë ngjyrën e uniformës, që mbajnë veshur, me atë të partisë në pushtet dhe të qëndrojnë larg kutive të votimit.


"Askush nuk duhet të guxojë të shkojë nëpër mend se duhet të prekë votën tuaj, votën e socialistëve dhe progresistëve.


Asnjë shqiptar i veshur me uniformën e policisë nuk duhet të ngatërrojë ngjyrën e uniformës së shtetit me ngjyrën e flamurit të pushtetit dhe duhet të qëndrojë larg votave të popullit shqiptar në 28 qershor, sepse ndryshe do të ndëshkohet dhe nuk do të kemi paqe derisa ta vëmë përpara ligjit.


Asnjë drejtues në asnjë karrige të administratës së këtij shteti nuk duhet të vazhdojë me kërcënime ndaj nëpunësve të këtij shteti, me kërcënime ndaj mësuesve, mjekëve e infermierëve, që paguhen nga taksat tona, sepse votat tona, votën e socialistëve nuk ka zot që ta kthejë në drejtim tjetër.


Kush do të guxojë të bëjë të kundërtën duhet ta ketë të qartë që sot që do të përballet me forcën e ligjit dhe se nuk do të ketë asnjë vrimë në Shqipëri ku mund t'i fshihet ndëshkimit të ligjit",- është shprehur Rama.


Ai ka akuzuar kryeministrin Sali Berisha për korrupsion dhe përfitime galopante dhe i ka bërë thirrje që të ndalë presionet ndaj administratës. Rama ka shpjeguar gjithashtu edhe arsyet pse kërkon votën e shqiptarëve.


"Këtu nga ky shesh dua t'i them Sali Berishës, se nuk ka turp më të madh për një pushtet dhe për një kryeministër në Europën e Shekullit 21 që nga një anë u numëron përditë arsimtarëve e arsimtareve rrogën që u rrit, dhe nga ana tjetër i kërcënon përditë se po nuk i dhanë votën, do t'u heqë rrogën.


Unë nuk ua kërkoj votën për të qenë kryeministri i një qeverie që bën biznes për një familje të vetme dhe që i ndan pasuritë e vendit me klientët e pushtetit, por për të qenë kryeministri juaj me ju dhe për ju",- tha ai. Ndërkaq kryesocialisti nuk ka ngurruar të dalë nga kornizat e një mitingu formal dhe ka bërë shaka me pjesëmarrësit.


Ndërsa ndiqte përshëndetjen e disa të rejave nga kati i tretë i një godine pranë sheshit ku zhvillohej mitingu, Rama është shprehur: "Duhet të zbrisni poshtë, se larg qoftë do bjerë ndonjë dhe Sali Berisha do thotë: "Ishte demokrat dhe na e hodhën socialistët"


Mallakastër


Edhe në Mallakastër lideri i opozitës ka deklaruar se nuk ka pushtet, që e prek votën e shqiptarëve në 28 qershor. "Shpërndajeni në të gjithë Mallakastrën këtë entuziazëm dhe kurajo dhe thojini të gjithëve se nuk ka fuqi, që e prek votën tonë më 28 qershor.


Nuk ka pushtet rrugaçësh dhe as rrugaçë në pushtet që mund ta prekin votën e ndryshimit më 28 qershor. Nuk do të ketë vrimë për t'u fshehur, cilido që do të guxojë të bëjë një lojë sado të vogël me votën e socialistëve më 28 qershor, sepse ne do të fitojmë.


Ne do të fitojmë sepse e shkuara nuk mund të bëhet e ardhme dhe e ardhmja nuk mund të mbetet peng në duart e politikës së vjetër dhe të së shkuarës",- tha Rama.


Në Mallakastër, kryetari i opozitës, u shpreh se kjo zonë është ndër më të varfrat dhe më të papunat. Rama nënvizoi se Shqipëria sot vuan pasojat e politikës së vjetër të Sali Berishës, pasi kjo qeveri, sipas tij, bën biznes vetëm për familjen dhe për oborrin qeveritar.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›